Dako: Urdhri i prerë, të prishen 210 ndërtimet pa leje në Durrës!

752

Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë së Durrësit dhe Policia Bashkiake kanë nisur kontrollet në të gjithë qytetin bregdetar, për ndërtimet e bëra pa leje nga individë të ndryshëm. Inspektorët e Ndërtimit të mbështetur edhe nga Policia Bashkiake kanë njoftuar pronarët e tyre për prishjet e ndërtimeve pa leje të kryera gjatë kësaj periudhe. Muaji shtator do të jetë deçiziv për të gjitha ndërtimet pa leje në qytetin e Durrësit. Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë ka nisur evidentimin e tyre dhe paralel me evidentimin janë fadromat që prishin objektet e ndërtuara pa leje. Bregdeti i Adriatikut vijon të mbetet i masakruar nga ndërtimet e shumta, të cilat i kanë transformuar plazhet në një kantier ndërtimesh. Në sezonin turistik, në zonat bregdetare të Durrësit ndërtimet pa leje u kthyen në një shqetësim për pushuesit vendas e turistë të huaj. Shumë objekte janë ndërtuar fare pranë bregut të detit, mbi brezin e rërës, duke shkelur jo vetëm kushtet e urbanistikës për zonat turistike, por edhe duke ngushtuar hapësirat publike. Në zonat turistike, përveç ndërtimeve të reja, në det është ndërhyrë duke ndërtuar mole, apo edhe objekte  të tjera. Në Durrës ndër vite numërohen mbi 210 ndërtime pa leje, të ndërtuara kryesisht në zonat bregdetare që nisin nga Golemi në drejtim të plazhit të Currilave. Por së fundmi kjo shifër është rritur edhe më shumë, pasi të tjera ndërtime janë në proces, në zonat turistike të Durrësit.

Reagimi

Për “Telegraf”, titullarët bënë me dije se, shumë shpejt në Durrës Bashkia do të nisë prishjet e ndërtimeve pa leje, që kanë zaptuar pronat publike, në të gjithë qytetin. Janë me dhjetëra raste të tilla të denoncuara pranë Inspektoratit Ndërtimor nga vetë qytetarët e Durrësit. Aksioni do të vijojë dhe ditët e ardhshme në zonat e tjera të qytetit, pa lënë pas dore dhe objektet e paligjshme që janë ndërtuar pranë monumenteve arkeologjike. Për këtë të fundit po hartohet një projekt nga bashkia me qëllim për një ndërhyrje sa më efikase, kryesisht në zonat turistike, të cilat mbeten mjaft problematike për qytetin e Durrësit.