Dr. Josif Risto: Jetëshkrimi i figurave tona kombëtare në këndvështrimin e biografëve të shquar amerikanë

Intervista e Dr. Josif Risto, bërë me studiuesin Ilir Ikonomi

 

Noli tentoi të vinte në Shqipëri në shtator 1920, pasi vendi kishte tashmë një qeveri të zgjedhur dhe trupat italiane sapo ishin larguar nga Vlora, nën trysninë e elementit nacionalist. Dëshira e tij ishte të merrej me punët e kishës, pra të ngrinte edhe në Shqipëri një kishë ortodokse shqipe, ashtu siç kishte bërë në Boston në vitin 1908, duke kundërshtuar ndikimin e kishës greke. Ai synonte po ashtu të merrte pjesë në jetën politike të vendit, pasi e ndiente veten të kualifikuar për një angazhim të tillë. Mirëpo qeveria e Sulejman Delvinës nuk e lejoi të zbriste nga anija…

NOA

Në takimin me Shoqatën Kulturore dhe Patriotike “KOLONJA”, studiuesi Ilir Ikonomi iu përgjigj disa pyetjeve:

Ju keni shkruar disa libra biografikë. Çfarë ju tërheq drejt biografive?

-Biografitë janë një mundësi e mirë për të shpjeguar historinë në mënyrë të kuptueshme. Në të vërtetë, historia përbëhet nga biografi njerëzish. Duke folur për biografinë e njerëzve që kanë qenë protagonistë të ngjarjeve të mëdha historike, është e mundur që të shpjegosh edhe historinë e atyre ngjarjeve të mëdha. Nga pikëpamja njerëzore, lexuesit janë të prirur t’i pëlqejnë jetëshkrimet e figurave të rëndësishme të kombeve të tyre. Kjo më shtyu të filloja me Faik Konicën, ose më mirë me jetën e tij gjatë kohës që ishte ministër i Mbretit Zog në Uashington. Pastaj e vazhdova me udhëtimin prej 26 ditësh të Ismail Qemalit nga Stambolli për në Vlorë, ku ngriti flamurin më 28 nëntor 1912. Më pas shkrova biografinë e Esat Pashë Toptanit dhe vitet e fundit jam marrë me jetëshkrimin e Fan Nolit.

Sa i përhapur është ky zhanër në SHBA dhe si i shkruajnë amerikanët biografitë?

Në SHBA dhe mendoj kudo në vendet e tjera, ky është një zhanër mjaft i përhapur. Amerikanët kanë disa biografë të shquar, si Ëalter Isacson, i cili ka shkruar biografitë e disa njerëzve të mëdhenj si Ajnshatajni, Galileu e deri te Steve Jobs dhe Elon Musk. Kam mësuar shumë nga stili dhe mënyra se si ai i qaset një jetëshkrimi, ku të bën përshtypje paanshmëria dhe objektiviteti. Në SHBA janë shkruar shumë biografi për njerëzit e shquar, pra me të njëjtin njeri janë marrë shumë biografë ose studiues. Për shembull, mendohet se për Presidentin John Kennedy janë shkruar rreth 40 mijë libra, që përshkruajnë aspekte të ndryshme të veprimtarisë së tij. Amerikanët i trajtojnë heronjtë e tyre jo bardhë e zi, por me të gjitha nuancat e mundshme. Në Shqipëri, për fat të keq, heronjtë trajtohen si njerëz të pagabueshëm dhe të përsosur, nga frika se mos i njollosim. Në të vërtetë, lexuesi kërkon ta njohë personazhin me të gjitha anët e tij, të mira e të këqia, ndërsa në Shqipëri shpesh gjykohet me kritere ideologjike të vjetëruara. Mendoj se në këtë fushë jemi ende shumë prapa.

-Dy vitet e fundit ju keni sjellë dy vëllime biografike për Fan Nolin. Libri i parë titullohej ‘Apostulli’, ndërsa i dyti ‘Rebeli’. Çfarë kritere keni ndjekur për të pasqyruar jetën e Nolit në këto dy vëllime?

-Si gjithmonë, edhe në këto libra jam përpjekur të jem i paanshëm dhe t’i hedh të gjitha faktet në tryezë. Të jesh i paanshëm dhe objektiv nuk është gjithnjë e lehtë, sepse duhet t’i ruhesh tundimit për ta vënë theksin tek fakte të caktuara e të lësh mënjanë fakte të tjera që janë po aq të rëndësishme. Pra çështja nuk është thjesht tek paraqitja e fakteve, por tek drejtpeshimi që duhet të ruash. Gjithashtu, jam përpjekur të sjell sa më shumë dëshmi dokumentare, të njohura e të panjohura, për ta dhënë të plotë e të pacunguar portretin e Nolit. Noli është një figurë e ndërlikuar, me shumë ulje-ngritje. Kur shkruan për Nolin mund të biesh në grackë dhe t’i mësosh njërës anë, duke lënë mënjanë anën tjetër. Pasqyrimi i këtij personazhi në tërësinë e tij ka qenë një nga pikësynimet e mia kryesore.

-Libri ‘Rebeli’ trajton periudhën e Nolit në Shqipëri në vitet 1921-1924. Çfarë arritjesh pati ai në Shqipëri?

-Noli tentoi të vinte në Shqipëri në shtator 1920, pasi vendi kishte tashmë një qeveri të zgjedhur dhe trupat italiane, sapo ishin larguar nga Vlora, nën trysninë e elementit nacionalist. Dëshira e tij ishte të merrej me punët e kishës, pra të ngrinte edhe në Shqipëri një kishë ortodokse shqipe, ashtu siç kishte bërë në Boston në vitin 1908, duke kundërshtuar ndikimin e kishës greke. Ai synonte po ashtu të merrte pjesë në jetën politike të vendit, pasi e ndiente veten të kualifikuar për një angazhim të tillë. Mirëpo qeveria e Sulejman Delvinës nuk e lejoi të zbriste nga anija, nga frika se ardhja e tij mund të prishte më tej marrëdhëniet e acaruara me Greqinë. Noli u detyrua të kthehej në Itali dhe aty mori lajmin se qeveria e kishte emëruar kryedelegat të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve më 17 dhjetor 1920 dhe Noli pati këtu një rol me rëndësi, pasi paraqiti në mënyrë të qartë argumentet juridike se përse vendi e meritonte të ishte anëtar i Lidhjes. Noli shkoi në Shqipëri më 8 prill 1921, u zgjodh në parlament kryetar i Partisë Popullore dhe në qershor të atij viti u dërgua përsëri në Lidhjen e Kombeve për të mbrojtur kufijtë e Shqipërisë kundër kërkesave greke dhe serbe. Suksesi i tij në Gjenevë i dha Nolit mjaft autoritet dhe në janar 1922 ai u emërua ministër i Jashtëm në qeverinë e Xhafer Ypit, ku ministri i Brendshëm Ahmet Zogu ishte de facto kryeministër.

-Përse Noli nuk u mor vetëm me çështjet fetare, por iu përkushtua edhe politikës?

-Ai besonte se ishte i aftë të sillte ndryshime në Shqipëri, të përmirësonte jetën e popullit, të bënte reformë agrare dhe të përmirësonte kulturën dhe shëndetin e njerëzve. Këtë mund ta bënte vetëm duke u marrë me politikë. Noli udhëhiqej nga idealet amerikane të demokracisë dhe donte t’i zbatonte ato në kushtet e Shqipërisë së prapambetur. Duket se një synim i tij ishte të bëhej kryeministër dhe e arriti këtë në qershor 1924.

-Po në aspektin fetar çfarë arriti Noli në Shqipëri?

-Pas ardhjes në Shqipëri nga Gjeneva në nëntor 1921, Noli vizitoi disa komunitete fetare dhe ngriti bazën e tij në Korçë, ku dha disa mesha episkopale. Ato nuk u pritën mirë nga disa prej kundërshtarëve të tij si Sotir Peci, të cilët mendonin se Nolit nuk i takonte të sillej si peshkop, pasi ai ishte vetëshpallur i tillë në Boston në korrik 1919, por nuk kishte marrë konsakrimin e kishës ortodokse ruse të Amerikës. Megjithatë, Noli arriti të mobilizojë pjesën nacionaliste të ortodoksisë shqiptare. Fryma e tij për shkëputjen nga Patrikana e Konstandinopojës dhe për futjen e liturgjisë në gjuhën shqipe shërbeu si shkëndija për mbajtjen e kongresit të ortodoksisë në Berat në shtator 1922. Kongresi shpalli shkëputjen nga Patrikana dhe ishte një hap i rëndësishëm drejt autoqefalisë. Në dhjetor 1923, Noli u shpall në Korçë peshkop i rregullt dhe Mitropolit i Durrësit. Në fillim u mendua se ai do të merrej vetëm me punët e kishës, por nuk ndodhi kështu.

Noli nuk arriti të sigurojë njohje ndërkombëtare nga vendet perëndimore Britania, Italia, SHBA apo Franca, kryesisht, sepse qeveria e tij kishte ardhur në fuqi me dhunë. Britanikët refuzonin të njihnin çdo qeveri që e kishte marrë pushtetin me forcë, me grusht shteti. Kështu kishin vepruar edhe në rastin e revolucionit portugez në vitin 1910 dhe atij kinez në 1912. Amerikanët ishin më të gatshëm për njohjen e Nolit, por ata prisnin të shihnin se si do të vepronte Britania!

-Si ishin marrëdhëniet e tij me Zogun, që përfaqësonte krahun konservator?

-Kur erdhi në Shqipëri në vitin 1921, marrëdhëniet e tyre ishin të mira, madje Zogu bënte pjesë në Partinë Popullore që kryesohej nga Noli. Por kjo nuk zgjati shumë. Zogu u rendit me konservatorët, ndërsa Noli mbeti me liberalët. Marrëdhëniet mes tyre nisën të acarohen në vjeshtën e vitit 1922. Në dhjetor të atij viti, Zogu u emërua kryeministër dhe acarimet u shtuan. Duket se në luftën e tij kundër Zogut Noli inkurajohej nga Faik Konica, kryetar i Vatrës dhe redaktor i gazetës Dielli në Boston. Dy kampet u ndanë qartë pas vrasjes së Avni Rustemit në prill 1924, që opozita liberale ia atribuonte Zogut, edhe pse nuk kishte prova.

-Çfarë e shkaktoi rebelimin e qershorit 1924?

-Përplasja mes konservatorëve dhe liberalëve erdhi si pasojë e acarimeve politike, që herë-herë ishin artificiale. Shqipëria ishte një vend i prapambetur agrar, ku tokën e zotëronin çifligarët e mëdhenj. Natyrshëm, zemërimi i popullit të thjeshtë drejtohej kundër qeverisë, në të cilën kishte pronarë të mëdhenj tokash si Shefqet Vërlaci dhe Iljas Vrioni. Vrasja e Avni Rustemit shërbeu si shkak që liberalët të fillonin të mendonin për përmbysjen e qeverisë. Në fillim, Noli dhe anëtarët e tjerë të Asamblesë Kushtetuese që kishin shkuar në Vlorë për varrimin e Avni Rustemit vendosën ta bojkotojnë kuvendin. Pastaj bindën ushtrinë të rebelohej dhe të bashkohej me ta. Zogu e kuptoi se raporti i forcave kishte ndryshuar në favor të opozitës dhe u largua nga vendi më 10 qershor. Ministrat kishin ikur përpara tij. Forcat revolucionare hynë në Tiranë më 12-13 qershor dhe morën pushtetin.

-Përse Noli vendosi të hyjë në marrëdhënie me Rusinë bolshevike?

-Noli u inkurajua për të hyrë në marrëdhënie me sovjetikët nga disa anëtarë të Komitetit të Kosovës, të cilët shpresonin se Bashkimi Sovjetik mund t’i ndihmonte të riktheheshin në trojet e tyre që tashmë ishin nën Serbinë. Noli shpresonte që të merrte ndihmë financiare dhe ushtarake nga Rusia sovjetike. Por ai i bëri llogaritë gabim. Lidhja e marrëdhënieve me bolshevikët i dobësoi shanset e tij për njohje ndërkombëtare.

-Përse u rrëzua qeveria 6 mujore e Nolit?

-Noli nuk arriti të sigurojë njohje ndërkombëtare nga vendet perëndimore – Britania, Italia, SHBA apo Franca, kryesisht sepse qeveria e tij kishte ardhur në fuqi me dhunë. Britanikët refuzonin të njihnin çdo qeveri që e kishte marrë pushtetin me forcë, me grusht shteti. Kështu kishin vepruar edhe në rastin e revolucionit portugez në vitin 1910 dhe atij kinez në 1912. Amerikanët ishin më të gatshëm për njohjen e Nolit, por ata prisnin të shihnin se si do të vepronte Britania, e cila ishte fuqia kryesore evropiane në atë kohë. Edhe Benito Mussolini i Italisë priste të ndiqte shembullin britanik. Disa veprime të Nolit, siç ishte refuzimi për t’i dhënë qeverisë së tij një bazë kushtetuese, vendimi për të ndëshkuar qysh në fillim armiqtë politikë, refuzimi për të mbajtur zgjedhje parlamentare, duke shprehur njëkohësisht urrejtje të hapur ndaj parlamentit si institucion, bënë që baza e qeverisjes së tij të lëkundej. Ndërkaq, Italia, Jugosllavia dhe Anglia, të zhgënjyera me Nolin, kishin fillluar të hartonin plane për përmbysjen e tij. Ahmet Zogu, nga Beogradi dhe me ndihmën e tij bënte përgatitje serioze për rikthimin në pushtet. Më 7 dhjetor 1924, Musolini dhe sekretari i Jashtëm britanik Austen Chamberlain u takuan kokë më kokë në Romë dhe biseduan mes të tjerash edhe për Shqipërinë. Ata vendosën që ta ndihmonin rikthimin e Zogut, i cili premtonte se do t’i bënte Italisë favore politike dhe ekonomike, ndërsa Britanisë do t’i jepte koncesionin e naftës shqiptare, duke anashkaluar kompanitë amerikane. Edhe marrëdhëniet me Rusinë sovjetike e dëmtuan mjaft pozitën e Nolit. Ato u përdorën nga fuqitë e huaja për t’i dhënë atij damkën e një bolshevisti. Kur Zogu me regjimentet e tij hyri në Shqipëri nga Jugosllavia nëpërmjet Dibrës e Matit, as Italia dhe as Britania nuk e ndihmuan Nolin. Qeveria e tij ra shpejt. Noli iku nga Tirana më 23 dhjetor dhe forcat e Zogut e morën pushtetin një ditë më vonë.

-Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

-Jam duke shkruar vëllimin e tretë të biografisë së Nolit, e cila përfshin ngjarjet pas ikjes së tij nga Shqipëria. Noli kaloi disa vite mërgimi në Austri e Gjermani dhe u kthye përfundimisht në Amerikë në vitin 1932. Pas kësaj, ai nuk doli kurrë nga Shtetet e Bashkuara. Kjo është periudhë me shumë ngjarje dhe ulje-ngritje në jetën e Nolit, i cili gjatë kësaj kohe u mor me politikë, me punët e kishës, me përkthime dhe me muzikë.