Berati çdo ditë, 8 orë pa energji elektrike

507
Sigal

Kufizimet po falimentojnë e biznesin. Nëse do të vazhdohet kështu nga ndërmarrjet private do shkurtohen 300 punëtorë 

Errësira ka përfshirë gjithë Qarkun e Beratit, këtu bëhet fjalë për 5 qytete dhe 8 komuna që janë pa energji elektrike. Kufizimet, të cilat shkojnë nga 6 deri në 8 orë në ditë përveçse kanë shqetësuar familjarët kanë sjell pasoja edhe tek biznesi. Madje, nuk do të jetë çudi, sikur një pjesë e biznesit të shpallte falimentin, pasi edhe mungesa e energjisë elektrike mungonte për të vendosur pikat mbi “i”. Më të rrezikuar janë bizneset e mëdha, ku pronarët e fabrikave të punishteve të ndryshme kanë dhënë alarmin se po ju shkatërrohet biznesi. Sipas Sefer Bejës, i cili është pronar i një punishteje pijesh bëhet e ditur për gazetën “Telegraf” se ka një javë që në fabrikën e tij është bllokuar puna, por sipas tij, të njëjtin fat kanë edhe pronarët e tjerë që kanë prodhimet e nën produkteve ushqimore dhe ato bulmetore. “Tronditja që po pësojmë, për ne është e madhe dhe dëmi është i konsiderueshëm. Mund të them se CEZ, nuk mund të gënjej më duke thënë se ndërprerja e energjisë elektrike po ndodh për shkak të kryerjes së remonteve në zona të ndryshme të qytetit, pasi kjo nuk është e vërtet. Sipas verifikimeve që kemi bërë, nuk po kryhet asnjë punim në asnjë vend, por mesa duket CEZ po ‘kursen’ energjinë për interesat e saj, duke na shkatërruar ne që kemi biznes, të cilin mezi e kemi ndërtuar. Ne i kërkojmë drejtuesve të CEZ që t’i ndali mashtrimet dhe kufizimet nga 8 orë në ditë”, tha Beja. Mungesa e energjisë elektrike jo vetëm po shkatërron bizneset, por do të ndikoj dhe në shkurtimet e punëtorëve, të cilët prej kohësh janë të punësuar në shumë ndërmarrje private. Pra është mëse e qartë që CEZ po dëmton biznesin dhe nëse do të vazhdohet kështu me këto ritme të ndërprerjes së energjisë, rreth 300 punëtorë rrezikohen të humbasin vendin e punës dhe në këtë mënyrë do të rritet numri i papunësisë në Qarkun e Beratit, i cili është në shifra alarmante. Një veprim i tillë ndërmerret pa ardhur ende stina e dimrit, por çfarë mund t’i presë më shumë beratasit gjatë muajve të ftohtë?! Po të njëjtin shqetësim si biznesi i madh kanë edhe pronarët e minimarketeve, të cilët gradualisht po ju dëmtohen produktet ushqimore që i mbajnë në frigorifer.