Fizioterapiste Besa Hyseni, UMSH

SHOQATA SHQIPTARE E FIZIOTERAPISTËVE, anëtare e Konfederatës Botërore të Fizioterapisë dhe e Rajonit Europian ER-WCPT në Bashkimin Europian, në emër të mbi 2500 anëtarëve të saj, kërkon krijimin e URDHËRIT PROFESIONAL TË FIZIOTERAPISTËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË.
Që nga viti 2012 Shoqata Shqiptare e Fizioterapistëve ka kryer përpjekje të vazhdueshme për krijimin e një Urdhri Profesional të Fizioterapistit, i ndarë nga Urdhri i infermierit, ku aktualisht bën pjesë.
Ligji Nr. 10 171, datë 22.10.2009, për Profesionet e Rregulluara në Republikën e Shqipërisë parashikon organizimin e Urdhrit Profesional të Profesioneve të Rregulluara, në rastin konkret të profesionit të fizioterapistit.

Konkretisht, përfshirja e fizioterapistëve nën Urdhrin e Infermjerit të Shqipërisë Ligji Nr.9718, datë 19.4.2007, përbën një padrejtësi dhe anormalitet të cilën e korrigjon Ligji Nr. 10171, i Profesioneve të Rregulluara i vitit 2009.
Si profesionet e tjera mjekësore dhe Fizioterapia po merr një hov në dhjetëvjeçarin e fundit, lidhur kjo dhe me rritjen e moshës geriatrike në vendin tonë. Aktualisht, Urdhri Profesional i Infermierit, në vendin tonë ku përfshihet dhe figura e Fizioterapistit përmban shumë mangësi që lidhen me përkufizimin specifik të këtij profesioni, Kodin Deontologjik të Fizioterapistit, i cili përcakton rregullat, parimet dhe vlerat e kujdesit shëndetësor dhe është një udhëzues që orienton përgjegjësinë profesionale në kuptimin e saj ligjor dhe etik, formimin e vazhdueshëm profesional, ruajtjen e dinjitetit të pacientit, duke i ofruar shërbimin më të mirë të mundshëm, pavarësisht gjendjes së pacientit, etj.
Si institucion, Urdhri Profesional i Fizioterapistit duhet të mbajë lidhje, me Ministrinë e Shëndetësisë, me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, si dhe me institucione e organizma publike ose jopublike, në nivel ndërkombëtar si edhe qëndror e vendor. Urdhri i Fizioterapistëve merr pjesë në hartimin e projektligjeve, programeve mesimore dhe planeve kombetare të rehabilitimit.

Krijimi i Urdhrit është domosdoshmëri në respektimin e profesionit të Fizioterapistit, mundëson rehabilitim më cilësor duke u bazuar te profesionistët e liçencuar dhe të regjistruar tek Urdhri i Fizioterapistit si dhe ndëshkon me masa disiplinore sjelljet joetike dhe abuzive, që mund të dëmtojnë shëndetin e pacientit.
Formimi i vazhdueshëm i profesionistëve të Fizioterapisë, është detyrim etik dhe moral i çdo profesionisti, me qëllim sigurimin e një shërbimi më cilësor dhe mbetet po kaq i domosdoshëm krijimi i qendrave rehabilituese, për trajtimin e pacientëve kardiorespiratorë, pediatrikë, geriatrikë, të shpërndara në të gjithë vendin.
Vendi ynë ka mungesë të strukturave të specializuara në rehabilitimin e pacientëve të moshuar, si shtëpi kurimi, qendra ditore, të cilat kërkojnë gjithmonë e më shumë profesionistë të rehabilitimit, të liçencuar që të kryejnë shërbimin shëndetësor konform rregullave dhe ligjeve që përcakton Urdhri Profesional specifik i profesionit.
Shumë vende në botë, kanë një Urdhër Profesional specifik të Fizioterapistit, që mbron dinjitetin e Fizioterapistit dhe ndëshkon abuzivët e këtij profesioni, duke mbyllur aktivitetet e paligjshme.

Mungesa e një urdhri të veçantë të Fizioterapistit, krijon mundësinë që persona të paarsimuar në këtë profil, të ushtrojnë aktivitetin e tyre mbi bazën e trajnimeve të shkurtra, të pamjaftueshme për ushtrimin e profesionit.
Fizioterapistët duhet të trajnohen dhe formohen profesionalisht në vazhdim, duke u certifikuar me kredite të detyrueshme, për të ofruar shërbim rehabilitues efikas për pacientin, bazuar në evidenca shkencore.
Nëse Fizioterapia nuk rregullohet si profesion, me urdhër profesional përkatës, përbën rrezik potencial për jetën dhe shëndetin e pacientit.
Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë ka nënshkruar së fundmi marrëveshje bashkëpunimi me Shoqatën Shqiptare të Fizioterapistëve, është mbështetës dhe inkurajues i iniciativës për krijimin e Urdhrit Profesional të Fizioterapistit dhe ndjekës i kauzës për miratimin në Parlament të këtij Urdhri.
Në një takim të zhvilluar në ambientet e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, kryetari i kësaj shoqate, Z. Faton Daci theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të Universiteteve me Shoqatën, për të mundësuar trajnime, konferenca dhe praktika mësimore për studentët e Fizioterapisë në Shqipëri dhe vendet e rajonit.

Krijimi i një Urdhri Profesional të veçantë për Fizioterapistin, mundëson më shumë vende pune për profesionistët e rinj, të sapodiplomuar, të cilët do të ishin më të inkurajuar të mos braktisin vendin, por të japin kontributin e tyre të rëndësishëm në këtë sektor të shëndetësisë.
Aktualisht, kësaj iniciative për krijimin e Urdhrit i janë bashkuar mbi 4000 profesionistë të Fizioterapisë dhe studentë të kësaj dege.
Në pritje të miratimit të projektpropozimit për krijimin e Urdhrit Profesional të Fizioterapistit, Shoqata Shqiptare e Fizioterapistëve shprehet pozitive për realizimin e shpejtë të këtij misioni, në shërbim të komunitetit.






















