Bisedat në Sky të dosjes “Toyota Yaris”, si bëhej pazari: 15 me 15! 30 mijë € për moskompetencë

86
Sigal

Një pjesë e rëndësishme e hetimeve lidhen me manipulime të mundshme për të ndikuar në drejtësinë e re dhe të vjetër përmes bisedave SKY. Këto biseda zbulojnë lidhje të ngushta mes prokurorëve, avokatëve dhe oficerëve të policisë që punojnë së bashku për të ndikuar në përfundimet e hetimeve, duke ndihmuar të dyshuarit dhe duke fshehur provat.

Prej 5 vitesh dosjet e shumta të Prokurorisë së Posaçme kanë tronditur botën e krimit, por jo vetëm, në vitin 2024 një dosje e njohur për publikun si “Dosja Zarka”, duket se tronditi edhe vetë drejtësinë e re.

Eriona Daupaj, një ish-oficere e Policisë Gjyqësore në SPAK është në qendrën e këtyre komunikimeve bashke me avokatin Radovan Çela dhe me ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, ky i fundit i arrestuar. Mënyra se si ajo shprehet në komunikimet që “Gjërat Tona” ka lexuar, tregon se mes njerëzve të drejtësisë ka grupime që punojnë së bashku si një rrjet që kryejnë ato që ata konsiderojnë “punë”, për të lehtësuar pozitat e njërit të hetuar apo tjetrit.

Këto linja të zbardhura nga “Dosja Zarka” tregojnë se si kjo “punë” për të prishur një hetim niste që në fazat e para të marrjes në dorë të një referimi derisa kjo dosje shkonte në duart e Gjykatës.

Bisedat e tyre në Sky, që lidhen me korrupsionin dhe manipulimin e hetimeve, tregojnë se si ata diskutonin për ndihmën në ndarjen e parave dhe mbylljen e dosjeve të rëndësishme. Çështjet e diskutuara përfshijnë pagesa të dyfishta, si 15 me 15, dhe përpjekje për të manipuluar gjyqtarët dhe prokurorët.

“Toyota” me 3.4 milionë euro

Një nga çështjet më të famshme ku këta njerëz të drejtësisë së re dhe të vjetër kanë vepruar për të dhënë padrejtësi, është dosja e njohur gjerësisht për publikun si “Toyota Auris”, ku u hetua futja në mënyrë të paligjshme e 3.4 milionë eurove përmes Portit të Durrësit. Çështja u hetua fillimisht te Krimet e Rënda, pastaj u shpall moskompetencë dhe u dërgua në Gjykatën e Tiranës.

Historia e kësaj dosje nis më 24 qershor 2018, kur në Portin e Durrësit u sekuestruar rreth 3.4 milionë euro. Në deklaratën zyrtare lidhur me sasinë rekord të eurove që u sekuestruan Policia e Shtetit deklaronte në atë kohë se ishte vënë në dijeni nga burimet vendase, një ditë para se të bëhej një deklaratë në Kuvendin e Shqipërisë. Policia e Shtetit deklaronte se ishte vënë në dijeni më datë 20 qershor 2018 për një karroatrec me targa AA 120 SP, që pritej të transportonte disa autovetura, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara, pa specifikuar tipin e automjeteve dhe as origjinën e vendit. Me marrjen e këtij informacioni, Policia shprehej se u ishte dhënë porosi gjithë strukturave te Pikat e Kalimit Kufitar për konstatimin dhe kontrollin e kësaj ngarkese.

Eriona Daupaj: Enedi ka frikë nga publiciteti. I shtynte pronat dhe s’po i qasej fare Edvini. Ka menduar mos ja ka futur. I ka marrë lekët vetë dhe i ka ndarë me Radin. Nuk ka besim as te rrobat e veta ai. Është natyre dyshuese. Edhe me Edvinin që rri gjithë ditën, ka frikë se i merr paratë. Edhe atëherë kur i thashë unë pazarin për Vladët, që më the ti 30 mijë për moskompetencë, 15 njëri, 15 tjetri, shkoi te Edvini që ta konfirmonte nëse i kisha thënë të vërtetën unë apo jo.

Radovan Çela: Ashtu si i trembur është ai. Fshije pak atë për Vladët.

Eriona Daupaj” Pse do t’ia tregosh njeriu chatin? Nuk ka qenë 15 me 15, ka qenë 30 me 30.

Radovan Çela: Po fshiji ti edhe këto.

Radovan Çela: Shih mos bën ankim ajo për masat se po pyeste gjyqtarin se kur do e nxirrte vendimin.

Eriona Daupaj: Për çfarë po e pyeste për të bërë ankim apo për të nxjerrë urdhër ekzekutimi?

Radovan Çela: Nuk e di.

Eriona Daupaj: E hoqa nga qarkullimi. Vetëm dje iku në seancë se ishte Erioni me masat e tërmetit. Çova porosinë tënde dhe i thashë ma hiq nga qarkullimi se nuk kam nerva të merrem. Më mjaftoi Doloreza dhe Enedi, një e tretë do ishte e tepërt. Më tha që nuk ka më punë.

Radovan Çela: Bëji gjerat më saktë tani thuaji, se e kemi marrë një karton të verdhe dhe po morëm dhe një tjetër bëhet i kuq.

Eriona Daupaj: I thashë mos më turpëro me njerëzit se ata nuk janë lojtarë Peqini, luajnë me galaktikët. Ledina në autobus, Erjoni po ashtu. Jo t’i mblidhte prokurorët e t’ju thoshte këtu jemi. Nuk ka më këtej e tutje. Të marrin të firmosin aktet dhe ta çojë Erjoni në gjyq. Nuk kam nerva i thashë të filozofoj me njeri. I mbylli Frani shtigjet e filozofisë.

Eriona Daupaj: Sa lekë mori Lazri?

Radovan Çela: S’e di, por i kanë edhe një pesëshe tjetër.

Eriona Daupaj: 15 besoj në total. Bravo Lazri. E ka bërë me shifrën fillestare.

Radovan Çela: Dhe mori gjithë atë kosto.

Eriona Daupaj: Nuk e ka problem Lazri që tek pafajësia e Bashës. Janë mësuar gjyqtarët e Tiranës. Çudia më e madhe 3 ditë zgjat.

Eriona Daupaj: Parapraku na duhet për paratë. Kishte biseduar me Ilirjanën dje.

Radovan Çela: Po ta bëjë parapraku vendimin që kalon për gjyq vetëm Visi dhe pushohet për të tjerët…

Eriona Daupaj: I kishte thënë që do bëjë parapraken, të vulosë akuzat dhe ta tërheqë pasurorin këtej.

Radovan Çela: Çfarë kishte thënë Ilirjana?

Eriona Daupaj: Po i ka thënë, do presim të marrë vendimi formë të prerë dhe të kalojë për kompetencë. Aty e kemi qarin se kjo është kot. Po xhirojmë pa top. Tani po punojmë veresie.

Radovan Çela: Marrim stresin e problemit pa asnjë vlerë.

Eriona Daupaj: Punojmë për të madhen.

Radovan Çela: I shërbejmë të madhes.

Eriona Daupaj: Po rrahim te finalja.

Radovan Çela: Të bëjmë gol te Champions Leage, jo në kampionatin shqiptar.

Eriona Daupaj: Nejse, masat ikën, ishte fitore.

Nga bisedat mes Daupaj dhe Çelës, ku përmenden figura të tjera si Ilirjana dhe Sokoli, shihet se si ata përpiqen të kontrollojnë dhe vonojnë ekzekutimin e kërkesave gjyqësore, shpesh duke manipuluar informacionin dhe duke i dhënë udhëzime që shkelin ligjin, për të shmangur ndjekjen penale.

Në një tjetër bisedë, Radovan Çela informon Astrit Vladin, që i tregon ato që ka mësuar nga Eriona Daupaj, duke i thënë se Elizabeta ka thirrur Erjonin dhe Erjonën dhe iu ka thënë se dosjen e donte të mbyllur për t’u dërguar në gjyq, për çështjen e mosdeklarimit në kufi dhe pushim për fshehjen e të ardhurave.

Eriona Daupaj: Mi sill me ndonjë njeri nesër. Futi në ndonjë dosje me letra punë dhe t’i çosh tek një zyrë përkthimesh te kulla përballë Parlamentit. Thuaji që kam një porosi për Elin dhe do vijë Eriona t’i marrë.

Radovan Çela: T’i çoj pastaj, apo nuk është e hapur?

Eriona Daupaj: Nuk janë aty, se edhe ti je më keq se unë, ke frikë mos të humbasin.

Radovan Çela: Po të ishin tonat hajde, por janë të botës.

Eriona Daupaj: Futi në një dosje pune, në zarfa. Maskoji mirë që të duken dokumente pune.

Radovan Çela: Po ta mbarojmë këtë një herë. Po sikur t’i jepnin këta, ç’a do bëjë gjyqtari, do i dënojë maksimumi 2 vjet.

Eriona Daupaj: Çunat janë boba. Kundravajtje mbetet, parashkruhet për 5 vjet.

Më 8 maj të vitit 2020, datë që korrespondon me atë të dërgimit të kërkesës së SPAK në Gjykatën e Posaçme, me objekt vënien në ekzekutim të kërkesës për ndihmë juridike Daupaj dhe Çela komunikojnë në Sky.

Radovan Çela: Vetëm mos harro të takosh Elin për të dyja porositë, t’i heqim qafe.

Eriona Daupaj: Jo nuk harroj, po s’e mbylla dot sot, do ta takoj nesër, mos ki merak.

Radovan Çela: Kishte fol Sokoli me Ilirjanën, i kishte thënë ok ajo. Shyqyr që doli në fund një njeri.

Eriona Daupaj: E kam lexuar kodin me kujdes. Ministria dhe Gjykata janë garant për ligjshmërinë e veprimeve që kërkohet ekzekutimi.

Në ditët në vijim, pas një bisede që Radovan Çela kishte zhvilluar me Astrit Vladin, ai komunikon sërish me Eriona Daupajn për të njëjtën çështje.

Eriona Daupaj: T’i them Elit për Ilirjanën apo e ezaurove me Kolin?

Radovan Çela: Koli më tha ok, mendoje vetë.

Eriona Daupaj: Atëherë nuk po i them gjë farë.

Radovan Çela: Nuk e bën Ana, do i japi ok të më kontrollojnë. Ata i kanë thënë ta japë se është i rrezikshëm. Do na qepen ne.

Eriona Daupaj: Kush i ka thënë? S’është i vërtetë ky muhabet. Ata i kanë thënë do ta bllokonim ne po s’ka bazë ligjore refuzimi se nuk ka rol aktiv prokurori në ekzekutimin e letërporosisë.

Radovan Çela: Sokoli më tha. I ka thënë ajo, Doloresi.

Eriona Daupaj: Sot shkoi Enedi takoi Ilirjanën. Ajo i kishte thënë të njëjtat muhabete që i kishte thënë edhe Sokoli edhe Eli. I kishte thënë që nuk kishte shumë në dorë për të penguar ekzekutimin e letërporosisë. Maksimumi që mund të bënte ishte t’ju kërkonte belgëve provat mbi bazën e të cilave kanë regjistruar emrin tuaj si persona nën hetim. Por thjështë do ta spostonte ekzekutimin në kohë, jo se do ta pengonte.

Radovan Çela: Po t’ja kërkoje këtë, të shohim ç’a do sjellë ai…

Eriona Daupaj: Fola me anën vetë. Kërkova një mendje për të bllokuar letërporosinë. Ka më tha dhe do ta bëjmë. E kam pranuar në parim, por do t’i kërkonte belgëve provat mbi të cilat kanë regjistruar emrat tuaj. Pasi të vijnë provat do vlerësojnë nëse duhet ekzekutuar apo jo. Do ta bëj unë më tha në arsyetimin e vendimit, se e kam pranuar në tërësi por do vendos kusht që ata të sjellin provat, se vetë kontrolli për t’u ekzekutuar kërkon kushte, ndërsa tek mbrojtësi kërkon edhe më shumë garanci.

Sipas SPAK, nga këto biseda, rezulton se Eriona Daupaj, në cilësinë e oficeres së Policisë Gjyqësore është njohur për shkak të funksionit të saj me këto praktika dhe në kundërshtim me detyrën për ruajtjen e të dhënave të klasifikuara “sekret”, ka zbuluar të dhëna dhe informacione duke ia bërë të ditura Radovan Çelës, që ishte person mbi të cilin po kryheshin hetime.