Bushati: Konkluzionet e BE-së pikë orientimi për prioritetet kyçe

574
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka përshëndetur konkluzionet e Këshillit të Ministrave të BE-së për Shqipërinë. Nëpërmjet një deklarate për mediat Bushati thotë se konkluzionet konfirmojnë arritjet e evidentuara në raportin e KE si dhe vendosmërinë e qeverisë për intensifikimin e reformave.
“Këshilli ka vlerësuar progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve për hapjen e negociatave për anëtarësim, veçanërisht në reformën e administratës publike dhe masat e ndërmarra në përgatitje të reformës së sistemit të drejtësisë. Roli aktiv i Shqipërisë në rajon si dhe linjëzimi i plotë me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, evidentohen si asete të vyera të politikës sonë së jashtme,” shprehet Bushati.
Më tej ai thotë se Rekomandimet e Komisionit Europian, të mbështetura edhe nga konkluzionet e Këshillit të Ministrave të BE-së, do të jenë pikë orientimi e politikës shqiptare në plotësimin e prioriteteve kyçe drejt hapjes së negociatave për anëtarësim, ku reforma në drejtësi është e një rëndësi parësore. 
Sigal