KLSH paralajmëron Veliajn: Pezulloni shembjen e Teatrit Kombëtar ose …

418
Sigal

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rekomanduar pezullimin e vendimit të bashkisë së Tiranës për të shembur godinën e Teatrit Kombëtar deri në pritjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Shkresa e firmosur nga kryetari i Këshillit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, i drejtohet bashkisë dhe i rekomandon kryebashkiakut Erion Veliaj të tërhiqet nga vendimi mbi shembjen godinës së Teatrit Kombëtar.

Në shkresë bëhet me dije se Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim kërkesën e presidentit Ilir Meta për të shfuqizuar ligjin special që i hap rrugë shembjes së Teatrit kombëtar dhe ndërtimit të kullave në pronën publike, dhe rekomandohet që të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të marrë në shqyrtim paraprak kërkesën e presidentit të Republikës për të shfuqizuar ligjin special që i hap rrugë shembjes së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të kullave në pronën publike dhe mbi këtë bazë u ka kërkuar Kuvendit, Këshillit të Ministrave Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës të japin argumetet mbi hartimin dhe miratimin e këtij ligji special.

KLSH përpiqet që të ruaj dhe të parandalojë kryetarin e bashkisë dhe këshillin bashkiak të Tiranës nga veprimet dhe vendimmarrjet e pabazuara ligjërisht dhe mungesës së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, gjë që mund të sjellë pasoja të rënda financiare dhe sociale” – thuhet në shkresën e KLSH-së.

Pika e fundit thotë se në rast se prishet Teatrit Kombëtar, “pasojat e veprimeve dhe mosveprimeve të zyrtarëve dhe institucioneve që do të burojnë nga vendim-marrjet e padrejta, në kushtet kur Gjykata Kushtetuese të shprehet se do t’i konsiderojë të kundërligjshme dhe të gabuara, do të trajtohen nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit si dëm me pasoja të rënda për interesat ekonomike të shtetit dhe do të kërkohet dëmshpërblimi përkatës”- thuhet në shkresë.

Në shkresën, e cila mban datën 14 maj, ditën kur Këshilli Bashkiak firmosi me anë të e-malit edhe vendimin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, i rekomandohet kryetarit të bashkisë të pezullojnë të gjitha veprimet dhe vendim-marrjet në lidhje me pasurinë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar” në zonën kadastrale 8150, Tiranë, deri në dhënien e një vendimi përfundimtar nga ana e Gjykartës Kushtetuese, shkruan Fax News.

Po ashtu Kontrolli i Lartë i Shtetit nëpërmjet këtij rekomandimi kërkon që të shmangë dëmtimet si të pasurisë kombëtare të parikuperueshme në të ardhmen, ashtu edhe të fondeve publike që mund të vijnë nga veprimet e njëanshme nga të zgjedhur dhe organet e pushtetit vendor, para efekteve juridike të vendimit të Gjyaktës Kushtetuese lidhur me këtë çështje.

Në rekomandime shtohet se Kontrolli i Lartë i Shtetit do të ndjekë me vëmendje të shtuar këtë çështje në zbatim të funksioneve kushtetuese për auditimin mbi përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore nga organet e pushtetit qendror dhe atij vendor.

“Për sa më lart, Kontrolli i Lartë i Shtetit, bazuar në Ligjin nr.154/2014 dhe Standardet Profesionale të Auditimit, për të vlerësuar rregullshmërinë e këtij procesi dhe shqyrtimin e vendim-marrjes mbi respektimin e dispozitave ligjore dhe nëligjore në fuqi nga titullarët dhe organet e zgjedhura apo të emëruara, do të rishikojë planin vjetor, të auditimeve për të fshirë kryerjen e këtij auditimi me përfundimin e disa angazhimeve audituese të ndërmarra kohët e fundit në Bashkinë e Tiranës”- thuhet në përfundim të shkresës.