Denar Biba i “Konkurencës” vulos vetëm 220 mijë euro gjoba në vit karteleve dhe oligopoleve që fitojnë miliarda

10
Sigal

Reagon Buxhuku: Shifër qesharake për realitetin e hidhur, institucionet vegjetojnë formalisht dhe konsumojnë paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Kryetari Denar Biba, me sa duket falë lobimit të oligarkëve është kthyer në ombrellën e monopoleve dhe e pazareve për kontrollin e tregjeve. Çmimet janë më të larta se në vendet e rajonit

Autoriteti i Konkurrencës, institucioni që duhet të garantojë konkurrencën e lirë, tregjet dhe të luftojë monopolet, është kapur nga mafia e oligarkëve në Shqipëri, që kanë monopolizuar tregje dhe shërbime. Kryetari Denar Biba, i emëruar në dhjetor të vitit 2021 në krye të Autoritetit të Konkurrencës, mesa duket falë lobimit të oligarkëve është kthyer në ombrellën e monopoleve dhe e pazareve për kontrollin e tregjeve.Në raportin e Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2023 nuk janë evidentuar shkelje domethënëse e ligjit. Në total gjatë gjithë vitit të kaluar janë vendosur 5 gjoba me vlerë rreth 220 mijë euro.

Eksperti i ekonomisë, Gjergj Buxhuku, thotë se kjo është një shifër qesharake në raport me realitetin e hidhur që shohim të gjithë çdo ditë. Në mënyrë të veçantë, Buxhuku tha se këtë e shohim në tregun e karburanteve dhe atë të sigurimeve.“Ne i paguajmë karburantet më shtrenjtë se vendet e rajonit. Cilësia e karburanteve është shumë e dobët. Kemi problem me tregun bankar, tregun e sigurimeve. Kemi ose kartele ose monopole ose oligarkë.   Tregu i karburanteve ka 1.5 miliardë xhiro vjetore. Ka ndikim jashtzakonisht të madh në të gjithë sektorët e tjerë. Situata është vërtet e vështirë dhe kjo duket te elasticiteti i tregut. Kur në tregjet botërore bien çmimet, në tregun tonë reflektohet me vonesë. Por nëse rriten, rritja këto është brenda sekondave. Kjo tregon prani të karteleve. Ne të gjithë e dimë se çmimet e karburanteve në Shqipëri mbeten nga çmimet më të larta.

Ne kemi nevojë për një ripërtëritje totale institucionale. Në tregun e sigurimeve në Shqipëri kemi shfaqjen më të qartë të karteleve dhe oligopoleve. Mjafton të shkoni të bëni siguracionin në një X kompani. Çmimet janë fiksuar dhe ti do ta bësh siguracionin jo ku dëshiron ti, po ku të lejon karteli. Çuditërisht, këtë nuk e evidenton Autoriteti i Konkurrencës. Ne jemi ende në fazën e parë. E shikoni që janë 200 mijë euro gjoba, një shifër qesharake për një realitet kaq të hidhur. Në momentin që ti nuk e evidenton këtë nuk mund të bësh asgjë, sepse po thua që situata është e mirë. Mungon vullneti politik që ekonomia të vendoset në shina. Kur vetë ekzekutivi nuk e ka këtë vullnet, imagjino çfarë ndodh më tej.” – tha Buxhuku .

Buxhuku tha se në Shqipëri, institucionet janë thjesht formale dhe legjitimojnë deri në tallje një realitet jashtëzakonisht të rëndë. Ai solli rastin e tregut të mallrave të konsumit, ku çmimet janë më të larta se në vendet e rajonit, madje në disa raste edhe se në vendet e BE-së.

“Në çdo vend të botës Autoriteti i Konkurrencës është një nga institucioneve më të rëndësishme, shtyllë e ndërtimit të shtetit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Gjobat në botë llogariten me miliarda. Në Shqipëri, ku ekonomia është e mbyllur, shikojmë një institucion konkurrence, i cili gjobat i llogarit me miliarda euro. Kur shikon që gjobat janë në nivel kaq të ulët janë dy mundësitë: ose ti je një shtet perfekt ose nuk bën asnjë punë, pra je konsumator i parave të taksapaguesve dhe vetëm kaq.

Në praktikë ne shikojmë që, le të marrim kontrollet në tregje. Çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë ndjeshëm më të larta jo vetëm sesa ato të rajonit, por edhe të BE. Marrim tregjet e tjera. Produkti i konkurrencës është të ofrosh një shërbim ose mall me cilësi më të mirë dhe çmim më të ulët. Por te ne kjo nuk ndodh.

Këtu institucionet janë thjesht formale, konsumojnë paratë e taksapaguesve shqiptarë. Edhe në vende demokratike me institucione të konsoliduara, vënë gjoba në dhjetëra miliona dhe miliarda euro jo vetëm kompanive të thjeshta, por gjigantëve të tregut. Përfundimisht, me këto gjoba qesharake, me një situatë kaq të rëndë, janë institucione që vegjetojnë. Legjitimojnë deri në tallje një realitet jashtëzakonisht të rëndë.

Nëse marrim rastin e blegtorëve, sipas vlerësimeve që kemi bërë. Nuk kemi direkt problem të mungesës së konkurrencës. Kryesorja vjen nga politikat tregtare tërësisht të gabuara që shteti shqiptar ka sot në fuqi. Pra, duhet kuptuar a kemi fenomene të tipit dumping, pra subvencionon disa në mënyrë që të mposhtësh konkurrentët. Ky fenomen është i pranishëm dhe kjo është shkelje e të gjitha parimeve të tregtisë së lirë.  Praktikisht, konkurrentët e t’u në tregti që duhet t’i respektojnë këto rregulla, i shkelin ato.” – u shpreh eksperti i ekonomisë.