Vodhën në 12 biznese të ndryshme në Tiranë e Durrës, dy në pranga, një i proceduar

62
Sigal

Policia e Tiranës ka zbardhur 12 raste vjedhjesh, ndërsa ka vënë në pranga dy persona dhe një tjetër është proceduar penalisht.Sipas Policisë, këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur në biznese të ndryshme në Tiranë dhe Durrës.

Njoftimi i policisë: 

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, operacioni policor i koduar “Serial”. Vodhën në biznese të ndryshme, në Tiranë dhe në Durrës, vihen në pranga 2 shtetas, procedohet penalisht bashkëpunëtori i tyre.

Zbardhen dhe dokumentohen 12 vjedhje të kryera nga këta shtetas. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, pas informacioneve të marra në rrugë operative për disa shtetas që vidhnin në biznese, në Tiranë dhe në Durrës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Serial”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve F. Sh., 19 vjeç dhe R. T., 20 vjeç, të dy banues në Kombinat, si dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi E. B., për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

Nga verifikimet e kryera dhe provat e grumbulluara ka rezultuar se këta shtetas janë autorë të dyshuar të disa vjedhjeve të ndodhura në Tiranë dhe në Durrës, konkretisht:

– Më datë 29.09.2022, në Tiranë, në bulevardin “Migjeni”, gjatë natës, dyshohet se kanë vjedhur me forcë një shumë parash, në një farmaci;

– Më datë 28.09.2022, në Durrës, gjatë natës, dyshohet se kanë vjedhur në 3 biznese, në 1 farmaci dhe në 2 lokale;

– Më datë 24.09.2022, në Tiranë, gjatë natës, dyshohet se kanë vjedhur në 3 biznese, dy prej tyre në rrugën “Muhamet Deliu” dhe njëri në rrugën “Jordan Misja”;

– Më datë 17.09.2022, në rrugën “Preng Bib Doda”, dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash, në një biznes në pronësi të shtetasit A. Ç.;

– Në muajin qershor, në Ndroq, Tiranë, dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash, në një furrë buke.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.