Dr. Islam Cani/ Çidhna në rrezik nga HEC-et. Pse heshtin organet përgjegjëse?

    Çidhna djepi i qytetërimit, strehë e Dibrës që në lashtësi, qyteti princave dhe mbretërve ilirë, vendlindja e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), vendi me pozicionin strategjik në mbrojtje, vendi i bukurisë, i perlave të natyrës sot ndodhet në rrezik të humbasë identitetin e saj historik. Çidhna një qendër arkeologjike me hapësira e zona të shumta, ku ruhen mbi e nën tokë monumente dhe objekte me vlera për historinë e saj mijëravjeçare. Nga kërkimet, apo nga erozioni tokësor janë gjetur dhe kanë dalë në dritë objekte të rëndësishme, madje dhe disa thesare arkeologjike që pasqyrojnë jetën dhe historinë e këtij qyteti të lashtësisë, që sot është fshati Çidhën. Nga banorë të Çidhnës janë gjetur objekte të shumta që nga qeramika, bronzi e hekuri, madje dhe monedha e bronzit që i takon kohës së mbretërisë Ilire e gjetur në Trojase ose Kepi i Xhitetit (Gjitetit), siç i thonë banorët.

    Atëherë ç’po na shohin sytë, ç’po ndodh në territorin tokësor e lumor të Çidhnës?!

    NOA

    Çidhnës i janë vërsulur kasapët e zhdukjes së identitetit të historisë dhe arkeologjisë, për ta mbytur në ujë për ndërtimin e HEC-eve, duke mbuluar të vërtetat historike. Çdo ditë po grumbullohen dhe largohen ujërat, po rrënohen monumentet, po dëmtohen sipërfaqe të shumta toke të cilat janë miniera të arkeologjisë, po prishen vendet historike, po humbet emri, puna, lufta, qytetërimi, zhvillimi i Oenës qytet i lashtësisë, po humbet autonomia e Çidhnës edhe e Dibrës së Ilirisë, për një qëllim; fitimin dhe interesin e momentit të një grupi personash duke shkatërruar jetën mijëravjeçare të qytetit. Jo vetëm kaq, por dora e shkatërruesve po bën të humbasë qendra historike e Nëntë Maleve, vendi historik ku janë marrë vendime të rëndësishme, ku janë krijuar qeveri të përkohshme, qendra që bënte lidhjen e kalave, qyteteve e qytezave të gjithë Dibrës në periudha të ndryshme të zhvillimit historik, ekonomiko-kulturor të saj. Në qoftë se lejohen kasapët e paftuar që të presin, therin dhe të gatuajnë gjellën e preferuar me monumentet e Çidhnës, atëherë gjurmët e arkeologjisë zhduken e bashkë me to humbet identiteti ynë historik. Këta zaptues me strategjinë e tyre përfituese po humbasin logjikën për vlerat e natyrore e kulturore, por mbi gjithçka vendosin interesin dhe fitimin e çastit. Këto persona duhen edukuar dhe mënjanuar nga kjo rrugë, çdo lloj lëshimi e pajtimi me to rrezikon Dibrën, Çidhnën dhe gjithë vendin. A nuk do të ishte më mirë që këto investime të investitorëve private apo shtetërore për të ndërtuar HEC-et, që prishin dhe shkatërrojnë burimet ujore të Çidhnës, të bëheshin për investimin e zhvillimit tërësor të identifikimit dhe të ruajtjes së monumenteve natyrore e kulturore, për identifikimin, regjistrimin e pasurive të trashëgueshme dhe investime në fushën e arkeologjisë në zhvillimin turistik të saj? Këto kasapë që me rrënimin e tokës dhe të tharjes së ujërave me apo pa dashje po i heqin identitetin e saj e cila është e lidhur ngushtë me Çidhnën, Dibrën dhe historinë tonë kombëtare.

    Po organet përgjegjëse pse heshtin?!

    Çdo heshtje zyrtare të organeve përkatëse apo dhe gjendja letargjike e shoqërisë civile po i japin dorë dhe po i mprehin thikën këtyre zanatçinjve të hidrocentraleve të cilët s’po bëjnë gjë tjetër, por Çidhnës së shqiponjave po i presin krahët, po i groposin identitetin e saj historik, gjeografik, kulturor e arkeologjik. Organet dhe personat përgjegjës në bazë dhe në qendër, kudo që janë, duhet të zgjohen nga letargjia për të mënjanuar këtë rrezik që po i kanoset Çidhnës me dëmtime të rënda të sipërfaqes së tokës dhe të monumenteve të saj deri në humbjen e identitetit dibran. Hesht dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë e cila ka mbi 23 vjet demokraci që nuk investon për kërkime e mbrojtje të monumenteve natyrore e kulturore, por bën lojën e veshit shurdh e syrit qorr!

    Për këto shqetësime e dhimbje po i drejtohem disa institucioneve shtetërore e akademike që mbrojnë monumentet me ligj: Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Institutit të Monumenteve të Kulturës, Institutit të Arkeologjisë, Institutit të Kulturës Popullore, Qendrës Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore, organeve shtetërore përkatëse të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor që të reagojnë dhe t’i largojnë duart dhe veprimin e këtyre kasapëve që po cenojnë e zhdukin vlerat, historinë e këtij vendi që është e lidhur me Çidhnën si rajon, me Dibrën dhe gjithë Shqipërinë.