Dalan BUXHELI/ 5 Maji dita përkujtimore e njerëzve të pavdekshëm

749
Sigal

 Lufta e partizanëve e gjaku i dëshmorëve çliruan vendin, dhe e renditën Shqipërinë me kampin e fitimtarëve

Të flasësh e të shkruash për luftën dhe për dëshmorët sot, në epokën e integrimit e të globalizimit, është sakrilegj i secilit prej nesh për vlerat dhe veprat e tyre si pjesë përbërëse e historisë sonë. Ne kemi një ditë në vit, 5 Majin, si festë përkujtimore për dëshmorët. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ligj është e përcaktuar një javë në vit, nga data 25 deri 31 Maj dhe kjo quhet “Java e Dëshmorëve”. Gjatë kësaj kohe bëhen festime të organizuara në të gjitha shtetet dhe qytetet të këtij vendi, me programe shtetërore si dhe me pjesëmarrjen e subjekteve politike e shoqërore dhe të institucioneve të artit e kulturës. Është java më e bukur, më e ngjeshur me veprimtari në Amerikë, ku angazhohen të gjithë qytetarët, të rinj e të vjetër. 5 Maji tek ne, është përkujtuar që në 1945 fill pas çlirimit të vendit dhe që festohej me madhështi, e organizuar dhe drejtuar nga organet shtetërore sot. Zyrtarët e të gjithë niveleve janë të zënë me probleme vetjake dhe nuk u del koha të angazhohen për festimin e 5 Majit, ndonëse e kanë detyrë ligjore. Duke përkujtuar 5 Majin, ne nderojmë jetën dhe veprën e dëshmorëve, të asaj lufte që bashkoi gjithë popullin shqiptar, pa dallim feje dhe ideje në një front të vetëm. Promotori i kësaj alternative, u bë brezi i ri i asaj kohe, përforcuesi i të cilës ishte i riu mëndje ndritur e guximtar Qemal Stafa, i ri në moshë e largpamës në ide, i njomë nga trupi e i çeliktë nga morali, i ndjeshëm nga shpirti dhe i ashpër e i paepur përballë fashistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Qemal Stafa do të bëhej një simbol i përjetshëm i heroizmit dhe vetëmohimit, një pishtar i pashuar i idealeve të lirisë, të progresit, të drejtësisë dhe të emancipimit të gjithanshëm të popullit shqiptar, për të cilat ëndërronte ai dhe brezi i tij. Duke përkujtuar 5 Majin si Ditën e Dëshmorëve, na jepet rasti të nderojmë dëshmorët e të gjitha kohërave, gjithë atyre që luftuan me armë në dorë për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, si dhe për mbrojtjen e saj. Historikisht është vërtetuar se patriotët shqiptar, në çdo kohë nuk kanë luftuar për poste e për të shpëtuar lëkurën e tyre, por kanë sakrifikuar dhe jetën për të vetmin qëllim, shpëtimin e kombit… Në luftën e 1920-s në Vlorë, kundër forcave italiane, as Selam Musai, as Rrapo Çelo, as Osman Haxhiu apo Zigur Lelo e Rexhep Sulejmani e qindra patriotë të tjerë nuk menduan për ofiqe, por për të çuar deri në fund atë mision që kishin marrë përsipër, dëbimin nga trualli ynë të pushtueseve. Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare, si më masivja nga pjesëmarrja dhe e shtrirë në të gjithë Shqipërinë, kishte qëllime dhe objektiva të qarta, si brenda dhe jashtë vendit, si një luftë e përbashkët antifashiste. Ajo tregoi vlera të mëdha historike  dhe e vuri Shqipërinë në radhën e vendeve të mëdha të aleancës, për dhënien e kontributeve të rëndësishme gjatë 5 vjetëve lufte deri në shembjen përfundimtare të makinës….. nazifashiste të larë me gjakun e pastër të 28 mijë dëshmorëve të atdheut. Kur themi mbrojmë historinë, kemi parasysh kemi parasysh dy anët e saj, ndaj duam që kjo histori të mbrohet, të mos deformohet apo të tjetërsohet, sepse për t’u shkruar ajo, u desh të derdhej shumë gjak. Duke e parë realitetin në sy, ashtu siç ndodhi, si zhvillohet e vlerësohet, do të thosha se historia e një populli nuk mbyllet kurrë si e tillë, ajo mbyllet si një etapë e një etape të caktuar e një ngjarjeje dhe pas saj vjen një tjetër etapë me të tjerë njerëz, ngjarje me të tjera probleme e zgjidhje. Kështu historia vazhdon rrugën e saj.  Ajo çka sot përbën një problem shumë të mprehtë në gjithë shoqërinë shqiptare, është tendenca e ndryshimit, e deformimit apo dhe fshirja e një periudhe historike siç është Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare. Për këtë problem nuk kanë asnjë të drejtë …. Mercenarë e politikanët anti-shqiptar. Është e pafalshme, siç nuk mohohet parasysh, fakti, që Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore, u la me gjakun e 28 mijë dëshmorëve, që i bie një i vrarë në çdo kilometër katror. Dëmet e shkatërrimet ekonomike ishin nga më të mëdhatë në botë krahasuar me popullsinë dhe terrorin. Gjatë periudhës së luftës 1939-1945, Shqipëria përballoi dy pushtues të huaj, italianët dhe gjermanët dhe u radhit krahë më krah me aleancën antifashiste në një kontribut të madh në planin ushtarak e politik. Për këtë ka marrë dhe vlerësimet e merituara. Në vendin tonë kanë ndodhur trauma që nuk kanë të krahasuar me asnjë vend tjetër demokratik, siç është shkatërrimi i varrezave të dëshmorëve, muzetë, lapidarët e pllaka përkujtimore, ndërsa organizata jonë ja pati bërë prezente këtë gjendje skandaloze ish- qeverisë së Sali Berishës, nuk u bë asnjë investim për restaurimin e tyre. Qeveria që iku nuk mund të restauronte varrezat e dëshmorëve që i shkatërroi vetë. Ata si qëllim kanë mohimin e Luftës, duke e quajtur atë Luftë Civile, të ulin luftëtarët e vërtetë të lirisë dhe të ngrenë tradhtarët për të larë turpin e tyre historik, tradhtinë e tyre si bashkëpunëtorë të pushtuesve nazifashistë. Vazhduan me hapjen e emrit “Dëshmorët e 4 Shkurtit” në Tiranë, hoqën “5 heronjtë e Vigut” nga qendra e qytetit, hoqën emrin e Vojo Kushit nga Universiteti i Sporteve në Tiranë, hoqën emrat e dëshmorëve e heronjve nga shkollat sheshet e institucionet në mbarë vendin dhe në vend të tyre vendosën emra kriminelësh, si: Halil Alia, Shefqet Verlazi, Bektash Cakrani, Osman Kazazi, Ahmet Zogu, Hamit Matjani etj.. Në kuadrin e 70- vjetorit të çlirimit të vendit si ngjarje më e madhe në historinë kombëtare të Shqipërisë. Organizata jonë, që mbron vlerat e dëshmorëve dhe familjeve të tyre, e angazhuar për të festuar në mënyrë dinjitoze këtë festë, ka marrë masat e nevojshme për evidentimin dhe vlerësimin e nevojave për riparimin dhe mirëmbajtjen e varrezave të dëshmorëve të atdheut, i është përcjellë këshillit të ministrave që në fillim të këtij viti preventivin e përgatitur nga historianë, asistentë etj.. Me qëllim ridimensionimin dhe rivlerësimin e veprës së dëshmorëve, të cilët me veprën e tyre të pavdekshme bënë të mundur Shqipërinë e pavarur. Në tërësi gjendja e 36 grup-varrezave të ngritura në gjithë vendin, janë të rrënuara dhe kanë nevojë për ndërhyrje. Shumica e grup-varrezave nuk kanë rrethim dhe ndriçim. Po kështu mungon shtiza e flamurit bashkë me flamurin kombëtar, sheshet dhe muret mbajtëse e pritëse janë të dëmtuara. Mungon gjelbërimi dhe furnizimi me ujë. Përmendoret që ndodhen me shumicë në grup-varreza si dhe dhomat tip muze ose të shërbimit në hyrje të tyre, janë të dëmtuara dhe të shkatërruara totalisht. Vlera e shpenzimeve për restaurimin dhe riparimin,në preventiv është llogaritur në dy variante: Rikonstruksion me mermer, kap shumën prej 462.982.292 lekë, ndërsa varianti i dytë, rikonstruksion me granit llogaritet prej 688.307.966 lekë. Është verifikuar gjithashtu gjendja e përmendoreve kryesore që i përkasin periudhave të ndryshme historike. Një pjesë, e cila ka nevojë për ndërhyrje rikonstruktuese, vlera e përafërt, e cila është 7.680.000 lekë. Vandalë, shpirtzinj, të nxitur nga ndjenja anti- shqiptare, nuk kanë kursyer as varret e figurave të njohura, si të, Bajram Currit, Vaso Pashës, Luigj Gurakuqi e Çerçiz e Bajo Topulli, Çajupit, Pandeli Sotiri. Bustit të Ismail Qemalit i ishte fshirë emri. Kanë përdhosur shumë buste e përmendore me vlera historike. Ja pra, ky është nderimi dhe vlerësimi që u bëhet në Shqipëri dëshmorëve të atdheut… Ndjekin rrugën e baballarëve të tyre, që kryen masakrat më barbare si ajo e Kosovës, 4 Shkurti në Tiranë, në Pezë, Kuç, Vranisht, Mallakastër, Berat, Bytiç Hormovë, Skrapar, Çiflik, Ravonik, për krimet e kryera, trupi dhe tradhtia sundon mbi … zogistët që spiunuan dhe pushtuan qytetarë të pafajshëm. Kjo është një njollë e madhe e zezë, që do të rëndojë gjithmonë për krimet e tyre në shërbim të pushtuesve. Me të drejtë shtrohet pyetja, ku është dora e shtetit që lejon në shekullin 21 shkatërrimin e varrezave të dëshmorëve? Kjo që ka ndodhur nuk duhet të ndodhë më. Por, që të mos të ndodhë në të ardhmen, duhet vetëdijshmëri moralisht e kombëtarisht dhe së dyti të gjithë autorët vandalë që dalin si lugetër, duhet të vihen në pranga e të marrin dënimin e merituar. Duke u përcjellë mesazhin brezave të ardhshëm, se dhe ata kanë nevojë për simbole, të cilët në shembullin e tyre i frymëzojnë ata të duan atdheun dhe t’i shërbejnë atij dhe me jetën po të jetë nevoja.