Një sezon i dështuar. Fekalet mbytën plazhet, që u boshatisën nga pushuesit

1097
Sigal

DURRËS/ Në det derdhet gjithçka që nga kanalet e ujërave të zeza, vajrat, por edhe mbetje të tjera

Sezoni veror në Durrës ka shënuar edhe ditët e fundit të tij. Pjesa më e madhe e pushuesve janë larguar dhe në këto ditë të para të shtatorit, biznesi është duke bërë bilancet e një sezoni të dështuar, ekonomikisht, nxehtë, me problematika dhe shqetësime serioze, të cilat pa frikë këtë vit i kanë vënë kapakun.

 Biznesi

Në plazhin e Durrësit rreth 60% e aktiviteteve hapen nga biznesmenë të Kosovës dhe Maqedonisë, të cilët para turistëve vijnë me traditën e tyre të gatimit dhe kuzhinës. Mevlen Preteni menaxher hoteli deklaron se të ardhurat shënuan rënie në masën prej 70%, këtë sezon veror. “Pritshmëria ka qenë shumë e madhe, mirëpo numri i prenotimeve në hotele ka qenë jo më pak se 50% i numrit të pushuesve që frekuentuan një vit më parë bregdetin durrsak. Menjëherë pas datës 31 gusht e mbyllëm aktivitetin”, tha Preteni nga Vushtrria e Kosovës. Një tjetër biznesmen tha: “U përballëm me mjaft vështirësi dhe një sërë problematikash, duke nisur nga papastërtia, imazhi i keq, por ndikim shumë të madh pati edhe kriza që ka prekur vendet fqinjë, pushuesit këtë vit ishin më të varfër dhe në Durrës nuk gjetën çfarë ata kërkonin, kështu që janë larguar për në plazhet e jugut. Problemet, të cilat duhet të zgjidheshin, nisin nga infrastruktura në plazh dhe ndotja e madhe në bregdet. Nëse do të ishin zgjidhur këto probleme dhe  çdo investim të ishte bërë në kohë, edhe të ardhurat do të ishin më të mira”,- tha ai.

 Hotelet

Hotelierët bëjnë me dije se është i papërfillshëm numri i kërkesave për muajin shtator. Këtë vit pati jo vetëm rënie drastike të të ardhurave, por nuk janë mbuluar edhe kostoja e shpenzimeve, sepse nuk pati pushues. Ata që erdhën shkuan në banesa me qira, ku nata shkonte 7 Euro. Është shifër qesharake.

Problematika

Situata më e rëndë përsa i përket ndotjes së detit është në plazhin e Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit në Durrës. Për çdo mbrëmje në det shkarkoheshin ujërat e zeza të të gjithë subjekteve të zonës, ndërsa gjatë ditës uji ndryshonte ngjyrë. Për të ardhur keq, sesi së bashku privatë e shtet ndikuan në dështimin e një sezoni turistik. Prej disa vitesh ujërat e zeza të një milion njerëzve (banorëve vendas dhe pushues) derdhen në një hapësirë të ngushtë nga Plepat e deri tek Përroi i Agait. Masakra ambientale bëhet akoma më alarmante, nëse mendon se pak kilometra më në veri të Durrësit Hidrovorët e Porto-Romanos dhe të Hamallajt derdhin në det edhe ujërat e zeza të krejt zonës rurale. Në det derdhet gjithçka që nga kanalet e ujërave të zeza, vajrat por edhe mbetje të tjera. Duket se më e prekura nga ky fenomen është Shkëmbi i Kavajës dhe komuna e Golemit. Në Golem janë aktive 300 subjekte tregtare, që nga hotelet luksoze, e deri tek fast- food-et më të rëndomta, por të gjithë tregtarët ankohen në Komunë duke deklaruar refrenin: “Nëse bregdeti do të ishte më i pastër, fitimet nga turizmi do të ishin disa herë më të larta”.

 DSHP: Ndotja 10 herë më e lartë se norma

Sipas Drejtorisë së Shëndetit Publik Parësor në Durrës për periudhën e muajit gusht rezultoi se rreth 60% e sipërfaqes së bregdetit është e ndotur tej normave të lejuara. Në sektorët “Teuta”, “Iliria”, si dhe në zonat e Shkëmbit të Kavajës, Golemit, Currilave dhe Hidrovorit, është vënë re një prezencë mikrobike e streptokokëve dhe e stafilokokëve në një sasi 10 herë më të lartë se normativa e lejuar nga Organizata Botërore e Shëndetit. Prezenca e lartë mikrobike është përgjegjëse për disa sëmundje të lëkurës, alergji, të vjella apo diarre e deri tek dizenteria.

Aksionet e Mjedisit një dështim i madh për zonën turistike

Aksionet e mjedisorëve të ndërmarra në pikun e sezonit veror, të cilët hapën kanalet e ujërave të zeza në mes të pushuesve, bënë që jo vetëm imazhi i plazhit të degradojë, por brenda ditës të gjithë pushuesit që janë ndodhur prezent në plazh të largoheshin. E si të mos mjaftonte e gjithë kjo katrahurë, këto aksione vetëm sa prishën imazhin e turizmit, sepse tubat vazhdojnë të shkarkojnë në det mbetjet dhe asnjë masë konkrete nuk u ndërmor. Nëse bregdeti do të ishte më i pastër, është e qartë se fitimet nga turizmi do të ishin disa herë më të larta.