CEZ po vjedh qytetarët me mbështetjen e qeverisë

531
Sigal

INTERVISTA/Flet eksperti për energjinë elektrike Gjergj Simaku, abuzimet e CEZ-it

Eksperti i energjisë elektrike Gjergj Simaku, abuzimet e kompanisë CEZ, ndaj konsumatorëve shqiptarë i cilëson shumë të rënda. Duke folur në një intervistë për “Telegraf”, zoti Simaku ka theksuar se, kjo kompani ka marrëveshje me qeverinë dhe nuk mund ti dalësh dot përpara. Ndërkohë që, përsa i përket rolit të Entit Rregullator të Energjisë, zoti Simaku ka theksuar se, roli i saj nuk është aspak i dukshëm. Sipas tij, duhet një protestë, pavarësisht se, qytetarët e kanë ngritur zërin e tyre, pavarësisht se, grupet e interesit e kanë ngritur zërin e tyre, tek e fundit qeveria i bën punët me ligj.

-Zoti Simaku, si i cilësoni abuzimet e CEZ që po bën ndaj konsumatorëve shqiptarë,  si abuzimet me faturat, ndërprerja kolektive e energjisë etj.?

Kjo kompani ka marrëveshje me qeverinë dhe nuk mund ti dalësh dot përpara. I del dot përpara qeverisë? Jo, atëherë dhe kjo është pjesë e qeverisë dhe as kësaj nuk i del dot përpara. Ajo i ka lidhur interesat e veta me qeverinë.

-Pra, ju thoni që CEZ i ka lidhur interesat e saj me qeverinë, ku e bazoni këtë?
Po sigurisht, përderisa ajo rregulloi çmimin në mes të vitit, pas një negociate të dy kryeministrave konkretisht midis atij shqiptar dhe atij çek. Kjo është pjesë e pazarit. Kështu që, tani e mban nën sqetull qeveria CEZ-in tani, kështu që ajo është kompani qeveritare, nuk është kompani e huaj.

-Roli i Entit Rregullator të Energjisë sa produktiv u duket në këtë mes?

Enti Rregullator i Energjisë, është një organizëm i varur nga qeveria dhe për mua zëre se nuk ekziston. Ajo merr vendime të varura, jo të pa pavarura.

-Çfarë rruge duhet të ndjekin qytetarët për të ndalur abuzimet që bëhen çdo ditë në dëm të tyre nga CEZ-i?

Qytetarët nuk kanë ndonjë lloj organizimi të posaçëm për ta bërë një gjë të tillë. Por së pari qytetarët duhet të kuptojnë së pari që organizmi që i mbron ato ose mbrojtësi i konsumatorit që është Enti Rregullator i Energjisë, duhet të vendoset mbi një reformë të vërtetë të pavarësisë së tij. Ai nuk duhet të vendoset mbi bazën e konjukturave të tij politike, por mbi bazën e konjukturave ekonomike. Ajo duhet të vendoset në rolin e një kompanie private që funksionon në mënyrë të rregullt mbi bazën e rregullave të tregut kapitalist. Kjo është e para dhe deri sat a kuptojë këtë konsumatori do të jetë shumë vonë mendoj unë. Po ashtu konsumatori shqiptar nuk ka qenë ndonjëherë i organizuar në këtë fushë. Po ashtu edhe shoqëria civile nuk është ngritur ndonjëherë në këtë fushë. i vetmi kontribut që japim jemi ne që mund të themi ndonjë fjalë më tepër, por konsumatori shqiptar nuk e kupton që po abuzohet me ligj. Pra të gjitha abuzimet që po bëhen janë tërësisht kundër konsumatorit shqiptar. Të tëra ligjet që janë miratuar pa votat e opozitës janë abuzuese dhe nuk kanë konsensusin e popullatës dhe ato janë ligje që janë abuzues. Pastaj po të shkojmë më tutje përderisa Enti Rregullator i Energjisë nuk e mbron këtë konsumator nuk ka kush ta mbrojë tjetër. Nuk ka gjykatë që ta mbrojë, përderisa zbatohet ligji i bërë në mënyrë abuzive. Kështu që CEZ-i e ka të hapur rrugën me një marrëveshje rregullatore 3- vjeçare, duke mos bërë investime në fushën e energjisë. Po ashtu së fundi unë lexova që qeveria do të nxirrte një ligj për të zbatuar një titull ekzekutiv jo vetëm në shitje por edhe në blerje.

-Më konkretisht çfarë do të thotë ky vendim që keni lexuar ju?

-Kjo do të thotë që më ke apo të kam një faturë duhet patjetër që të ma paguash. Kjo është një pjesë tjetër e aktit që do të bëjë qeveria lidhur. Po marr një rast tek ujësjellësi, qeveria vetë i jep lekët dhe ato vetë ja marrin qeverisë me aktet përmbarimore që nxjerrin.  Qeveria  vetë ja hapë rrugën që t’ja marri lekët e veta. Kjo është më interesantja.

-Opozita në deklaratat e saj është shprehur se me ardhjen në pushtet do të anulojë të tëra kontratat konçesionare të dhëna në mënyrë abuzive, ku përfshihet edhe CEZ. A është i mundur anulimi i tyre?

E para opozita nuk mund të anulojë të gjitha marrëveshjet konçensionare. Opozita do të mbajë një qëndrim kritik ndaj marrëveshjeve konçensionare. Por marrëveshjet konçensionare kanë një bazë ligjore të cilat janë e drejtë e qeverisë që është në pushtet. Marrëveshja mund të përmirësohet, mund të rregullohet, por jo të anulohet. Abuzimet janë në dritën e diellit dhe në mënyrë ligjore dhe po ashtu do të ndreqen po në mënyrë ligjore. Unë nuk besoj se opozita do të ketë fuqinë e duhur për ti çbërë marrëdhëniet konçensionare. Ajo që dua të them unë është se marrëdhëniet konçensionare, sidomos këto marrëdhëniet për hidrocentralet e vogla do të prishin tokën shqiptare. Këtu kam parasysh se hidrocentralet e ndërruat nëpër lumenjtë e vegjël do të prishin, florën, faunën etj. Këto janë konçensionare dhe duhet të shikohen, madje po shikohen që tani vetë nga ata që i kanë firmosur.

 

 

Protestat duhen bërë masive

Normalisht duhet një protestë, pavarësisht se qytetarët e kanë ngritur zërin e tyre, pavarësisht se grupet e interesit e kanë ngritur zërin e tyre, tek e fundit qeveria i bën punët me ligj. Është një mënyrë tjetër abuzimi me konsumatorin. Vendoset një ligj përpara, gjykatat vendosin siç do qeveria, pra nuk kemi të bëjmë me një situatë të rregullt të funksionimit të një sistemi të tregut. Kjo është një situatë për mendimin tim amorfe dhe do një zgjidhje të mirë, ashtu siç e kanë edhe vendet e tjera të rajonit në sistemin e energjisë dhe më gjerë. Këto vijnë si shkak i mosorganizimit të qytetarëve dhe moszbatimit të ligjeve në mënyrë të rregullt.