Besimtarët ortodoksë në të gjithë Shqipërinë kremtojnë sot ngjalljen e Jezu Krishtit. Kësaj herë në meshën e Pashkëve, koronavirusi ka ndaluar qytetarët që të shkojnë në kishë për të ndezur qiri dhe të kryenin ritualet e tyre.
Kryepeshkopi Anastas Janullatos zhvilloi meshën në Katedralen Orthodhokse ‘Ngjallja e Krishtit’ në Tiranë, dhe gjatë fjalës së tijj theksoi se pandemia që ka ‘gjunjëzuar’ botën nuk duhet t’i frikësojë qytetarët pasi të gjithë të bashkuar do t’ja dalin që të fitojmë.
“Krishti u Ngjall, Pashkë të Bardha! Kur dyert ishin të mbyllur Jezui iu shfaq nxënëseve dhe iu largoi frikën dhe ju dha paqen duke i bërë dëshmitarë të ngjalljes së tij. Frika është një këshillues e keqe e njeriut duke na ulur rezistencë dhe kreativitetin. Frika kulmon kur njeriu ndodhet përpara vdekjes. Ne nuk duhet të lejojmë që COVID-19 të na gjunjëzojmë, nuk duhet të izolohemi, por të mbështesim njëri tjetrin me fjalë dhe veprime të thjeshta. Nuk duhet të kufizohemi vetëm duke mbështetur familjen tonë, por ta zgjerojmë edhe tek miqtë. Nëse rrojmë dhe nëse vdesim, të zotit jemi,“- tha Janullatos për herë të parë në një kishë bosh.
Për shkak të masave të marra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, Pashkët katolike dhe ato ortodokse nuk janë lejuar të festohen në kisha. Kjo për shkak se ekspozimi i besimtarëve mund të shkaktojë përhapjen e COVID-19, duke e bërë që për të parën herë që nga koha e diktaturës komuniste në Shqipëri mos të kryen ritet fetare.
Festa e Pashkëve Ortodokse shoqërohet me vezën e kuqe, bukën e ëmbël dhe me flakën e shenjtë, e cila merret nga kisha dhe dërgohet në shtëpi.