Besim Ndregjoni vlerësohet me titullin “Nderi i Qarkut të Tiranës”

601
Vetëm tre vjet pas dekorimit nga Presidenti i Republikës me Urdhërin e lartë “MJESHTRI I MADH”, vjen një një tjetër titull nderi për Aktivistin e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Besim Ndregjoni. Në kuadrin e 25-vjetorit të rënies së Sistemit Komunist në Shqipëri, Këshilli i Qarkut Tiranë nderoi dje, misionarin e palodhur për dokumentimin dhe gjetjen e eshtrave të të ekzekutuarve nga regjimi komunist, Presidentin e Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të Burgosurve Politikë të Shqipërisë, Besim Ndregjoni, me titullin e lartë “Nderi i Qarkut Tiranës”. Është gjithashtu ky titull vlerësim për kontributin e rëndëëishëm të z.Ndregjoni si aktivist i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, veçanërisht për integrimin dhe mbështetjen e shtresës së të përndjekurve politikë dhe për veprimtari të çmuar në evidentimin dhe demaskimin e krimeve të regjimit komunist. Në ceremoninë e dhënies së këtij titulli ishin të pranishëm Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ish Presidenti Alfred Moisiu, deputetë, krerë të partive politike dhe ish të përndjekur politikë të regjimit komunist nga Tirana, Dibra e Shkodra.
Besim Ndregjoni është shembulli i qëndrestarit e luftëtarit, shembulli i njeriut që na tregon se si duhet jetuar jeta. Ai ka të drejtë të krenohet për udhen që ka përshkruar gjatë gjashtë dekadave. 
Si askush tjetër, dibrani simbol i mençurisë, guximit e stoicizmit, ka ditur të lërë gjurmë të pa shlyera në udhën e jetës, gjurmë që duhet t`i ndjekin dhe pasardhësit e tij. Personaliteti i tij, kudo dhe në çdo rrethanë reflekton vlera, për të cilat është e etur shoqëria jonë. I rritur dhe edukuar në një mjedis atdhetarësh, në Lukanin e Katër Grykëve, rrëzë Runjës hijerëndë e kreshnike, ai u bë shembull frymëzimi për bashkëkohësit, si udhërrëfyes i progresit dhe dinjitetit njerëzor. Ai në gjithë jetën e tij njihet si një njeri mjaft serioz, shumë i dashur dhe me një humor, gjithmonë të shëndetshem. Njeri i veçantë, energjik, në sjellje e qëndrime, me një mënyrë të foluri karakteristike, që të mbush mendjen për çdo gjë që mund të flasë. 
Sigal