Biznesi fason në Elbasan, Librazhd, Korçë e Pogradec, “gropë” informaliteti dhe skllavërimi

732
Gazeta “Telegraf”, do të nis së shpejti, publikimin e një investigimi të zgjeruar e konkret, me fakte tronditëse nga aktiviteti i biznesit fason në Shqipëri. Ky investigim do të nis fillimisht, me publikimin e “dosjes së zezë” të realitetit të biznesit fason, që ushtron aktivitet në rrethet Elbasan, Librazhd, Pogradec e Korçë. Prej 3 muajsh, gazeta “Telegraf”, ka investiguar me detaje këtë biznes të “importuar” nga vendet fqinje dhe të instaluar në Shqipëri, duke shfrytëzuar mjerimin ekonomik e social të shqiptarëve, me bazë skllavërimin e grave dhe vajzave shqiptare, madje edhe të miturve, me shfrytëzim krahu pune me aktivitet informal shtëpiak. Në dosjen që do të publikojmë për bizneset fason që ushtrojnë aktivitet në rrethet Elbasan, Librazhd, Pogradec e Korçë, do t’ju njohim me punëdhënës që kanë punësuar nga 100, 200, 300, 500, 700 e 1000 “skllevër” dhe sigurojnë punonjësit nga 50-60 prej tyre. 
Do t’ju njohim me fasonistë “skllavopronarë”, që fshehin të ardhurat, që punojnë me 3-4 bordero fiktive, që paguajnë punonjësit me 10 mijë lekë dhe letrat i bëjnë sikur i paguajnë me pagë minimale zyrtare. Do të njohim me biznese fason, që punojnë me lëndë të para e ndihmëse, me ndotje, me helme e rrezatim radioaktiv. Do t’iu njohim me pronarë që nuk pasqyrojnë të ardhurat reale, që nuk caktojnë masë normative pune ditore për punonjësit sipas kritereve, por i detyrojnë të punojnë me 2-3 norma ditore më tepër se aktivitetet fason në Itali, Greqi, Maqedoni, Francë, Austri e deri në Bosnjë dhe që paguhen vetëm me një “copë bukë”. 
Do t’’ju njohim edhe me raste të sëmundjeve profesionale të punonjësve që nuk trajtohen me kontrolle e shërbim mjekësor prej firmave fason, madje edhe me gra e vajza që kanë punuar nga 10, 15 e 20 vjet në këto firma dhe nuk kanë as pension e madje, as librezë shëndetësore për t’’u vizituar falas! Do t’iu njohim edhe me punëdhënës fason “trima”, që kërcënojnë gazetarët e “Telegraf”. Sa për kujtesë, ju bëjmë me dije se në këtë nismë për të denoncuar publikisht krimin ekonomik e skllavërues njerëz me emrin “biznes fason”, gazeta “Telegraf” ka siguruar edhe bashkëpunimin e Inspektoratit të Lartë të Punës, gjë për të cilën falënderojmë për mbështetjen, drejtorin e Përgjithshëm të këtij institucioni, zotin Dritan Ylli.
Sigal