Berati, qyteti që vdes çdo ditë nga pak

751
Sigal

Kryebashkiaku, Fadil Nasufi: “Me këtë fond nuk plotësojmë dot rroga e shpenzimet për 12 muaj dhe jo më të investojmë”

Situatë kaotike. Fondi i akorduar për vitin 2013 shton hallet e bashkisë. Sipas llogaritjeve që kanë bërë specialistët e kësaj bashkie dhënia e fondit prej 220 milionë lekë të vjetra nuk mbaron asnjë punë. Këtë shumë po ta pjesëtosh për muajit që ka viti, bashkisë i takojnë që për çdo muaji të shpenzojë 20 milionë lekë. Kjo shumë mujore nuk i del as për rrogat dhe shërbimet sociale dhe jo më, për të ndërtuar rrugët e qytetit, të cilat kanë mbetur në pikë të hallit. Kryetari i Bashkisë së Beratit, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku kaloi edhe buxhetin tha se, me këtë fond bashkia nuk plotëson dot rrogat e punonjësve të saj dhe shpenzimet vjetore, prandaj është e pamundur që të investohet në infrastrukturë.

Gjendja

Qyteti ka nevojë për shumë fonde, pasi ndërhyrjet për t’u rikonstruktuar duhen bërë në shumë sfera. Por më e rëndësishmja është infrastruktura, pasi Berati i ka të gjitha rrugët të shkatërruara. Për këtë situatë Kryebashkiaku, Nasufi u shpreh: “Ne si bashki më ato pak të ardhura që kemi vjelë nga taksat kemi kryer disa punime në asfaltimin e rrugëve dhe të trotuareve të qytetit. Ne kaq mundemi të bëjmë”. Nga ajo që shikohet duket qartë se Qeveria e ka braktisur Beratit, qytetin e UNESCO-s, i cili nga thesaret që mbartë është një qytet i pa zëvendësueshëm kulturorë. Sipas banorëve, ky “thesar” po shkatërrohet çdo ditë e nga pak për shkak se nuk investohet dhe ky shqetësim nuk është një problem për drejtuesit e bashkisë, por për gjithë komunitetin e zonës.

Papunësia

Papunësia ka arritur kulmin. Qytetarët janë të pashpresë për të ardhmen e tyre. Qeveria s’ka asnjë strategji zhvillimi për këtë qytet. Shumë studentë që mbarojnë studimet e larta në universitetet e vendit dhe ato të huaja pas përfundimit të studimeve, nuk rikthehen më në Berat, pasi e shikojnë të ardhmen e tyre të zymtë. Rrugët që lidhet qyteti i Beratit me qytetin e Urës-Vajgurore dhe Kuçovën janë të pakalueshme. Të gjithë këto akse rrugore janë në një gjendje të mjerueshme, të shkatërruara plotësisht. Pa llogaritur këtu akset rrugore Berat-Lushnjë, Berat- Fier që është bërë një tmerr i vërtet jo vetëm për drejtuesit e automjeteve, por edhe për banorët e zonave, të cilët tregtojnë mallrat e tyre nëpër tregjet javore. Këto dhe shumë probleme të tjera kanë bërë që Berati, të “vdes” çdo ditë e nga pak.

Shifra dhe fakte

Qytetit të Beratit i mungon një muze historik. Kjo, jo për faj të drejtuesve të pushtetit lokal, por për mungesë të fondeve. Qyteti vuan nga shkatërrimi i infrastrukturës. Po të shikosh bulevardin “Republika” gjendja të tmerron, madje, po të ngjitesh edhe pak më lartë, rrugë, e cila të çon në qendër do të befasohesh dhe njëkohësisht duhesh të ruhesh se mos bije nëpër gropa. Nga qendra e qytetit deri në lagjen “30 -vjetori” rruga është pothuajse e shkatërruar. Rrugët brenda lagjes “30- vjetori”, ndodhen në pika të hallit. Në stinën e dimrit ato nuk kalohen nga gropat e mbushura me ujë, ndërsa në verë e gjithë balta e krijuar kthehet në pluhur, i cili nga makinat ngrihet në ajër dhe përfundon në banesat e qytetarëve. 380 banesat e lagjeve muzeale janë drejt amortizimit të plotë. Ato janë degraduar plotësisht dhe klithin çdo ditë për fonde, duke iu bërë thirrje qeveritarëve që të japin lekë për restaurime.