Braktisja e Onkologjikut tek QSUT/ Mashtrimi i ministres Manastirliu me ilaçet për të sëmurët me kancer. Kush i merr çdo vit 150 milion 137 euro

1115
Sigal

Ku shkojnë 210 milionë euro që është buxheti vjetor për Shëndetësinë Publike, kur në spitale nuk ka ilaçe?

Mashtrimi i ministres së Shëndetësisë, Manastirliu me ilaçet për të sëmurët me kancer

Jakup B. GJOÇA

Reportazhi i ditës në Spitalin Onkologjik të “Nënë Tereza” në Tiranë

Salloni pritës i Spitalit Onkologjik i “Nënë Terezës” që në orën 7.30 është i mbushur plot me të sëmurë, të ardhur nga të gjitha rrethet e vendit, për t’u vizituar, të tjerë, për të bërë seancat e kimiotherapisë të planifikuara dhe të tjerë, për t’u operuar. Një i sëmurë, e ardhur nga qyteti më i skajshëm i vendit, sa mbaroi vizitën tek mjeku, kërkoi në laboratorin e analizave, të bënte një analizë gjaku, që ia kërkoi mjeku, përpara se të bënte seancën e kimiotherapisë. Laborantet, me mirësjellje i thonë, që laboratori tek Onkologjiku i QSUT-së nuk mund të bëjë dot analiza gjaku, prandaj, që të zgjidhë hallin, më mirë të shkojë 10 minuta tek një laborator privat, jashtë spitalit. I sëmuri, bindet, pasi nuk ka zgjidhje tjetër. Pas 20 minutash, kthehet tek Onkologjiku për të bërë seancën e kimiotherapisë.

Ka 4 ditë që mungon ilaçi kryesor për kimioterapi

I sëmuri, ulet në shtratin, ku do të bëjë kimioterapi. Mirëpo vjen mjeku dhe me mirësjellje i thotë, se mungon ENDOKSAN 1 g. E sëmura e pyet, se çfarë duhet të bëjë tani?

-Më mirë, do të jetë, të shkoni diku në farmaci, e ta blini ilaçin, që të mos humbni seancën e kimiotherapisë.

– Mund të vij nesër? – Pyet i sëmuri.

– Kemi 4 ditë që ky ilaç na mungon, as ne nuk e dimë, se kur do të vijë.

I sëmuri, çohet nga shtrati dhe sërish, drejtohet farmacive, që janë rrotull spitalit “Nënë Tereza”. Pyet në farmacinë e parë për ilaçin.

-Nuk e kam, sepse është ilaç që duhet ta ketë spitali. Po, ti ik e pyet në farmacitë e tjera, – i thotë farmacistja.

I sëmuri shkon në 5 farmaci të tjera, që edhe ato i thonë, që ilaçin e kimiotherapisë nuk tregëtojnë, sepse e ka spitali. Por, farmacistët qeshin, dhe thonë, se të gjithë të sëmurët me kancer ilaçet e kimiotherapisë i blejnë vetë çdo herë, në disa farmaci të caktuara. I sëmuri pyet, pse e kanë vetëm disa farmaci këtë ilaç dhe jo të gjitha. Farmacistët, me nëntekst përgjigjen, se ilaçin e kimiotherapisë e kanë ato farmaci, që kanë lidhje “me të mëdhenjtë” e ministrisë së Shëndetësisë.

Pas odisesë nëpër farmaci, më në fund, në një farmaci u gjend ilaçi. Çmimi është 26.000 lekë. I sëmuri shkon në sallën e kimiotherapisë, ua jep ilaçin infermierëve dhe bën kimiotherapinë.

Ja lista e ilaçeve të munguara sot në Onkologjikun e QSUT

Një mjek, i cili e dëgjoi ankesën e të sëmurit me kancer, për ta ngushëlluar, i thotë se Onkologjikut sot i mungojnë edhe Folgrastim 30 MIU 15 sh, Irinotecan 100 mg 20 fl, Acid Zoledronic 4 mg 11 fl, Enlotinib 150 mg 140 tb, Bleomicin 15 mg, Dacarbasine 15 mg, Dacarbasine 100 mg, Carboplastin 150 mg, Gemcitabin 1g/200 mg, Epirubicine 50 mg, Doxorubicin 50 mg, Mesna 400 mg, Mitoxantrone 20 mg/10 ml, Etoposide100 mg, Docetaxel 80 mg, Paclitacel 100 mg, Cisplatin 50 mg, Methotrexate 50 mg, ndërsa Trastuzumab/Bevacizumab/Rituximab vetëm në ditët e caktuara, të vendosura nga shefi i shërbimit. Ilaçi i Endoxanit nuk është në listën e mungesave. Askush nuk është në gjendje të thotë pse mungojë gjithë këto ditë ilaçet për të sëmurët me kancer tek spitali i Onkologjikut, kur dihet, që edhe një ditë të mungojnë, rrezikohet shëndeti i të sëmurëve, deri në vdekje. Por, asnjë nga Onkologjiku, nuk është në dijeni të thotë se kur do të vijnë ilaçet e munguara. Në ditët, në javët, në muajt e ardhshëm? Të gjithë ngrenë supet, qeshin me ironi dhe të tregojnë farmacitë, jashtë QSUT-së.

Ministrja e Shëndetësisë, as që denjon të përgjigjet të sëmurit me kancer

I sëmuri me kancer, i revoltuar, që ilaçin e kimiotherapisë, që duhet ta kishte spitali, e pagoi vetë, që analizën e gjakut e pagoi vetë, i drejton një mesazh ministres së Shëndetësisë, Manastirliu, dhe i thotë, përse mungon ilaçi i kimiotherapisë në Onkologjikun e duke ia kujtuar se ishte edhe drejtoresha e QSUT-së, deri para disa muajsh. Mirëpo, Ministrja Manastirliu nuk denjon të kthejë asnjë përgjigje, madje mbyll edhe telefonatat. Ministrja Manastirliu nuk shqetësohet, sepse është ajo vetë, që është përgjegjësja e kësaj katandie të shëndetësisë publike, sa të mos ketë Onkologjiku as ilaçin kryesor të kimiotherapisë për të sëmurët me kancer. Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu interesohet vetëm për të paguar rregullisht fondet e koncesioneve të analizave, ndërkohë që të sëmurët analizat i bëjnë tek privati me paratë e tyre. Zonja Manastriliu nuk është ministre e Shëndetësisë, që të interesohet për shëndetin e popullit, por është e preferuara e kryeministrit për t’u interesuar për klientët koncesionarë, meqë si drejtoreshë e QSUT-së u përkujdesa të skedonte koncesionet dhe tani, si ministre, të paguajë faturat e koncesioneve që ka dhënë në QSUT. Ministria e Shëndetësisë ka buxhet vjetor 150 milionë euro për të blerë ilaçe, ndërkohë që të sëmurët i blejnë ato në farmaci. Ku shkojnë 150 milionë euro në vit, fondi për ilaçet? Ja përgjigja, që arroganca e ministres Manastirliu nuk e fsheh dot.

QSUT helmohet nga ilaçet e skaduara, drejtuesit bëjnë pazar në Kinë

Ndërsa pacientët dhe familjarët e tyre detyrohen të blejnë ilaçe në farmacitë private, në Farmacinë Qendrore të QSUT-së dergjen një mal me ilaçe të skaduara. Më shumë se 93 % e stokut të ilaçeve në farmacinë qendrore prej vitesh janë skaduar dhe qëndrojnë në pritje të një tenderi të madh, i cili do të zhvillohet për asgjësimin e tyre. Përveç stokut të trashëguar ndër vite, drejtoria e QSUT-së nën justifikimin se do të bëjë një planifikim më të mirë të furnizimit me ilaçe, ka lënë shumë pavionë pa medikamentet kryesore, duke çuar drejt vdekjes së shpejtë pacientët. Mjekët ankohen se në shumë raste mungojnë barnat kryesore që janë të domosdoshëm për të sëmurët e hospitalizuar. Disa prej tyre janë zëvendësuar me medikamente që importohen nga Bullgaria, India, Kina dhe vende të tjera të Evropës Lindore. “Përdorimi i medikamenteve pa cilësi, më së paku shton ditët e qëndrimit në spital të pacientëve. Detyrohemi që t’i mbajmë të sëmurët deri në dy javë shtrim, për të luftuar gradualisht sëmundjen, kjo për shkak të cilësisë mjaft të ulët të barnave”, shprehen mjekët, ndërsa shtojnë edhe faktin e tmerrshëm se: “në disa raste pacientët që vijnë në gjendje të rëndë shëndetësore humbin jetën, pikërisht nga mungesa e efektit të menjëhershëm të ilaçeve pa cilësi”. Edhe pse në mbledhje të shumta kanë kërkuar që QSUT të furnizojë pavionët me ilaçe që përdoren nga vendet e BE-së, fatkeqësisht vetëm 15 % e stokut të medikamenteve janë të firmave të njohura evropiane, pjesa tjetër mbërrin nga tregje të dorës së tretë. Nën pretekstin e uljes së shpenzimeve, QSUT ka zënë vend në tregun kinez dhe atë të Evropës Lindore. Keqmenaxhimi i qëllimshëm i treguat farmaceutik të QSUT-së ka bërë që aktualisht në Farmacinë Qendrore të saj janë qindra mijëra medikamente të skaduara. Barnat u përkasin viteve 2012-2018 dhe kapin një kosto totale kontabël prej 481.8 milionë lekësh (rreth 3.9 milionë euro). Nga këto, ilaçe me vlerë kontabël 447 milionë lekë, rezultojnë të skaduara dhe vetëm 34.7 milionë brenda afatit të përdorimit. Dëmi i madh ekonomik pasohet nga të tjera skandale, pasi së shpejti pritet të zhvillohet një tender për asgjësimin e medikamenteve të skaduara. Për këtë skandal të tmerrshëm financiar dhe dëm edhe për shëndetin dhe ambientin drejtuesit e QSUT-në nuk kanë proceduar penalisht asnjë person përgjegjës.