Mësuesja Sabrie Hoxha“Këtu në Librazhd arsim është bërë biznes”

633
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, mësuesja Sabrie Hoxha: “Pas 27 vjetësh më hoqën nga puna pa asnjë arsye”

Asgjë nuk vlejtën 27 vjet punë si mësuese për znj. Sabrie Hoxha, e cila prej dy vjetësh endet dyerve të institucioneve në Librazhd për të kërkuar të drejtën e saj dhe arsyen se përse e larguan nga puna.  E trishtuar ajo thekson se, lëndët e saj në shkollën, ku punonte i japin mësues të tjerë jashtë profilit. Me shkresë të Prefektit të Qarkut të Elbasanit, është kërkuar zgjidhja e problemit, por asgjë nuk është bërë. “Sikur të mos mjaftonin persekutimet e komunizmit, heqja e veshkës së burrit, lënia pa punë, tanimë jam e detyruar të heq dhe fëmijët nga shkolla. Nuk kam para”, kështu e nis intervistën e saj për “Telegraf”, mësuesja Sabrie Hoxha (Qyra).

Znj. Hoxha, cili është shqetësimi juaj?

Unë jam lindur në fshatin Karkavec të Komunës së Qukësit nga familja Qyra, ku babai im Harfi Qyra ka qenë në burgun e Kamzës i dënuar me tetë vjet, ku dhe kam dëshminë, sepse ishim kundër regjimit komunist. Neve na u privua gjithçka në atë sistem. Ishim të internuar. Me vuajtje dhe mundime munda të arsimohem falë miqve të babait tim, ku unë mbarova për mësuese. Me ardhjen e demokracisë si të gjithë shqiptarët, por edhe neve të persekutuari thamë që lindi një rreze dielli, por një ditë si papritur dhe pa asnjë motiv hidhem në rrugë edhe pse kisha punuar si mësuese për 27 vjet. Kam kërkuar sqarim, por asnjë shpjegim nuk më japin. Prej dy vjetësh endem dhe sorollatem dyerve të institucioneve  shtetërore në Librazhd në Prefekturë e kudo dhe askush nuk përgjigjet. Madje, as nuk më presin në zyrë. Jam ankuar në Zyrën Arsimore Librazhd, te deputeti Rrahim Çota, Prefekti i Elbasanit Shefet Deliallisi që  është i vetmi që më ka pritur më ka kthyer përgjigje se çështja do të zgjidhet.

Konkretisht mundet të na thuash se si ju hoqën nga puna?

Unë asgjë nuk di, vetëm kur dola pa punë. Ky largim i menjëhershëm më komunikohet nga drejtori i shkollës që më thotë se unë nuk isha në listë për të punuar si mësuese. Madje, atë ditë më ka rënë dhe të fiktë më mes të shkollës, pasi nuk e prisja një pushim të tillë, madje pa asnjë paralajmërim.

Po përse?

Sepse kisha 27 vjet punë si mësuese dhe nuk e kuptova se nga më erdhi ky pushim, madje e lidha dhe me disa dokumente tenderi, ku burri im Sefer Hoxha nuk i firmosi, sepse kishte korrupsion, ku më pas ishte dhe kontrolli i shtetit që kapi shkelje dhe mori masa administrative duke gjobitur shkelësit e ligjit  në Komunën e Qukësit. E për këtë mendoj se, më pushuan tak- fak. E prej dy vjetësh endem rrugëve.

Gjatë këtyre kohëve çfarë keni bërë?

Po siç e theksova që në fillim endesha vetëm rrugëve, sa në një zyrë në tjetrën sa tek deputeti Rrahim Çota në Zyrën Arsimore, ku Kujtim Balla as nuk më priste prandaj u detyrova që të shkoj tek prefekti i Qarkut të Elbasanit, Shefqet Deliallisi. Ai më priti shumë mirë dhe në letrën e tij me numër 3169/1 datë 31.12.2011 ju shkruan këtyre institucioneve për të më zgjidhur problemin, ku në shkresën e tij thotë  midis të tjerave se ankesa e ardhur nga Sabrie Hoxha, në institucionin e Prefektit të Qarkut të Elbasanit është e drejtë dhe sugjerohet që të zgjidhet problemi, por që atëherë e deri sot asnjë zgjidhje. Unë mendoj se, heqja ime nga puna ka qenë e qëllimshme dhe kjo lidhet me punën e burrit tim, i cili punonte në firmën private të përgjegjësit të Zyrës Arsimore të Librazhdit, Kujtim Balla.

Po si keni menduar ta zgjidhnin këtë problem?

Nuk di gjë fare, as nuk kam ku të drejtohem deri sa nuk gjej asnjë zgjidhje, kur vetë Prefekti më dha të drejtë dhe u interesua për heqjen e padrejtë nga puna, këta as që pyesin. E vetmja mundësi ishte gazeta juaj që ju drejtova, sepse arsimi këtu është bërë biznes. Madje, kam dy fëmijë në shkollë do t’i heq, sepse nuk mundem t’i paguaj të gjitha detyrimet që ata kërkojnë. Aty janë të njëjtët inspektorë dhe prandaj problemin tim nuk besoj se do ta zgjidhin. Si puna ime janë mjaft hallexhinj mësues të mirë dhe një pjesë janë hequr dhe me të padrejtë. I lutem Zotit që të vihet drejtësia në vend.