Denoncimi i Nonda Kajno: Kadastra e Korçës e korruptuar, mban peng pronat dhe ndërron titujt e pronësisë

417
Sigal

Kadastra na ndërroi titullin e pronësisë në kundërshtim të hapur me ligjin

Pronat e dy të tjerëve i mbivendosi mbi pronën tonë, pa asnjë bazë ligjore

 

Vepror Hasani

 

Ne, si familje Kajno prej 9 trashëgimtarësh të një prone nga gjyshja jonë, pasardhëse e një prej familjeve më të mëdha dhe më të hershme në qytetin e Korçës, – shpjegon kompozitori i mirënjohur Nonda Kajno.  “Kemi në pronësi dy sipërfaqe toke, njëra prej 10,000 metra katrorë, tjetra prej 15,000 metra katrorë (troje). Prona jonë është e konfirmuar edhe nga një vendim i Gjykatës së Faktit Korçë nr.157 datë 02.02.1999, dhe nga një vërtetim i Arkivit të Këshillit të Rrethit të vitit 1945, ku saktësohet se: “…këtë sipërfaqe e ka patur në pronësi ish-pronarja Mitevice (Eleni) Kajno”. Pronat e mësipërme na u njohën nga Këshilli i Rrethit Korçë, nga Komisioni për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave ish-pronarëve. Dokumenti nr.168, mban datën 28.05.1999. Në këtë dokument me objekt njohje pronësie shkruhet: “Komisioni, pasi kontrolloi dokumentacionin e paraqitur, konstatoi se ai ishte i plotë dhe konformë kërkesave të ligjit Nr.7698, datë 15.04.1993 “për kthimin dhe kompesimin e pronave ish-pronarëve dhe akteve të tjera nënligjore”. Pronare e pronave të sipërcituara ishte Mitevica (Eleni) Kajno, e vërtetuar kjo edhe nga arkivi i rrethit ku tekstualisht shkruhet: “Sipërfaqen e ka patur në pronësi ish-pronarja Mitevicë (Eleni), Kajno”. “Kufizimet e kësaj sipërfaqeje: saktëson më tej dokumenti në fjalë, janë: Veri –Rrugë, Jugë-Përrua, Lindje – Gaqo Papadhopuli, Perëndim Nikollaq Duro. E gjitha ndodhet brenda vizave kufizuese të qytetit të Korçës në gjendje të lirë”. Falë këtij dokumentacioni të plotë Komisioni i Kthimit të Pronave na njohu pronarë. Edhe sot e kësaj dite, kufizimet janë po ato, pra nuk ekziston asnjë dilemë ku ndodhet prona jonë dhe kush janë 9 bashkëpronarët e familjes Kajno. Pronën e saj, gjyshja jonë Mitevica, na i dhuroi me testament.

Sorollatje që nga viti 2006

Fillimisht do të flasim për pronën prej 10,000 metra katrorë, vijon shpjegimin Nonda Kajno Andrallat për këtë pronë nisën në vitin 2006, kur për pronën e dhuruar nga gjyshja jonë, Mitevica, (bashkëshortja e gjyshit Miti Kajno), deshëm të merrnim certifikatë pronësie, por që nga ajo ditë e deri më sot, kemi përjetuar vetëm sorollatje, humbje kohe dhe shqetësim pa fund, sepse Kadastra e Korçës nuk e njeh të plotë pronësinë e sipërfaqes që kemi përshkruar më sipër sipas Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ndodh kështu, sepse korrupsioni nuk ka të ndalur as sot e kësaj dite. Askush nuk mban përgjegjësi. Askush nuk dënohet. Drejtorët ndërrohen, por gjendja mbetet po ajo që ishte; përmirësime nuk ka. Më konkretisht, për mosnjohjen e pronës tonë u shfrytëzua një deklaratë e lëshuar prej meje, më 18 shtator 2006, me kërkesë të Elsa Dishnicës, (trashëgimtare e Gaqo Papadhopulit), e cila më kërkoi të deklaroja që mes meje dhe asaj, si pronarë kufitarë me njeri-tjetrin, nuk kishim konflikte, dhe ne u paraqitëm tek noterja. Në këtë deklarim mori pjesë edhe Kristaq Kafexhiu dhe Pandeli Face. Në deklaratën e lëshuar para noteres Vasilika Proko, pranë Dhomës së Noterëve Korçë, u nënshkrua ky deklarim: “Ne: Elsa Dishnica, Kristaq Kafexhiu Pandeli Face e Nonda Kajno jemi kufitarë në një sipërfaqe trualli ndodhur në qytetin e Korçës në zonën kadastrale 8562 para ish-kampit të punëtorëve dhe deklarojmë se nuk kemi pretendime ndaj njeri-tjetrit mbi pronësinë e kësaj sipërfaqeje trualli”.

Mashtrimi

Por këtu dua të theksoj fort një gjë: Unë nuk e dija ku ishin pronat e Kristaq Kafexhiut dhe Pandeli Faces, sepse deri në këtë moment ne nuk kishim mbivendosje mbi pronën tonë, sipërfaqja jonë prej 10,000 metra katrorë ishte e pastër dhe me askënd nuk kishim konflikte. E gjitha kjo, (kërkesa e deklarimit), ishte një mashtrim nga ana e tyre, sepse tashmë e di që prona e Kafexhiut dhe e Faces, prej 800 metra katrorë ndodhet prapa ish-Kampit të Punëtorëve dhe jo para ish-Kampit të Punëtorëve ku ndodhet prona jonë (e Kajnove). Mashtrimi ishte i pastër, kjo ishte dhe arsyeja që pas marrjes së deklaratës  ata qëndruan një vit në heshtje, pa kryer asnjë veprim në Kadastrën e Korçës.

Këtu nisi korrupsioni

Kadastra ndryshoi titullin e pronësisë

Pra, një vit pas lëshimit të kësaj deklarate noteriale, trashëgimtarët e Gaqo Papadhopulit u paraqitën pranë ZVRPP Korçë duke kërkuar regjistrim të dytë për sipërfaqen prej 2,000 metra katrorë, por këtë herë të pozicionuar ndryshe nga sa përcaktohet në vendimin e KKKP, nr 149 datë 15.04.1999. Çuditërisht, kjo kërkesë e trashëgimtarëve të Gaqo Papadhopulit u pranua nga ZVRPP Korçë, falë një urdhëri të brendshëm nr. 007988  të lëshuar nga Vladimir Kiço, punonjës i Kadastrës Korçë. Prona prej 2,000 metra katrorë e Elsa Dishnicës, (trashëgimtare e Gaqo Papadhopulit), u mbivendos mbi sipërfaqen e pronës tonë prej 10 mijë metra katrorë, – rrëfen më tej Nonda Kajno, – bazuar mbi deklaratën time ku unë nuk thosha asgjë konkrete për konfigurimin dhe pozicionimin e pronave tona. Veç sa më sipër, zyra në fjalë, pati guximin të marrë përsipër ndryshimin e një titulli pronësie të vlefshme siç është Vendimi i Komisionit nr.149 datë 15.04.1999 të KKKP, me qëllimin e vetëm që trashëgimtarëve të Gaqo Papadhopulit, t’u ripozicionohej prona prej 2,000 metra katrorë. Kjo iniciativë e guximshme e punonjësve të ZVRPP Korçë, në kundërshtim të hapur me ligjin, cënoi rëndë interesat pasurore të 9 trashëgimtarëve të familjes Kajno. Gjithashtu, kjo zyrë, sillej krejt ndryshe me familjen tonë, edhe pse kishim aplikuar për pajisje me certifikatë pronësie, prej ZVRPP Korçë nuk morëm përgjigje edhe pse kishim paguar tarifën përkatëse sipas listës së miratuar nga ZQRPP.

Akte korruptive

Mbivendosja e kryer nga Kadastra e Korçës, ishte një veprim më shumë se absurd, sepse kufijtë e pronës tonë janë të përcaktuara nga Komisioni i Kthimit të Pronave dhe të deklaruara zyrtarisht. Madje edhe te planimetria e pronës së Elsa Dishnicës, (trashëgimtare e Gaqo Papadhopulit), hartuar prej seksionit të Urbanistikës nga ing. Roland Raco dhe skicim të inxhinierit A. Drabo, jepen këto kufij: Veri-Rrugë. Jugë-Përroi. Lindje-Rrugë. Perëndim – Mitevice-Kajno. Planimetria dhe skica i referohen hartës së vitit 1937 e cila mbetet pikë referimi për qytetin e Korçës. Pra, Elsa Dishnica është në kufi me pronën tonë dhe jo në brendësi të pronës tonë. Veç sa më sipër, z. Vladimir Kiço nuk duhej ta kishte ndërmarrë një hap të tillë, (mbivendosjen e pronës së Elsa Dishnicës mbi pronën tonë), sepse pavarësisht nga deklarimi im, kjo deklaratë do të ishte e vlefshme vetëm nëse firmosej edhe nga 8 bashkëpjestarët e pronës së gjyshes tonë Mitevica Kajno, por tashmë gjithçka është e qartë, atyre u duhej vetëm një deklaratë noteriale, të tjerat i zgjidhnin vetë. Gjithashtu, Elsa Dishnica, Kristaq Kafexhiu, Pandeli Face dhe unë nënshkruam që jemi kufitarë dhe nuk kemi konflikte, por nuk nënshkruam për ekstremitetet apo ndonjë të dhënë tjetër topografike, as për pozicionimin dhe konfigurimin e pronave dhe as për saktësimin e kufijve të përbashkët të pronave tona.

Deklarata ime u shfrytëzua brutalisht

Deklarata ime, ku thoja “nuk kemi konflikte”, u shfrytëzua brutalisht jo vetëm nga Gaqo Papadhopuli, por edhe nga Kristaq Kafexhiu. Edhe pse prona e këtij të fundit (Kristaq Kafexhiut), ndodhet në pjesën e prapme të ish-Kampit të Punëtorëve Korçë, Kadastra e Korçës e mbivendosi mbi pronën tonë, e cila siç e kemi theksuar edhe më sipër, ndodhet në pjesën para ish-Kampit të Punëtorëve. Sërish hartimi i skicave u bë nga Vladimir Kiço. Që nga koha kur nisi kjo histori mashtrimi me një deklaratë të pafajshme dhe të sinqertë nga ana ime, sepse deri atëherë ne nuk kishim patur konflikte pronësie, e deri më sot nuk kemi gjetur asnjë zgjidhje, sepse Kadastra e Korçës mund të ketë fuqi për ndryshim të titujve të pronësisë dhe askujt të mos i hyjë gjemb në këmbë, por nuk ka asnjë fuqi t’u vijë në ndihmë njerëzve që kanë te drejtë dhe duan të gëzojnë pronat e tyre. Aktualisht kemi problem edhe me një sipërfaqe toke prej 15,000 m2, por tashmë na duhet ende kohë të marrim frymë prej padrejtësive që nuk kanë të sosur, sepse drejtësia në Shqipëri ende nuk funksionon, është një tmerr i vërtetë,- përfundoi rrëfimin e tij, kompozitori i mirënjohur Nonda Kajno, pasardhës i një prej familjeve më të mëdha e më të hershme të Korçës.