COVID mbyll përkohësisht ’15-katëshin’, hotelin simbol në Tiranë!

287
Sigal

’15 katëshi’ në kryeqytet ka mbyllur për herë të dytë brenda vitit dyert për klientët. Situata e krijuar nga pandemia e COVID-19 ka shkaktuar shumë humbje dhe ndaj është marrë serish ky vendim ekstrem.

Gjatë gjithë kësaj periudhe “Tirana International” mbajt hapur me humbje të mëdha, pasi kostot janë shumë të larta.

Kjo mbyllje është e përkohshme dhe gjatë kësaj periudhe stafi do të përfitojë asistencën sociale sipas ligjeve në fuqi, me shpresën e rikthimit në punë me përmirësimin e situatës.

Tirana International Hotel, një hotel simbol në kryeqytetin e Shqipërisë, ka përfunduar së ndërtuari në 1979 në një stil arkitektonik sovjetik. Në vitin 2001 hoteli u rinovua nga një kompani italiane dhe tani është një hotel me 4 yje. Tirana International ka 168 dhoma në 15 kate.

Për shkak të krizës më herët është mbyllur edhe aktiviteti në Tiranë i Hotel Hillton, i cili kishte pak më shumë se një vit aktivitet në vendin tonë. Rrjeti prestigjioz global i hotelerisë “Hilton Garden in” erdhi në Shqipëri në shtator të vitit 2018. “Hilton Garden Inn” ishte marka e parë ndërkombëtare që hyri në tregun shqiptar pas largimit të “Sheraton” në fund të vitit 2017 i cili la pas një shije të hidhur.

Kujtojmë se që prej marsit, situata ka qenë shumë e rënduar në sektorin e hotelerisë në vend. Sektori i hotelerisë në vendin tonë është në kulmin e investimeve dhe zgjerimit, por kriza e shkaktuar prej COVID-19 e ka vështirësuar këtë proces.