Dr. Bujar Leskaj: Nga Praga në Prishtinë

1122
Sigal

Përvjetorët e institucioneve supreme të auditimit janë si gurë kilometrikë që shënojnë progresin e këtyre strukturave kushtetuese, me rëndësi të madhe për mbarëvajtjen e qeverisjes publike dhe të parave të taksapaguesve të çdo vendi.

Nga Praga…

Më 1 tetor 2018, Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës Çeke festoi 25-vjetorin e krijimit të saj.

Kryetari i institucionit suprem të auditivit (SAI-t) të Çekisë, ing. Miloslav Kala, një personalitet i spikatur i auditimit të jashtëm publik evropian, i cili mban detyrën e Zv-Presidentit të Bordit Drejtues të EUROSAI-t, organizatës së institucioneve supreme të auditimit të Evropës, që përfshin në gjirin e saj 50 SAI evropiane, theksoi në konferencën jubilare për këtë përvjetor rëndësinë e komponentit të ruajtjes së pavarësisë institucionale të SAI-ve, si shtylla e katërt e demokracisë.

Paneli i Konferencës jubilare per 25 vjetorin e themelit te SAI-t çek. Ne qendër Presidenti i Çekise z. Milos Zeman, Presidenti i SAI-t çek ing. Miloslav Kala dhe Presidenti i ECA-s, z. Klaus-Heiner Lehne

Presidenti i Republikës Çeke, z. Milos Zeman, në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi veprimtarinë e SAI-t Çek si një institucion kushtetues i pavarur  në gjenerimin e informacioneve objektive dhe të besueshme në drejtim të përgjegjshmërisë së  menaxhimit të fondeve dhe pronës shtetërore, me një impakt të padiskutueshëm në vendimmarrjet për zhvillim dhe prosperitet të vendit.

Nga ana e tij, Kryetari i Gjykatës Evropiane të Audituesve(ECA), z. Klaus-Heiner Lehne u ndal tek rëndësia e bashkëpunimit të SAI-ve evropiane, duke theksuar se duhet punuar së bashku fort për një Evropë sa më të bashkuar. Lind pyetja: Pse shkuam ne si KLSH në Pragë?

Arsyeja qëndron në faktin se SAI çek, si një institucion i pavarur i auditimit, me misionin për të shqyrtuar menaxhimin e të ardhurave dhe shpenzimeve publike të Shtetit, përfaqëson një nga SAI-t më të zhvilluara të Evropës. Si institucion është themeluar që në vitin 1761, në kohën e monarkisë Austro-Hungareze. SAI çek ndërthur kështu vlerat e një tradite dhe përvoje të madhe të trashëguar, me teknikat moderne të auditimit suprem publik, të bazuara në standardet e përditësuara ndërkombëtare të fushës, ISSAI-t. Me ndarjen më 1 janar 1993 të shtetit të Çekosllovakisë në dy shtete, në Republikën Çeke dhe në Republikën e Sllovakisë, nis historia e sotme e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Çekisë.

Që nga themelimi i saj si strukturë moderne në vitin 1993, SAI çek ka kryer më shumë se 900 auditime dhe ka shqyrtuar çdo vit mesatarisht një buxhet publik prej 230 miliardë korona çeke (ose mbi 9 miliarde euro), duke realizuar kursime të rëndësishme të parasë publike për ekonominë çeke.

Detyra e SAI-t është të ofrojë informacion, mbikëqyrje dhe keshillim për hartuesit dhe zbatuesit e politikave kombëtare, në mënyrë që ata të dinë sa me sukses janë zbatuar politikat e tyre dhe me çfarë çmimi, sa efektive kanë qenë dhe çfarë ndikimesh ekonomike e sociale kanë pasur.

SAI çek ka një udhëheqje kolegjiale: Bordi drejtues i tij përbëhet nga Presidenti i SAI-t, Zv-Presidenti dhe 15 anëtarë. Bordi miraton, ndër të tjera, planin vjetor të auditimit dhe raportet vjetore. SAO ka të drejtë të kontrollojë fondet dhe asetet shtetërore, si dhe fondet që i ofrohen Republikës Çeke nga jashtë, për shembull nga BE.

Përveç auditimeve, SAI bashkëpunon në procesin legjislativ me propozimet e tij te shumta për përmirësime ligjore, si dhe publikon Raportin e BE-së për menaxhimin financiar të fondeve të BE-së në Republikën Çeke. Zyra Kombëtare e Auditimit gëzon respektin e publikut dhe të Parlamentit. SAI çek është një institucion profesional dhe i respektuar, jo vetëm në gjirin e shoqërisë çeke, me një nga nivelet më të larta të perceptimit të besueshmërisë tek publiku dhe qytetari çek (mbi 50%), por edhe në komunitetin e auditimit suprem publik evropian dhe më gjerë.

SAI çek ka nivelin e besueshmërisë tek qytetarët,  njësoj si Gjykata Kushtetuese apo zyra e Avokatit të Popullit e Çekisë. Niveli i zbatimit të rekomandimeve të tij është 85%, ndër më të lartët në Evropë. Rezultatet e auditimeve janë të mirënjohura për publikun falë medias, të cilat rregullisht përmendin punën e SAI-t. Ja perse nuk është rastësi që zëdhënësi i Zyrës Kombëtare të Auditimit ishte i katërti më i cituar në mesin e zëdhënësve të institucioneve publike në vitin 2017.

Në planin e bashkëpunimit rajonal, është i veçantë kontributi i Zyrës çeke në Grupin e Vishegradit, i themeluar në vitin 1991 nga kryetarët e shteteve dhe te qeverive të Polonisë, Hungarisë dhe Republikës Çeke dhe Sllovake.

Forumi i “Vishegradit 4 + 2” me ndihmesën dhe mbështetjen e SAI-ve të Austrisë dhe Sllovenisë përfaqëson një eksperiencë shumë të mirë bashkëpunimi dypalësh dhe shumëpalësh ndërmjet SAI-ve, si dhe i shkëmbimit profesional të përvojave audituese. Zyra Kombëtare e Auditimit e Çekisë ka mësuar shumë nga ky bashkëpunim shumë përmasor, por edhe ka kontribuar ndjeshëm.

SAI çek është në avangardë të përdorimit të teknologjive moderne në gjirin e SAI-ve , të cilat e lehtësojnë dhe njëkohësisht thellojnë punën audituese, duke dhënë premisa për saktësi maksimale në gjetjet dhe rekomandimet. Audituesit çekë përdorin sistemin elektronik “Athena” të administrimit të informacionit për Auditimin, një ndër më modernët, që i ndihmon në detyrat e tyre të përditshme, duke i administruar dokumentet brenda skedarëve të veçantë elektronikë dhe rregullave të qarta të “magazinimit” digjital të dokumenteve. SAI ka database-in e vet të të dhënave për asetet dhe fondet publike, ku të dhënat nga aktiviteti i administratës shtetërore çeke janë përpunuar dhe vlerësuar më tej.

Duke besuar thellësisht se shkëmbimi i informacionit, njohurive dhe përvojës relevante dhe korrekte është shumë i rëndësishëm në kuadër të auditimit të fondeve publike dhe kontribuon në përmirësimin e punës së SAI-ve, Zyra Kombëtare e Auditimit  e Çekisë ka nisur projektin BIEP (Projekti i Benchmarking dhe Shkëmbimit të Informacionit) i cili do t’u mundësojë SAI-ve të tjera evropiane dhe jo vetëm, që të ndajnë të dhëna të besueshme dhe të krahasueshme dhe shembuj të praktikave më të mira nga fusha të ndryshme të administratës publike. Për të lehtësuar shkëmbimin e informacionit midis SAI-ve, ajo ka ngritur dy baza të dhënash nën ombrellën e GT3 EUROSAI, bazën e të dhënave të auditimeve dhe bazën e të dhënave të produkteve.

SAI çek është një anëtar shumë aktiv në EUROSAI dhe INTOSAI, si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare ku ka përfaqësuesit e tij(p.sh. në ESA (Agjencia Evropiane e Hapësirës) dhe EDA (Agjencia Evropiane e Mbrojtjes)). Që nga krijimi 25 vjet më parë, ai ka mundur të organizojë më shumë se 60 evente ndërkombëtare (konferenca, simpoziume, tryeza të rrumbullakëta, etj.) për tema të ndryshme në fushën e auditimit dhe të zhvillimit të qëndrueshëm të financave publike.

Zyra Kombëtare e Auditimit, duke udhëhequr nëpërmjet shembullit, është institucioni i parë publik që ka publikuar të dhënat e tij në Regjistrin Kombëtar të të Dhënave të Hapura të Çekisë. Ajo publikon rregullisht në faqen e saj të internetit buxhetin e vet dhe kontratat mbi 1, 750 euro që realizon.

Puna e SAI-t çek me auditimet paralele me Gjykatën e Llogarive të Gjermanisë për përmirësimin e qasjes së auditimit në prokurimet publike dhe parandalimin e korrupsionit është me shumë vlera jo vetëm për këto dy SAI të zhvilluara, por edhe për mbarë komunitetin evropian të auditimit dhe ne si KLSH.

Ne kemi një marrëveshje bashkëpunimi me SAI-n çek, të nënshkruar në vitin 2016 dhe synojmë të ndajmë eksperiencat tona në fushën e auditimit me audituesit çekë dhe të përfitojmë prej saj, për të realizuar auditime më cilësore në fusha me interes për ekonominë tonë, sidomos në prokurimet publike, ku SAI çek ka eksperiencë të vyer. Më datat 2-3 gusht 2017, Presidenti i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Çekisë Inxh. Miloslav Kala vizitoi KLSH-në dhe u prit edhe nga Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta. Më datën 2 gusht, Presidenti Kala zhvilloi një leksion me audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit, me temë “E ardhmja e auditimit” dhe trajtoi raste nga praktika audituese, bazuar në një metodologji innovative. “Sa efektiv është Shteti?”, shtroi pyetjen Inxh. Kala në hyrje të leksionit, të cilën e shoqëroi me një video sa groteske po aq të vërtetë mbi burokracinë. “Efektiviteti i Shtetit nuk matet me numrin e vulave apo numrin e letrave”, theksoi ai, duke vënë theksin tek auditimi si një matës i saktë i efektivitetit të Shtetit, por edhe si një zgjidhje për përmirësimin e shërbimeve publike”.

Në vitin 2020, SAI çek do të marrë presidencën e EUROSAI-t me Kongresin e XI-të të EUROSAI-t që do të zhvillohet në Pragë. Projekti i tij “3C-të : Komunikimi, Krahasimi dhe Bashkëpunimi”, si një formë e vizionit për rolin e EUROSAI-t,  i projektuar posaçërisht për presidencën e EUROSAI-t, do të mundësojë një koordinim edhe më intensiv mes SAI-ve evropiane dhe marrëdhëniet mbi bazën e respektit reciprok që kemi vendosur si KLSH me këtë SAI të zhvilluar, do ta ndihmojnë në të ardhmen e afërt institucionin tonë të pozicionohet mirë në bashkëpunimin evropian mes SAI-ve.

xx

në Prishtinë.

Më datën 3 tetor 2018 udhëtuam me një delegacion të KLSH-së për në Prishtinë, pasi më 4 tetor Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës (ZKA) kremtonte 15-vjetorin e themelimit të saj.

Ndonëse institucion i ri për nga mosha, Zyra Kombëtare e Auditimit vlerësohet nga partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë si njëri ndër institucionet më kredibël në vend. Drejtuesi i saj, Audituesi i Përgjithshëm z. Besnik Osmani është një profesionist me përvojë të gjerë në financat publike. Krahas vendosmërisë për të kryer punën audituese në mënyrë të pavarur, ZKA i kushton vëmendje të veçantë edukimit të vazhdueshëm profesional te audituesve të saj dhe zbatimit të standardeve ndërkombëtare ISSAI, si dhe praktikave të mira të auditimit që zhvillohen nga organizatat ndërkombëtare INTOSAI dhe EUROSAI.

Në bashkëpunim me institucionet shteterore që auditon dhe këshillon, ZKA ka zgjedhur një qasje të integruar, e cila i siguron një kendveshtrim te pavarur mbi faktet dhe një perspektivë të fokusuar në përmirësimin e qeverisjes, plotësimin e hendeqeve te sistemit dhe zbatimin e masave korrigjuese.

Bashkëpunimi me palët e interesit është një nga objektivat strategjike të saj, si parakusht për zhvillim cilësor. Gjate viteve te fundit, ZKA i ka kushtuar një vëmendje të veçantë auditimeve të performancës në fusha me interes strategjik, paralelisht me realizimin e auditimeve të rregullsisë të të gjitha organizatave publike. Raporti i performancës së aktiviteteve të ZKA-së, për vitin 2017 është hartuar duke përdorur instrumente të Kornizës së Matjes së Performancës së Institucioneve Supreme të Auditimit . Ai dëshmon për punën e ZKA-së për të rritur besueshmërinë përpara Kuvendit dhe qytetarëve të Kosovës. ZKA ka arritur të përmbushë me sukses të plotë mandatin e saj. Ka arritur të përfundojë brenda afatit dhe në pajtim me ISSAI-t të gjitha raportet e auditimit.  Ka dyfishuar numrin e auditimeve të ndërmarrjeve publike, krahasuar me vitin 2016. Ajo ka kryer per vitin 2017 92 auditime të rregullsisë, 11 auditime të performancës dhe katër auditime të ndërmarrjeve publike.

Në zbatim të parimit “Ngritja e kapaciteteve përmes promovimit të të mësuarit dhe shkëmbimit të njohurive”, ZKA mban kontakte dhe ka zhvilluar marrëdhënie të mira me SAI-t, në veçanti me ato të vendeve të Evropës (Zyrën Kombëtare te Auditimit të Suedisë, NIK-un polak etj.) dhe më gjerë. Ky bashkëpunim ofron mundësi për të shkëmbyer pikëpamjet dhe për të ndarë përvojën audituese me SAI-t e zhvilluara evropiane.

Bashkëpunimi me SAI-t partnere zhvillohet përmes bashkëpunimit bilateral, përmes Rrjetit të Presidentëve të SAI-ve të Rajonit, Komitetit të Kontaktit, INTOSAI-t dhe EUROSAI-t. Edhe pse ZKA është pjesë aktive e këtyre organizatave dhe grupimeve, ZKA në aktivitetet ndërkombëtare përfaqësohet në cilësinë e vëzhguesit, prandaj synimi primar në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar është anëtarësimi me të drejta të barabarta në organizata përkatëse.

Sot ZKA ka një plan strategjik ambicioz zhvillimi 2019-2022, duke përcaktuar tri objektiva themelore:

  1. Të përmbushë misionin kushtetues e ligjor, duke kryer auditime relevante, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISSAI-t);
  2. Të zhvillojë dhe të forcojë kapacitetin institucional për të mbështetur auditimin dhe qeverisjen korporative;
  3. Të zhvillojë dhe të mirëmbajë marrëdhënie të mira me palët e jashtme, duke promovuar auditimin, rritur ndikimin dhe duke u integruar në organizatat globale dhe rajonale të Institucioneve Supreme të Auditimit.

Me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës kemi nënshkruar marrëveshjen e parë të bashkëpunimit në shkurt 2012, me personalitetin e spikatur të auditimit suprem evropian, ish Këshilltar i Lartë i SIGMA-s, z. Lars Lage Olofsson, i cili u caktua nga UNMIK Auditues i Përgjithshëm i Kosovës. Si KLSH dhe si Zyrë Kombëtare e Auditimit të Kosovës, mbi bazën e Nenit 15 të Deklaratës së Limës dhe të motos së INTOSAI-t “Experentia mutua omnibus prodest”, kemi shkëmbyer në këto gjashtë vite e gjysmë eksperiencat e suksesshme nga auditimet tona. Marrëveshjen e rinovuam më 22 nëntor 2016 në Prishtinë me Audituesin e Përgjithshëm të ZKA-së z. Besnik Osmani, të zgjedhur nga Parlamenti i Kosovës, ku firmosëm së bashku edhe Planin e aktiviteteve të përbashkëta për vitet ‎2017-2018.

Marrëveshja dhe Plani i Punës kanë ecur mirë, pasi kemi bashkëpunuar konkretisht, duke marrë pjesë në aktivitetet vjetore dhe ndërkombëtare të njeri-tjetrit, me vizita reciproke pune të audituesve, me kumtesa, artikuj, botime të përbashkëta, etj. Po ashtu, kemi nisur një projekt për auditime të përbashkëta në fusha me interes reciprok si për Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe për KLSH-në.