Demian Mrishaj -Më mirë “non grata” sesa pa dinjitet

41
Sigal

Nga Biora Vojka

“Marrim një bretkosë. Nëse e fusim direkt në ujë të valuar, instinktivisht ajo do të reagojë. Nëse e lëmë vetëm dy minuta në fillim, pastaj dy minuta të tjera e kështu me radhë, bretkosa nuk e kupton më si duhet të jetë uji. Kështu kanë vepruar edhe me ne këto 30 vjet. Pak nga pak na e kanë hequr luksin e të protestuarit dhe reagimit.”

Me një filxhan çaji në dorë, Demian Mrishaj, e nis kështu bisedën pas këmbënguljes për të dhënë një intervistë. Shtatlartë, kureshtar, zë i fortë dhe autoritar, ky është një tjetër djalosh i njohur, sidomos gjatë katër viteve të fundit, në protestat qytetare të organizuara në Tiranë. Ka rënë në sy në çështjet e hapura kundër kryetarit të bashkisë së Tiranës, në protestat e studentëve dhe në kauza të tjera të mëdha, në fund të të cilave, sipas tij, ka pasur rezultate. Asgjë nuk ka shkuar kot. Janë arritur disa të drejta dhe ka ende të tjera beteja për të fituar.

Prej vendosmërisë për të mos hequr dorë nga e drejta për të protestuar, Demiani ka sakrifikuar karrierë, kohë, mund e shumë shpesh edhe shqetësimin e nënës së tij. “Nëse nuk do të merreshe me këto çështje vullnetarisht, do të kishe një punë më të mire se në restorant”, i përsërit e ëma sa herë sheh të birin të përkushtuar plotësisht në një çështje të re sociale.

Ndoshta nëna e Demianit ka të drejtë. Të jesh i përmendur si djali i cili i “nxori bojën” kryebashkiakut, nuk është fort e lehtë. E si për ironi të fatit, bashkia është një nga institucionet ku profesioni i Mrishaj “Punë Sociale”, është i kërkuar, por edhe pse aplikoi për punë  dhe i plotësonte kriteret, nuk u pranua. Në dukje e kanë shpallur “non grata” që prej publikimit të videos ku i doli boja propagandës me efektivitetin e kartës së studentit , që thuajse është jofunksionale,  nuk përfiton ulje çmimi, dhe ku i vetmi shërbim ku ndihet reduktimi i çmimit është aboneja për transportin urban. Studentë janë përkatësisht mbi 100 mijë, abone rreth 11 mijë, pra absurditet.

Demiani është djalosh i guximshëm dhe nuk do të bëj hapa pas. “S’kam ndonjë periudhë  kohore të caktuar, besoj se nëse do më jepej mundësia, do të aktivizohesha përherë, është detyrim moral… ”, thotë me bindje në atë dialektin prej tropojani, pa hequr dorë nga dëshira për një provokim të vogël për mua.

“Patriot”, ia kthej me bindjen e një njeriu që ka të drejtë. Demiani pohon me kokë me një qetësi që hera-herës më intrigonte, sidomos kur bëhej fjalë për arsimin dhe protestat që vijnë nga një reagim i fortë qytetar.

Kështu për t’i ardhur në ndihmë kësaj kauze, përfshihet në një punë disaorëshe në ditë, duke lëvizur në terren për të pikasur problematika të studentëve me aktivistë të tjerë nga “Lëvizja për Universitetin”. “Me anë të një peticioni mundëm të eliminonim pagesën për listën e notave, kështu dy herë në vit është falas”, tregon me krenari një nga arritjet e lëvizjes qytetare. Me nota humori thotë se edhe një llambë të prishet, do të ikim ta rregullojmë. Të kërkosh të vendosësh veten para sfidave të reja është gjithmonë një mësim i vyer. Mrishaj jep një rast tipik teksa thotë se: “Para protestës së studentëve mendoja se Shqipëria nuk do të bëhet, por kur protesta tregoi se për gjënë më të vogël po u ngrit populli, dridhet qeveria, opozita, dridhet kushdo që nuk është dakord me hallin tonë, ndizet shpresa”.

Pra ka shpresë? Pra protesta mund të zgjidhë gjithçka, janë pyetjet që më mundojnë. “Kush nuk është i qetë nga barku, nuk është i qetë as nga mendja”, thotë Damiani. Por, për fat të keq ne nuk kemi kulturë proteste. Kur Franca i ka prerë kokën mbretit, ne kemi qenë të pushtuar nga osmanët, pra nuk mund të krahasohemi me popuj të tjerë që kanë kulturë në këtë drejtim. Historia është treguar e padrejtë me shqiptarët”.

Pa kulturë proteste, një shoqëri e zhytur në kaos. Si përkthehet kjo në sytë e një djaloshi, protagonist të lëvizjeve qytetare, si Demiani?

“Janë lëvizje që rregullojnë, por kanë edhe kosto të lartë. Protestuesit i kapin, i fusin në makinë, pa numër identifikimi, mund të jenë edhe kriminelë, një dhunë policore që i shkon për shtat vetëm një regjimi fashist, pasi është tipar i tij vendosja e diktatit me anë të forcës dhe dhunës”, shpjegon ai, teksa mimika në fytyrë i ndryshon dukshëm.

Vijon me një nënqeshje si për të ironizuar gjendjen e nis të tregojë situatën ku ndodhen shpesh nënat që shesin në trotuar dhe u rrëmbehen nga duart produktet që kanë sjellë me mundime nga rrethet.

Bashkimi bën fuqinë është një nga shprehjet steriotipe të djaloshit, i cili e ilustron me protestën e studentëve të vitit 2018, kur falë përkushtimit dhe vendosmërisë me mbushjen e shesheve kryeministri, shkarkoi 9 pjesëtarë të kabinetit.

Tani mund të thuhen shumë gjëra, por protesta bëri që të shkarkohen 9 ministra nën maskën e reformimit të qeverisë, diçka që s’kishte ndodhur më parë, dhe nga “ju jeni ngelësa”, erdhi te fjalia “ejani të bisedojmë” , shprehet Demiani gjithë nota krenarie.

Në një shoqëri si kjo shqiptare duket se gjithçka është e lidhur me politikën. A e sheh Demiani veten këtu pas disa vitesh?

“Të paktën me këto mendime që kam tani as nuk e mendoj fare, se nuk besoj se  zgjidhja vjen nga politikanët, aq më tepër nga një individ”, thotë ai.

Gjeografia nuk ka qenë as lënda e tij e preferuar, megjithatë në lojë futen dhe territore të largëta në hark kohor dhe fizik.“As nuk e pres zgjidhjen nga Amerika ose Europa, siç mund të pretendojnë shumë. Zgjidhjen e pres nga populli, sepse situatën nuk është se po e vuan Amerika, edhe sikur ta ketë dëshirën e mirë për të ndihmuar. Për hallet e popullit tonë, mund të flasim vetëm ne që i kemi përjetuar çdo ditë dhe jo dikush nga  Honoluluja”, shton duke qeshur.

A e quan të kryer misionin e tij Demian Mrishaj? Jo! Do të vazhdojmë ta shohim në krye të turmave dhe protestave, me qëllimin e mirë për të ndërtuar një shoqëri të shëndetshme përmes zërit të pakompromis që gjithmonë reagon.