Coronavirusi i Aviacionit Civil Shqiptarë

660
Sigal

Nga Petrit Sulaj, ish-Drejtori Përgjithshëm i ANTA

Në këto ditë të vështira për shkak të situatës pandemike me “corona-virus”, kemi dëgjuar me dhimbje situatën problematike të krijuar për ekonominë e vendit. Situatë tejet e vështirë është krijuar sidomos në fushën e aviacionit civil ku situata duket krejt e pashpresë, megjithëse Ministrja e Transportit në intervistën e ditës së sotme, theksoi se megjithë rënien deri në masën 80%, kjo veprimtari do e rimarri shumë shpejt veten.

Nuk e dimë se nga e nxjerr shifrën 80% Zonja Ministre, por të dy operatorët Ajrorë Shqiptar i kanë reduktuar aktivitet në masën 100% duke krijuar humbje të parikuperueshme për shkak të kostove fikse për qera avioni, mirëmbajtje, siguracion dhe pagesa të stafit.

Rimëkëmbja e transportit ajror nuk mund të ndodhi me hamendësime të pabazuara për bum fluturimesh në periudhën pas karantinës, sepse ka një zinxhir faktorësh që lidhen me këtë lloj transporti. Theksojmë se operatorët ajrorë janë burimi i të ardhurave dhe për të gjithë sektorët e tjerë të Aviacionit që u shërbejnë atyre. Nëse situata me operatorët ajrorë është e kuptueshme sepse ata varen tërësisht nga kapitali privat dhe konkurrenca në treg, është e pakuptimtë mungesa e vëmendjes dhe mbështetjes nga shteti për këtë aktivitet me impakt shumë të madh publik.

Po kështu në situatë tejet të vështirë paraqitet ndërmarrja shtetërore Albcontrol. Nëse deri dje kjo ndërmarrje i kishte të ardhurat të siguruara për shkak të trafikut ajror vetëm në rritje, sot gjenden në 1 situatë të mungesës së likujditeve për shkak të zerimit të trafikut ajror në vendin tonë.

Kjo ndërmarrje kur u certifikua ndërkombëtarisht rreth 8 vite më parë me 6 standarde ndërkombëtare të cilësisë së shërbimit, një nga kushtet që duhet të plotësonte ishte egzistenca e planit të emergjencave për kushtet e fatkeqësisë natyrore, apo siç është dhe gjendja që po kalojmë.

Sipas këtij plani në atë kohë, ishte parashikuar një fond vjetor për emergjencat, i cili duhet të vihej në dispozicion në raste të tilla emergjence, në mënyrë që të sigurohej vazhdueshmëria e shërbimit, mirëmbajtja e kondicionit teknik të aparaturave të kontrollit të trafikut ajror dhe pagat e stafit të specializuar.

Shënojmë faktin se stafi i Aviacionit në përgjithësi kërkon kosto të madhe përgatitje për shkak të specifikave dhe kërkesave tejet të larta ndërkombëtare të Aviacionit. Në kushtet e sotme kur Albcontrol është tejmbushur me staf jashtë kritereve dhe kur jemi në kushtet e një fatkeqësie natyrore, ata e kanë gjetur veten të papërgatitur për këtë situatë dhe në pamundësi financiare të plotë për të paguar kontrollorët e trafikut ajror dhe personelin inxhiniero teknik.

Lind pyetja përse një gjë e tillë, kur Albcontrol e ka pasur burimin e të ardhurave të garantuar dhe sipas planit të biznesit duhej të ndante për çdo vit fondin parashikuar për raste të tilla. Ndoshta është rasti që Qeveria e Shqipërisë, Ministria e linjës duhet të rikthejnë vëmendjen e tyre për mënyrën e përdorimit të të ardhurave nga ndërmarrjet publike në Pronësi të saj sepse një situatë e tillë financiare krijuar me Albcontrol nuk tregon vetëm keqmenaxhim, por dhe shpërdorim pa kriter të fondeve.