Covid-19 në Spanjë/ Regjistrohen 102 viktima në 24 orë, në vend shpërthejnë protestat

349
Sigal

Spanja regjistroi 102 viktima nga koronavirusi brenda 24 orësh, shifra më e ulët që nga 18 marsi, katër ditë pasi vendi kishte nisur izolimin total.

Numri i vdekjeve një ditë më parë ishte 138. Në total, në Spanjë janë regjistruar zyrtarisht deri tani 27.563 viktima nga virusi i ri.

Numri total i rasteve të konfirmuara zyrtarisht në Spanjë shkon në 230.698, me një rritje prej 539 rastesh që nga dita e djeshme. Ministria e Shëndetësisë tha megjithatë se jo të gjitha këto janë raste të reja, por janë pikasur falë rritjes së testimeve. Më shumë se 146 mijë persona janë shëruar nga koronavirusi në Spanjë.

Por ndërkohë në vend kanë shpërthyer protestat kundër qeverisë për mënyrën se si e ka trajtuar situatën e koronavirusit.

Sipas El Pais, protestat po mbahen kryesisht në Madrid për të gjashtën ditën me radhë.

Edhe mbrëmjen e shkuar pati protesta, ndërsa forcat policore ishin të shumta për të siguruar distancimin social.

Në rrugë, demonstruesit godisnin tenxhere dhe tiganë, duke brohoritur: Liri!

Shumë të tjerë kanë bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit, Pedro Sanchez.