Çuçi transferon tek peshkatarët e Durrësit menaxhimin e Portit të ri të Peshkimit

554
Sigal

Ministri i ri i Bujqësisë Bledi Çuçi dorëzoi tek peshkatarët e Durrësit Portin e ri të Peshkimit, një investim ky i përfunduar pak kohë më parë.

“Një ëndërr e kahershme e peshkatarëve të Durrësit sot u bë realitet. Porti i ri Peshkimit u transferua te Organizata e Menaxhimit të Peshkimit. Sot e tutje janë vetë peshkatarët që do të menaxhojnë këtë investim të ri. Përlotja dhe emocionet e Qemal Beut, kryetarit të OMP Durrës, teksa unë po i dorëzoja urdhrin e transferimit dhe marrëveshjen me ministrinë, ishte një moment domethënës për të kuptuar të gjithë sesa i nevojshëm është ky port për ta. Tani do të ketë shërbime më të mira dhe ulje të burokracisë shtetërore”, tha ministri Çuçi.

Gjatë takimit me ata ai evidentoi edhe njëherë mbështetjen e qeverisë për sektorin e peshkimit, si dhe prezantoi disa programe të tjera zhvillimi që pritet të nisin gjatë këtij viti.

“Pasi zgjidhëm problemin e karburantit për peshkimin dhe bëmë zero TVSH-në për 27 zëra doganorë që kanë lidhje me këtë sektor, do të vijojmë mbështetjen me të tjera lehtësi dhe programe zhvillimi. Është një histori suksesi edhe skema mbështetëse e AZHBR për peshkimin e pelagjikëve të vegjël, në masën 20 lekë për/kg e cila solli një rritje të ndjeshme të zënieve të açuges nga anijet shqiptare. Muajin e ardhshëm fillojmë projektin e BE me 1.4 milion € për mbështetje deri në masën 50% për investime në bordin e anijeve të peshkimit. Po kështu në kuadër të projektit me Cooperazione Italiana, do të vijnë në Shqipëri, inxhinierë ndërkombëtarë për përgatitjen e projekteve të ndërhyrjeve në port”, u shpreh ministri i Bujqësisë.

Sektori i peshkimit është një nga sektorët me rritjen më të shpejtë në Shqipëri. Viti 2018 rezulton me rritje të ndjeshme të eksporteve në 39.5 % në volum. (në vlere 16.3 %, është pak më e vogël, pasi ka ndikuar zhvlerësimi i €). Sa i përket markatave të peshkut, brenda 3-4 muajve të ardhshëm përfundon e Shëngjinit. Më pas vijohet me Vlorën e Sarandën. Objektivi ynë është gjithashtu edhe ulja e peshkimit të paligjshëm dhe formalzimi i peshkimit të vogël artizanal bregdetar. Ndryshimet ligjore janë në kuvend për miratim dhe menjëherë pas kësaj do të fillojmë rregullimin e këtij sektori. Ndërkohë brenda 6 mujorit të parë të këtij viti, me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, anijet mbi 12 metra do të pajisen me sistemin e ri blue-box me qëllim që bregdeti të kontrollohet më mire ndaj peshkimit të paligjshëm.