Deklarata e padenjë e një ministreje / I shpalli me probleme psikologjike të rinjtë që protestojnë

327
Sigal

Në këtë vend mund të jesh për Psikolog nëse proteston, kurse nëse vjedh paranë publike nderohesh. Të pamatur do ta quaja në rastin më të mirë deklaratën e Ministres së Arsimit, sepse në thelb ajo ishte stigmatizuese. Ministrja nuk mund ta bënte pa dashje një gabim të tillë. Nuk ishte një lapsus, por tregon sesa i thellë është problemi i raportit që ka Rilindja me qytetarët, sesa e zvetnuar është ndjeshmëria e tyre ndaj problemeve sociale të këtij vendi. Unë me këto fjalë nuk po përpiqem të justifikoj askënd që nuk ka ditur të kontrollojë veten apo që e ka zbrasur zemërimin te prona pubilke, por e kam te këndvështrimi kritik i përqasjes ndaj qytetarëve.

Individët me integritet do të duhej të mbanin qëndrime ndaj shumë dukurive që hasim në përditshmërinë tonë, pavarësisht nga edukimi apo përkatësia politike. Ata që kanë zgjedhur të ngjyejnë në tortën e pushtetit në këmbim të heshtjes, janë të pabesueshëm. Deklarata e padenjë e Ministres, prej vetëm pak muajsh në detyrë, dëshmon se sa më madhe hisja e pushtetit aq më i madh duket hendeku me të vërtetën dhe interesin publik. I shpalli me probleme psikologjike të rinjtë që protestojnë, duke lënë të nënkuptohet se të ngresh krye ndaj një padrejtësie të pushtetit mund të kesh probleme mendore. Nuk e di pse mu kujtua regjimi i shkuar, ku disa individë që dilnin hapur kundër tij, përfunduan nëpër pavione psikiatrike?!

Orvatja për ti veshur shpjegime të paqena zemërimit popullor në protestat e ditëve të fundit nga Rama dhe të tjerët, tregon fare qartë se ata kanë vetëm një qëllim: mohimin e situatës aktuale. Dinakërisht, ata po mundohen ta shesin zemërimin të instrumentalizuar, të drejtuar apo të “çakorduar” duke dashur ta zhbëjnë protestën popullore dhe duke dashur të fshehin të keqen e vërtetë, që në thelb ka të bëjë me keqqeverisjen. Kjo sjellje dhe këto qëndrime jo vetëm që nuk i kontribuojnë paqes sociale, por ato e ndezin akoma më shumë situatën dhe thellojnë krizën sociale, ekonomike dhe politike ku është zhytur vendi.
Fundja o Ministre, po të them një slogan të shëndetit mendor: “nga afër askush nuk është normal”!

Nga Gentian Çala