Besimtarët bektashinj drejt malit të Tomorrit, kurbani riti kryesor i kësaj feste

1521
Sigal

REPORTAZH/ Maja e Kulmakut sipas pelegrinëve është një vend i shenjtë për të gjithë Shqipërinë

Që në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme mali i Tomorrit është pushtuar nga mbi 10 mijë pelegrinë nga Shqipëria e Diaspora, që nga Tropoja e Kukësi, nga Kosova e Maqedonia, nga Vlora e Saranda, e padyshim nga Skrapari që e ka pronën e tij malin e Tomorrit, i quajtur ndryshe me të gjithë kuptimin e fjalës “Mali i Shenjtë” ose “Mali i Perëndive”, i cili ndodhet 2416 metra mbi nivelin e detit. Pelegrinët e ardhur nga e gjithë Shqipëria, por edhe nga jashtë kufijve të vendit kanë ngritur çadrat e tyre në këtë vend të shenjtë, ku kanë qëndruar për të festuar, duke kryer jo vetëm kurbanin për nder të Abaz Aliut, por edhe kanë vizituar të gjitha vendet e shenjta të kësaj maje të thepisur mali, duke kryer të gjitha ritet e besimit bektashian, nga të cilat besojnë se do t’i vijnë gjithmonë mirësi.

Ritet e festës

Festa e Abaz Aliut në malin e Tomorrit shoqërohet me flijimin e deles ose të qengjit, ku therja e Kurbanit do të thotë që shpirti i kurbanit shkon lart ndërsa mishi i tij shpërndahet. Një veçori tjetër e festës është edhe lyerja e ballit të pelegrinit me gjakun e kurbanit të flijuar për nder të klerikut, por nuk mbarojnë këtu ritet e kësaj feste, e cila zgjat pesë ditë (nga data 20 deri në 25), e që shoqërohet edhe me hedhjen e lekëve të taksura apo sendeve të tjera nga besimtarët mbi varrin e Baba Tomorrit, mbi varrin e klerikut Iljaz Dervishi dhe mbi varrin e klerikut Abaz Aliu, emrin e të cilit mban edhe kjo festë shekullore. Pas kryerjes së të gjitha këtyre riteve, besimtarët e sektit bektashian marrin me vete në shtëpitë e tyre qirinjtë e shkrirë dhe dheun që ndodhet në vendin, ku prehen klerikët bektashian, pasi kjo sjell për ta mbarësi përgjatë gjithë vitit kalendarik.

Pelegrinët

Vetë pelegrinët e ardhur në malin e Tomorrit shprehen për gazetën se ata kanë ardhur për t’u bërë pjesë e festës së madhe të Abaz Aliut. Sipas pelegrinëve, të bësh një kurban në këtë ditë të shënuar është një gjë e shenjtë, e cila do të sjellë për ta vetëm mirësi. Maja e Kulmakut në Malin e Tomorrit, sipas besimtarëve, është një vend i shenjtë për të gjithë Shqipërinë dhe këtë festë madhështore duhet ta respektojnë të gjithë pasi festa e Abaz Aliut është shndërruar tashmë në një festë tradicionale për të gjithë Shqiptarët kudo ndodhen. Ata shprehen se do e gdhijnë natë në këtë mal, duke marrë pjesë në festimet tradicionale, por më e rëndësishmja e kësaj feste ngelet “kurbani”. Besimtarët bektashian shprehen se, kjo festë është një festë predikuese për të gjithë ata që besojnë që ndodhet një fuqi e madhe, e cila sjell mbarësi e mirësi tek besimtarët për të gjithë jetën. Besimtarët pohojnë se, për të pasur mirësi në familjet e tyre çdo besimtar bektashian duhet të vijë në malin e Tomorrit për 3 vite me radhë, duke bërë kurban e duke i’u falur perëndive të tyre: Baba Tomorrit e Abaz Aliut.

Policia merr masa edhe për ruajtjen e bagëtive

Për ruajtjen e rendit dhe qetësinë gjatë kësaj feste tradicionale Drejtoria e Policisë Qarkut Berat, në bashkëpunim me tre komisariatet e policisë Beratit, Kuçovës dhe Skraparit kanë angazhuar rreth 100 forca policore. Madje, polica ka marrë të gjitha masat që kjo festë të përfundojë pa incidente dhe vjedhje të bagëtive, për këtë arsye janë marrë masa për ruajtjen e tyre. Por dhe Policia e Qarkullimit Rrugor ka marrë të gjitha masat që të mos ketë asnjë bllokim rruge dhe aksidente të mundshme që nuk kanë munguar edhe në vitet e mëparshme.

Lutjet në Teqenë e Kulmakut

Tomorri është vendi që luten njerëzit, një pikë e pelegrinazhit ku thuhet se, në vitet 1600 ai filloi të bëhet simboli kryesor i bektashinjve shqiptarë. Sipas një etimologjie popullore, Tomorr do të thotë: “Mali i të mirëve”, ndërsa cilësohet si vendi, ku shqiptarët i luteshin perëndive. Pelegrinazhi nis çdo 20 gusht dhe përfundon në 25 gusht, ndërsa falja pasohet nga mishi i pjekur në hell dhe rakia e famshme e Skraparit. Çdo vizitor lutet fillimisht pranë Teqesë së Kulmakut dhe më pas në shenjë mirësie bën një kurban. Tomorri është vend i bekuar nga zoti. Ka disa shenja atje rreth historisë së Abaz Aliut. Është edhe një gjurmë kali në shkëmbin përballë që vërteton që ka kaluar aty me kalë. Ai vend është shumë i thepisur dhe nuk mund të jetë bërë nga ndonjë kalë normal. Është lartësia e Tomorrit që të bën sikur prek qiellin me dore dhe nga ajo lartësi mund të shohësh fare mirë shumë qytete përreth. Të gjithë pelegrinët që shkojnë atje janë të bindur se kanë bërë diçka që ia vlen. “Kush beson, është mirë, por kush praktikon besimin është më mirë akoma”. Me këtë postulat këta njerëz duket se kanë bërë diçka në jetën e tyre. Kanë respektuar një shenjt, kanë bërë një ritual me të gjitha praktikat dhe pastaj kanë kaluar një anë në majën e malit Tomorr, një mal që në histori njihet si mal i perëndive.