Nga një gjethe e rënë në tokë, nga një dallgë e ngritur mbi shkëmbinj, nga një shtëpi historike, nga një fytyrë plot mendime, apo të gjitha së bashku, të ngrira në çastin që kapen nga Julian Bleta, bëjnë atë tharm që është i nevojshëm për shpirtin e një artisti dhe që jo vetëm mund të shkrepë një foto të bukur, por të tregojë përmbajtje të thellë të objekteve dhe botë shpirtërore të madhe të personazheve të fokusuar në aparat.

Të jetosh në një qytet ku drita vezullon mbi det e puhiza ledhaton cipën e ujit dhe e kthen në kadife, ku yjet duket sikur bien mbi det e vallëzojnë me valët, nuk ka si të të mos lindë dëshira që këto pamje ti bësh të pavdekshme dhe të ngrish çastin në një shkrepje fotografie. Dhe kjo dëshirë lindi herët në shpirtin e Julian Bletës, i cili dalëngadalë pasionin e ktheu në një profesion të qëndrueshëm dhe të fotografuarit e ktheu në një art më vete. Aparati u bë pjesë e tij, zgjatim i duarve të tij, ku syri i mprehtë kapte dritën, ngjyrat dhe hijet, derisa futej në botën ëndjendjellëse dhe emocionuese të fotografisë. Nga një gjethe e rënë në tokë, nga një dallgë e ngritur mbi shkëmbinj, nga një shtëpi historike, nga një fytyrë plot mendime, apo të gjitha së bashku, të ngrira në çastin që kapen nga Julian Bleta, bëjnë atë tharm që është i nevojshëm për shpirtin e një artisti dhe që jo vetëm mund të shkrepë një foto të bukur, por të tregojë përmbajtje të thellë të objekteve dhe botë shpirtërore të madhe të personazheve të fokusuar në aparat. Juliani e ka bërë këtë gjë në shumë fotografi. Mjafton të shohim pamjen e përgjithëshme të Vlorës, e cila është bërë një foto ikonike e qytetit, apo foton e shkrepur rastësisht në rrugë, të një druri të prerë, ku ngjyrat flasin në mënyrë të mahnitëshme aq sa duket si artefakt nga një botë tjetër që tregon historinë e tij, e cila ka të bëjë me historinë tonë njerëzore. Juliani është mjeshtër se luan me dritën gjatë fotografimit, sidomos me këndet anësore të dritës, veçanërisht kur fotografon pamjet nga lartë poshtë, apo poshtë-lart sidomos të pamjeve të detit për të nxjerrë në pah kontrastin midis valëve dhe ritmin e tyre. Çdo fotografi e tij ka një ritëm brenda, qoftë kjo e bërë në një vend publik, natyrë, apo në një dasmë. Brenda tyre është një melodi që ndihet edhe pse nuk dëgjohet. Ky shpirt i tij artistik ka bërë që ai të jetë pjesëmarrës në ekspozitat e përbashkëta të tij me piktorin e mirënjohur Roland Runaj. Tek Ekspozita “Itaka”, midis të tjerave dallohej ajo me pirgun e kripës në kriporen e Skrofotinës. Mali me kripë i fotografuar prej tij në një dritë anësore është një mirazh, që të bën të dyshosh nëse është një mal me kripë apo me borë, sepse reflektimet fantastike të kristaleve të kripës duken si reflektime mahnitëse diamantesh, që thyejnë dhe shpërndajnë dritën plot shkëlqim. Po aq mahnitëse ishte dhe ekspozia e dytë e përbashkët me piktorin Roland Runaj e titulluar “Lagjeve të Shpirtit”, që kishte të bënte me lagjet ku këta dy artistë të kombinuar në harmoni të përkorë, janë rritur, kanë shkelur e kanë luajtur qysh fëmijë. Edhe pse fotografia e Rrugës së Muradijes e shkrepur nga fotografi korçar Petro Dhimitri gjatë kremtimit të një vjetorit të shpalljes së Pavarësisë mbetet si pikënisje për ndryshimin e Vlorës historike, prapëseprapë, fotografitë e bëra në kohë tjetër të Julian Bletës japin detaje që tregojnë ide konceptuale të tij, apo të zhvillimit të qytetit. “Fotografia artistike është përdorimi i vetëdijshëm i fotografisë si një mjet artistik për të shprehur idenë konceptuale të artistit”, shpjegon profesori dhe fotografi Ariel Uillson. Por Julian Bleta është i dashuruar me gjithçka të qytetit të tij, me historinë, me njerëzit, me peisazhin, me florën dhe faunën e tij. Ashtu si një gjahtar që merr çiften dhe shkon për gjah, ai është një tjetër gjahtar: që kërkon të mbërthejë në fotot e tij diellin, mjegullën, ngjyrën e trëndafiltë mbi det e lagunë, mbi Sazan e Karaburun, zogjtë, pulëbardhat, e mbi të gjitha flamingot vallëzuese, ku laguna e Nartës është shndërruar në një vend të lakmuar për fotografët, qofshin profesionistë, apo amatorë. Por shkrepjet e Julian Bletës, jo vetëm mbi lagunë, mbi pistën e helikopterit në anëdetëse, mbi manastirin e Zvërnecit, apo më larg mbi kishën e Marmiroit, të shkrepura në muzg, apo agim për të kapur shtjellat e mjegullave të muzgut dhe të mëngjesit, i shtojnë peisazhit mendim, ëmbëlsi dhe misticizëm. Dhe kjo punë vazhdon duke vënë në objektiv në mënyrë të pandërprerë njerëz, objekte, ngjarje. Kush e mendonte se 200 vjet pas shpikjes së fotografisë, kur aristokracia do të vazhdonte me pikturën dhe borgjezia do të vazhdonte me fotografinë, se në një vend të Mesdheut, e pikërisht në Vlorë, fotografia do të kthehej në një art aq të rëndësishëm, aq pasqyrues për çdo veprimtari sa zyrtare po aq dhe private. Dhe në këtë art nuk mungon së dhëni kontributin e tij dhe Julian Bleta, i cili për shkak të aftësive të tij bashkëpunon prej vitesh me Konsullatën Italiane në Vlorë. Ai vazhdon të frymëzojë artdashësit përmes artit të fotografisë dhe t’u tregojë atyre bukurinë e qytetit tonë. Fotografitë e tij për 100 vjetorin e pavarësisë janë përtej të gjithave një kontribut historik, që për brezat që do të vijnë do të sjellin më afër një moment historik të këtij kremtimi. Por kontributi i Julian Bletës nuk mbaron këtu. Si artist imazhi, ai u bë nxitës dhe promotor i konkursit “Vlora Foto Festival”, që e mbylli suksesshëm edicionin e parë, i mbështetur nga Bashkia Vlorë, ku u konkurrua me mbi 500 fotografi mbresëlënëse, të peizazheve të ndryshme, të shkrepura nëpër mrekullitë e Vlorës. Në të gjitha këto kontribute shihet jo vetëm sesi Julian Bleta e sheh qytetin, por dhe sa e do qytetin. Meqë arti është një fenomen njerëzor, janë njerëzit që e bëjnë artin nëpërmjet dashurisë njerëzore fenomenal. Këtu nuk bën përjashtim as Juliani.