“Boom-i” i turizmit, sa u rritën qiratë? Kërkesa të shumta nga turistët për apartamentet ditore

25
Sigal

Çmimet e apartamenteve me qira kanë regjistruar rritje të konsiderueshme, sidomos gjatë vitit të kaluar. Referuar Indeksit të Çmimeve të Konsumit të INSTAT, Gushti i vitit të shkuar shënoi një rritje të menjëhershme të qirave me 2.5% krahasuar me korrikun dhe pati një nivel gradual rritjeje deri në dhjetor të 2023. Konkretisht, në muajin gusht, shtator dhe tetor, çmimet e qirave u rritën me 3.9% krahasuar me të njëjtët muaj të vitit 2022.

Rritja më e madhe vlerësohet të ketë qenë në dhjetor të vitit të shkuar me 4.9%, vlerë e cila pësoi një rënie të lehtë prej 0.5% në muajt e parë të 2024. Në tremujorin e parë të këtij viti, qiratë janë rritur me 4.4% krahasuar me vlerat e një viti më parë. Ndërsa në 2023, rritja varionte rreth 2.4% llogaritur me tremujorin e 2022-it.

Duke parë tendencën e viteve të shkuara, parashikohet që gjatë sezonit turistik veror të 2024-ës çmimet e qirave të arrijnë kulmin. Kjo pritet të ndodhë për arsye të numrit të lartë të turistëve që rezervojnë apartamente në platformat online si Airbnb, sqaron scan. Si rezultat i fluksit të vizitorëve të huaj, gjatë sezoneve turistike është rritur kërkesa për apartamente me qira ditore dhe është ulur ajo për qira afatgjatë.

Ndërkohë, një ligj i ri sjell ndryshime të rëndësishme për sektorin dhe ndër të tjera synon t’i japë zgjidhje informalitetit të lartë, ku ka një mospërputhje të theksuar midis numrit të turistëve dhe deklarimeve që bëhen nga strukturat akomoduese.

Pritet krijimi i një regjistri të ri, pjesë e të cilit do të jenë dhomat e thjeshta private, apartamentet moderne, shtëpitë tradicionale, bujtinat e vilat që do përdoren në funksion të turizmit. Çdo sipërmarrës që ushtron veprimtarinë si strukturë akomoduese duhet të regjistrohet në QKB dhe më pas të kërkojë certifikatë kategorizimi në Ministrinë e Turizmit. Nga ana tjetër, parashikohet rëndim i gjobave për të gjithë subjektet abuzuese. Konkretisht, kur subjektet hoteliere ushtrojnë aktivitetin pa certifikatë kategorizimi dënimi financiar me gjobë shkon nga 20 000 deri në 400 000 lekë.