Drejtësia rrëzon Qazim Sejdinin

1941
Sigal

Gjykatat shqiptare rrëzojnë për të tretën herë tre kërkesë-paditë e Qazim Sejdinit, i cili paditi gazetën “Telegraf” duke i kërkuar 150 milionë lekë

Ndërkohë që drejtësia nuk flet në favor të pushtetarëve të tipit Sejdini atëherë këta bëhen të papërmbajtshëm ndaj shtypit të lirë. Qazim Sejdini dhe kushdo tjetër nuk e ka shansin dhe as ka për ta pasur ndonjëherë që të intimidojë shtypin e lirë dhe gazetën “Telegraf”. Paratë e drogës, krimit, trafiqeve, tenderëve nga cilido qoftë nuk do ta kenë kurrë fatin të nënshtrojnë median e lirë. Tre padi , madje penale nga Qazim Sejdini, bashkëshortja e tij pronare e agjencisë doganore “Ujori”, Xhuljana Sejdini dhe administratorja e “Ujorit” Rezarta Shehu u rrëzuan nga gjykata e Tiranës, në të cilat Qazim Sejdini me familjen e tij kërkonte 150 milionë lekë dhe dënime penale për stafin dhe gazetarët. Arsyeja ishte e thjeshtë, pasi “Telegraf” publikuam superskandalin e kapjes në Ankona të 8 ton drogë, veprimet doganore dhe ndryshimin e destinacionit të së cilës i kishte bërë pikërisht agjencia doganore “Ujori” e bashkëshortes së Kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini. Një tjetër skandal lidhej me faktin që “Telegraf” botoi pasurinë e familjes së Kryebashkiakut, të cilën e kishte vetëdeklaruar Qazim Sejdini, dhe që ndodhet në të gjitha institucionet shtetërore, por që, me sa duket pasuritë e panumërta në të gjithë vendin, përballë varfërisë së shqiptarëve i prishi terezinë Qazimit, i cili kërkonte dënim penal dhe 150 milionë dëmshpërblim.

 Liria e fjalës së lirë dhe trafiku i drogës

 Kushtetuta parashikon lirinë e fjalës dhe të shtypit, dhe qeveria përgjithësisht i ka respektuar këto të drejta. Megjithatë, pati raportime që qeveria dhe bizneset kanë ndikuar dhe kanë ushtruar presion tek media. Individët në përgjithësi mund ta kritikonin qeverinë publikisht ose privatisht pa reprezalje, edhe pse megjithatë ka pasur disa përjashtime. Mediat e pavarura kanë qenë aktive dhe përgjithësisht të pakufizuara, edhe pse ka pasur raste të presionit të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë ekonomik e politik mbi mediat, duke përfshirë edhe kërcënimet kundër gazetarëve.” Janë pikërisht këto disa nga analizat e bëra nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), Freedom House , Amnesty Imternational dhe institucionet e tjera të BE-së. Pikërisht në rastet e presionit politik të përmendura nga institucionet më prestigjioze të perëndimit dhe SHBA, bën pjesë edhe Kryebashkiaku Qazim Sejdini dhe familja e tij, e cila nëpërmjet aktivitetit të bizneseve të tij i ka shkaktuar shumë probleme sigurisë dhe rendit, pasi nga veprimet apo mosveprimet e tyre; krimi, korrupsioni dhe trafiku i drogës kanë përfituar duke dërguar tonelata me drogë në Evropë. Pikërisht kompania “Ujori”, e cila është në pronësi të bashkëshortes së Kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini, ka kryer veprimet si agjenci doganore për kamionin e futur nga Qafë-Thana, ndryshimin e destinacionit nga Hani Hotit për në Durrës dhe po ky kamion kapet me 8 ton drogë në Ankona. Atëherë, rastësi janë të gjitha këto ndryshime destinacioni?! Dhe gazeta “Telegraf” ngrinte shqetësimin dhe pyetjen, se përse nuk pezullohet kryebashkiaku i Elbasanit, deri sa të “kullohen” ujërat e “Ujorit” pronare e të cilës është bashkëshortja e Qazim Sejdinit? Madje në numrin e saj gazeta “Shekulli” e datës 21 prill 2017 shkruante pikërisht për këtë ngjarje se, “Kamioni me 8 ton drogë, nën hetim firma doganore e gruas së Qazim Sejdinit”. Në vazhdimësi ajo sqaronte se,  “Kompania “Ujori” që rezulton të jetë në pronësi të shtetases Xhuljana Sejdini, gruas së kreut të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, është agjencia që ka kryer veprimet doganore të mjetit me targa maqedonase, që u kap me 8 ton drogë në portin e Ankonës. Ndaj kësaj kompanie tashmë mësohet, se prokuroria për Krimeve të Rënda ka nisur hetime për të parë rolin e secilit prej punonjësve në këtë çështje, pasi ka dyshime që kanë ndryshuar destinacionin fillestar të mjetit. Sipas ekstraktit, kjo kompani administrohet nga shtetasja Rezarta Shehu, ndërsa pronare me 100 për qind të aksioneve është konkretisht shtetasja Xhuljana Sejdini, bashkëshortja e Qazim Sejdinit. Ndërkohë për llogari të hetimit, prokuroria ka arrestuar përfaqësuesin e kësaj kompanie në doganën e Qafë­ Thanës, shtetasin Maliq Kadilli, i cili tashmë është lënë në masën e “arrestit në burg” nga gjykata. Kadilli ka përpiluar dokumentet për hyrjen dhe tranzitimin e kamionit që drejtohej nga i arrestuari, Zoran Stanojoski. Më pas ka qenë sërish Kadilli, i cili i është drejtuar doganës Qafë­Thanë, duke kërkuar ndryshimin e destinacionit të daljes së kamionit nga Hani i Hotit për në Portin detar të Durrësi. Dhe pikërisht për këto Qazim Sejdini, bashkëshortja dhe agjencia doganore nëpërmjet presionit hapën padi penale dhe kërkuan dëmshpërblim 150 milionë lekë, në mënyrë që t’i mbyllin gojën gazetës “Telegraf”. Por “Telegraf”, priti për gati 1 vit rresht zhvillimin e të tre gjyqeve, të cilat i dhanë të drejtë, pasi misioni ynë është vetëm informacioni, mbi të vërtetën dhe realitetin. Ndoshta Qazim Sejdini dhe firma e tij familjare do të vazhdojnë përsëri me proceset gjyqësore dhe përgjigja jonë është se “Telegraf” do të vazhdojë nga ditët në vazhdim të botojë të gjitha vendimet gjyqësore, aktivitetin e kompanive të Qazim Sejdinit pas viteve 1990, kompanitë e hapura dhe të mbyllura, dhe skandale të tjera doganore . Kryebashkiaku Qazim Sejdini, jo vetëm që do jetë objekt i organeve të hetimit shqiptar, por edhe atyre ndërkombëtare perëndimore dhe institucioneve demokratike amerikane.