Bilanci ‘skëterrë’ i aksidenteve rrugore, 172 humbje jete gjatë vitit 2021

238
Sigal

Viti 2021 po mbyllet me një bilanc të rëndë të ngjarjeve rrugore. Përdorimi i telefonit në drejtimin e mjetit, parakalimet e gabuara apo drejtimi i mjetit në gjendje të dehur kanë qenë disa nga shkaktarët e kësaj situate.

Referuar dhe dy aksidenteve të fundit të ndodhura në vendin tonë, ku tre persona humbën jetën, mes tyre dhe një i mitur eksperti i sigurisë rrugore Arben Luzi thotë që qarkullimi në këto kushte atmosferike përbën një rrezik të shtuar.

“Kohët e fundit ka pasur disa humbje kontrolli që quhen në gjuhën teknike, por kjo ka ardhur si rezultat edhe i kushteve atmosferike,” tha Luzi.

Specialistët thonë se ndryshimi i tarifave për siguracionet mund të jetë efektiv për ata drejtues që mund të jenë përsëritës në shkeljen e rregullave.

“Njerëz të cilët herë pas here bëjnë aksidente do të rritet detyrimisht siguracioni. Personat duke ju drejtuar xhepit të tyre do mundohen të bëjnë sa më pak aksidente, të jenë më të vëmendshëm në drejtimin e mjetit,” tha Luzi.

Në 11 muaj në Shqipëri janë regjistruar 1257 aksidente rrugore, ku 1726 kanë mbetur të plagosur, ndërsa 176 si pasojë e plagëve të marra kanë ndërruar jetë.