Të enjten në një takim informal me gazetarët, kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe korrupsionit thënë ndryshe SPAK, Altin Dumani iu përgjigj pyetjeve me interes të lartë publik të drejtuara nga gazetarët e atashuar për çështjet që zhvillohen pranë SPAK. Me një gjuhë të matur dhe përgjigje të shkurtra Dumani i’u përgjigj interesimit rreth çështjeve konkrete ndaj të cilave organi i akuzës ka hetime apo akuza të paraqitura në gjykatë. Në një statistikë të përgjithëshme Altin Dumani tha se: “Në 2023 kemi dyfishuar numrin e hetimeve proaktive. Vetëm për këtë vit ka 68 çështje të nisura kryesisht, duke mbajtur rekordin e 3 vjetëve SPAK. Çështjet të ndara, krim dhe korrupsion. Indiciet janë marrë nga mediat, deklaratat e politikanëve dhe burime të agjentëve të BKH.” Më poshtë, Gazeta Telegraf liston çështjet më kryesore të trajtuara në bashkëbisedimin me gazetarët të kreut të SPAK.
Çështja McGonigal
Për çështjen McGonigal, kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe korrupsionit Altin Dumani konfirmoi regjistrimin e procedimit dhe la të kuptohet se po kryhen hetime, por nga ana tjetër nuk komentoi fazën ku ndodhen dhe nëse ka komunikim apo bashkëpunim me autoritetet amerikane. Altin Dumani u shpreh se: “Ne nuk mund të japim asnjë informacion. Kemi pasur një kallëzues (Gazment Bardhi), e kemi informuar për gjithçka që ka kërkuar por i kemi kërkuar të nënshkruajë mbi ruajtjen e sekretit hetimor dhe të mos bëhen publike”.
Pëgjimet SKY ECC dhe Encrochat
Altin Dumani nuk dha shifra zyrtarësh të përfshirë në përgjime por ai la të kuptohet se janë kryesisht policët ata që kanë dalë nëpër transkriptet e komunikimeve përmes aplikacioneve Encro Chat dhe Sky ECC. Kreu i SPAK tha se pothuajse në çdo material, ka emra të tyre të përfshirë, teksa foli edhe lidhur me çështjen e posedimit të një aparati të tillë, ku qëndrimi i tij nxjerr në pah përplasjen me ministrinë e brendshme që disa javë më parë komunikoi se çdo punonjës policie që i kanë përdorur, duhet të përjashtohet nga strukturat. Mbi këtë Altin Dumani tha se: “Mbajtja e këtyre aplikacioneve nuk përbën vepër penale, jo çdo bisedë që kryhej aty përben shkelje, por nëse ka komunikime që i komprometojnë, atëherë është çështje tjetër që verifikohen e merren masa. Por në çdo hetim na dalin një ose më shumë policë, gjithashtu nuk kanë munguar edhe në radhët e prokurorëve, ju marr shembull rastin që tashmë është publik, Xhevahir Lita”/
Inceneratorët
Pyetjes nëse Mirel Mërtiri e Stela Gugallja po bëjnë përpjekje për të përfituar azil dhe nëse ka veprime lidhur me këtë çështje, kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe korrupsionit Altin Dumani i’u përgjigj duke thënë se nuk ka qëndrim refuzimi kërkese për ekstradimi: “Nuk kemi një komunikim që të na e kenë refuzuar kërkesën e ekstradimit. Ka patur një qëndrim nga partnerët që janë duke u kryer procedurat e ekstradimit të personave në fjalë”, u shpreh kreu i SPAK. Për inceneratorin e Tiranës, Dumani tha se nuk ka fraksion të ndarë, por hetimet vazhdojnë për çdo aktor që ka kryer veprime apo mosveprime, duke mos përjashtuar as kryebashkiakun e Tiranës. Dumani: “Është në fazë hetimesh paraprake që vazhdojnë në drejtim të çdo faktori që mund të kenë kryer veprime penale, apo persona të tjerë që kanë pasur në duar vendimmarrje. Hetimet po bëhen në kuadër të të njëjtit procedim, jo me fraksion (pyetje: edhe ndaj Veliajt). Do sqarohet pozita e secilit, çdo veprim po verifikohet”.
Kallëzimi për Prokurorin Braho

Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe korrupsionit Altin Dumani pranoi se ka nisur të trajtohet kallëzimi i Mirel Mërtirit për prokurorin Klodian Braho ndaj të cilit Mërtiri ngre akuzën e falsifikimit të formularëve dhe dokumenteve shtetërore dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të këtij prokurori. Sipas Dumanit, Mirel Mërtiri e ka dërguar me postë kallëzimin që ka bërë në SPAK ndaj prokurorit Klodian Braho. Dumani u tha gazetarëve se “E kemi marrë kallëzimin me postë nga personi në fjalë. Çështja po trajtohet njëlloj si çdo çështje tjetër me seriozitet të plotë. Askush nuk është imun as në radhët tona përfshirë edhe unë”.
Çështja e Sterilizmit dhe Ilir Beqja

Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe korrupsionit Altin Dumani iu përgjigj edhe interesimit për çështjen e Sterilizimit dhe polemikave që janë përhapur rreth amnistimit të ish-ministrit Ilir Beqaj. Dumani: “Jemi prokurorë, por s’do të thotë të mendojmë dhe arsyetojmë të gjithë njësoj. Kam ndërhyrë me udhëzim detyrues, që në muajin maj kur nuk ishin dhënë masat e para (për Rrjepaj e Rrapaj). Kam shprehur qëndrimin tim në raport me çështjen dhe rolin e ish-ministrit. Prokurorët e çështjes në vijim kanë marrë pjesërisht në konsideratë qëndrimet e mia por edhe të gjyqtarit Bani. Kështu funksionon sistemi, ç’mund të them tjetër”.
Hetimi për Arben Ahmetaj
I pyetur për Arben Ahmetajn, kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe korrupsionit tha se: “Arben Ahmetaj për ne është një person që kërkohet ndërkombëtarisht. S’mund të them asgjë mbi informacionet që kërkoni për vendndodhjen, nuk e ndajmë dot këtu. Ai në raport me SPAK është në kërkim. Është një çështje që po hetohet përditë”.
SPAK dhe Berisha
Sa i takon çështjes Berisha Dumani tha se tashmë çështja i takon gjykatës dhe iu përgjigj avokatët mbrojtës të cilët pretendojnë se duke mos iu drejtuar Kuvendit për masën e sigurisë ‘detyrim me paraqitje’ kanë kryer veprim antikushtetues.“SPAK nuk mund të japë atribute kuvendit, që nuk ia ka dhënë Kushtetuta. SPAK jo vetëm këtë rast por dhe raste të tjera. Kemi vepruar sipas ligjit” ka thënë i prerë Dumani duke shtuar se tani çështja i takon Gjykatës.
Hetimi Kryemadhi – Meta
Sa i përket sekuestrimit ndaj Monika Kryemadhit Dumani tha: “Kontrollet tona janë instrument apo mekanizëm si mjet për të gjetur prova. Sa i takon Metës, është çështje ndaj të cilës po kryhen ende hetime dhe nuk kam një koment.”
Dosja e Gërdecit
Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe korrupsionit pranoi hetimin e një fraksioni tjetër për Gërdecin, e cila është mbledhur në një dosje tjetër. “Është një dosje që po punohet, nuk është dosje e fjetur”, tha ai.
Rasti i Gazetarit Elton Qyno
Dumani u pyet dhe lidhur me hetimet e nisura nga Prokuroria e Posaçme për nxjerrje të sekretit hetimor nga gazetari Elton Qyno. “Nuk mund të raportosh mbi krimin duke bërë krim. Publikimi i një episodi ku janë vjedhur 22 pistoleta nuk ka qëllim të informojë publkun, por ngre dyshime se është për diçka tjetër. Publikimi i këtyre bisedave sensitive sjell përplasje mes grupeve kriminale” tha Dumani.Elton Qyno u mor në pyetje për afro shtatë orë më 13 dhjetor 2023, në Tiranë nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe iu kërkua zbulojë burimet e tij.