Detaje nga vrasja e dyfishtë në Elbasan/ Autorët qitës profesionistë të maskuar me paruke

222
Sigal

Vrasja e dyfishtë në Elbasan, ku humbën jetën Ardian Çollaku dhe Lulzim Bitri dyshohet është kryer nga dy persona, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri tip “Tomson” dhe pistoletë në drejtim të viktimave.

Euronews Albania mëson se pjesë e atentatit kanë qenë tre persona, të cilët ndodheshin brenda makinës tip “Volvo”, por vetëm dy prej tyre kanë hapur zjarr ndaj viktimave.

Autorët dyshohet se kanë përdorur paruke për t’u kamufluar, ndërsa mësohet se automjeti ka lëvizur edhe më herët në zonë për të lokalizuar viktimat.

Qitësit dyshohet se janë vrasës profesionistë me pagesë për shkak se janë treguar mjaft preciz në eliminimin e Çollakut dhe Bitrit, duke mos lënduar personin e tretë që ndodhej pranë tyre në momentin e atentatit.
Në automjetin “Volvo” që u dogj në fshatin Balldre, policia gjeti në brendësi edhe një kallashnikov që nuk është përdorur në ngjarje.

Grupi hetimor i ngritur për vrasjen e dyfishtë ka administruar edhe pamjet filmike të karburantit ku ndodhi ngjarja.

Pista kryesore e ngjarjes së rëndë mbetet e shkuara me ngarkesë kriminale e viktimave.

Për Lulzim Bitrin, krahas lidhjeve të afërta me Talo Çelen, po hetohet dhe mundësia e një hakmarrje, pasi i vëllai i tij ka dyshime se ka qenë vëzhgues në vrasjet e Endrit Alibejt, Arben Dylgjerit dhe një shtetasi turk.

Sakaq për Ardian Çollakun dyshimet lidhen me përfshirjen e tij si person në dijeni për vrasjen e Everest Cakës në 11 maj të 2021.