Dita e votimit / MAS zbardh shkollat ku do të numërohen votat , ja çfarë do ndodh me procesin mësimor në 52 institucione arsimore

106
Sigal

Ministria e Arsimit ka publikuar një njoftim për të sqaruar sesi do të veprohet me ecurinë e mësimëdhënies në ato institucione arsimore, të cilat do të shërbejnë si qendra të Numërimit të Votave në 61 bashkitë e vendit.

Në njoftim paraqitet një listë e detajuar mbi masat e marra gjatë periudhës që një pjesë ose të gjitha ambientet e 52 shkollave do të shërbejnë si VNV.

Aty nënvizohet se në 24 shkolla nuk do të cënohet procesi mësimor dhe 28 shkolla të tjera do ta vazhdojnë mësimin pasdite në shkollat pranë tyre ose do t’i zëvendësojnë orët pas përfundimit të procesit zgjedhor.

Ministria e Arsimit informon se në DRAP Lezhë nga 12 shkolla që do të jenë VNV (Vend i Numërimit të Votave), në asnjërën prej tyre nuk cënohet procesi mësimor.

Ndërsa në DRAP Korçë janë 7 shkolla VNV (Vend i Numërimit të Votave), ku në 4 prej tyre nuk cënohet procesi mësimor, në 3 të tjerat do të zhvillohet pasdite në shkolla të tjera afër tyre, ose do t’i zëvendësojnë më pas ditët e humbura.

Sakaq, në DRAP Fier janë 10 shkolla VNV (Vend i Numërimit të Votave), në 5 shkolla prej tyre nuk cënohet procesi mësimor, ndërsa në 5 të tjera do bëhet mësim pasdite në shkollë tjetër ose ditët do të zëvendësohen më pas.

Edhe në DRAP Durrës janë 23 shkolla VNV (Vend i Numërimit të Votave), ku në 3 shkolla nuk cënohet procesi mësimor, ndërkohë që 20 të tjerat do ta zhvillojnë pasdite mësimin, në mjedise të shkollave pranë tyre.