Ditëlindja që u kthye në mort. Si ndodhi aksidenti tragjik që u mori jetën dy adoleshenteve

494
Sigal

Detaje te tjera nga aksidenti tragjik qe ndodhi mbrëmjen e së shtunës, ku humbën jetën dy 17- vjeçare, vajzat që shihni në foto dhe u plagosën tre adoleshentë të tjerë.

Drejtuesi i makinës, 18- vjeçari Françesk Shaba, humbi kontrollin e mjetit dhe pasi doli nga rruga, u përplas në një pemë.

Shpejtësia dhe lagështia e rrugës dyshohet të jetë shkak për aksidentin me pasojë vdekjen e dy të rejave, Denada Tarja dhe Suada Serani, ndërsa pas verifikimeve paraprake, Policia konstatoi se Shaba nuk kishte leje qarkullimi.

Kështu, pasditen e djeshme, Policia e Tiranës njoftoi se kishte bërë arrestimin e tij, duke ngritur ndaj 18-vjeçarit dy akuza, atë të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit” dhe “Drejtim të mjetit në mënyrë të parregullt”.

“Lidhur me aksidentin e ndodhur në aksin e vjetër rrugor, Elbasan-Tiranë, ku humbën jetën dy shtetase, në përfundim të veprimeve hetimore nga Seksioni i Hetimit të Aksidenteve Rrugore, në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, u arrestua në flagrancë për veprat penale ‘Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor’ dhe ‘Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt’, shtetasi F.SH.,18 vjeç. banues në Bërzhitë”, njoftoi Policia e Tiranës.

Në makinë po udhëtonin edhe 2 vajza 14-vjeçare, të cilat kanë marrë dëmtime, por aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën. Duke iu referuar dëshmive të para të dhëna për ngjarjen, mësohet se të rinjtë ishin duke u kthyer nga një festë ditëlindjeje.

NGJARJA

Duke iu referuar burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, mësohet se ngjarja ka ndodhur në orën 23:30 të datës 9 nëntor, në rrugën e vjetër Elbasan-Tiranë. Pasi makina ka dalë jashtë kontrollit, është përplasur me një pemë në anë të rrugës, duke shkaktuar vdekjen e dy të rejave dhe plagosjen e tri të tjerëve.

Makina e tipit “Alfa Romeo” është shkatërruar plotësisht, ndërsa drejtuesi, 18-vjeçari që e kishte mjetin e të atit, e drejtonte atë pa një leje qarkullimi.

Në këto kushte, Policia referoi materialet hetimore për Shabën në Prokurorinë e Tiranës për 2 akuza dhe bëri arrestimin e tij.

“Arrestimi i këtij shtetasi u krye pasi më datë 09.11.2019, rreth orës 23:30 minuta, në rrugën e vjetër Elbasan-Tiranë, në fshatin Bërzhitë, duke drejtuar automjetin tip ‘Alfa Romeo’, ka humbur kontrollin e tij duke dalë nga rruga e më pas është përplasur me një pemë.

Si pasojë e këtij aksidenti, kanë humbur jetën shtetaset me inicial D.T., 17 vjeçe, dhe S.S., 17 vjeçe, ndërsa kanë mbetur të dëmtuar vetë drejtuesi mjetit dhe dy pasagjerët shtetasit E.A. dhe O.M., të cilët ndodhen nën kujdesin mjekësor, jashtë rrezikut për jetën.

Nga verifikimi i dokumentacionit, rezultoi se drejtuesi i mjetit shtetasi F.Sh., drejtonte automjetin i pa pajisur me leje drejtimi të grupit ‘B’. Drejtuesi i mjetit u verifikua me aparatin alkool-testues, ku rezultoi se sasia e alkoolit në frymëmarrje ishte 0.17 mg/l. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, njoftoi dje Policia.