Berat/Hajdutë të veshur me uniformën fallso vjedhin kabllin telefonik

499
Sigal

BERAT/ Dëmi i shkaktuar, 30 mijë euro. Policia: Vjedhja është bërë nëpërmjet rrjetit të kanalizimeve

Persona ende të paidentifikuar nga policia e Beratit të veshur me uniformë të punonjësve të “Albtelekom”-it, kanë vjedhur një sasi të madhe kablli telefonik. Vjedhja ka paralizuar dy lagjet e qendrës dhe të gjitha bizneset, përfshirë këtu edhe bankat e ndryshme, të cilat i kanë lënë pa internet. Drejtuesit e Albtelekomit, bëjnë të ditur për gazetën “Telegraf”, se, vjedhja e kabllit ka shkatërruar dëme të mëdha jo vetëm bizneseve dhe 1000 familjeve, por edhe vetë agjencisë telefonike, pasi vjedhja ka kushtuar një dëm të madhe prej 30 mijë euro. Specialistët e “Albtelekom”-it, janë shprehur se hajdutët janë futur nëpërmjet kanaleve të ujërave të zeza nga lumi Osum dhe më pas kanë arritur deri në qendër, të qytetit, pikërisht aty, ku ka qenë lidhur kablli kryesor i ngjitur në fibrën optike. Pasi e kanë prerë atë ngjitur me pajisen e kanë marrë dhe janë larguar duke e shitur në pikat e grumbullimit, për skrap dhe mesa duket këtë herë janë bërë të pasur. Kjo gjendje ka krijuar shumë probleme në qytet, pasi në dy lagjet kryesore të qytetit janë të instaluar dhe shumë banka tregtare, të cilat kanë qenë të detyruara që të mbeten pa punë. Sipas të dhënave të marra nga policia është vjedhur një sasi e madhe kabulli, me dimension 1200.  Drejtuesit e “Albtelekom”-it, u shprehën se, “tashmë jemi të detyruar që të vendosim centrale të tjerë dhe fibër optike, pasi ato ekzistueset janë të dëmtuara dhe kanë dalë jashtë funksionit nga shkatërrimi që i kanë bërë hajdutët në momentin e prerjes se kabllove me dimensione të mëdha. Nuk është hera e parë që ndodhin fenomene të tillë, ku “Albtelekom”-it i janë vjedhur kabllot telefonik dhe më pas ata janë zëvendësuar. Por këtë radhë ka një ndryshim se, dëmi kap një shifër të madhe, rreth 30 mijë euro për të rehabilituar këtë rrjet me pajiset e nevojshme. Sipas specialistëve të “Albtelekom”-it mësohet se hajdutët vjedhjet i kryejnë duke u futur në kanalet e ujërave të zeza, këtë radhë hajdutët ishin veshur me uniformën e punonjësit të “Albtelekom”-it dhe në mes të ditës kishin kryer veprimet. Kjo është absurde janë shprehur drejtuesit e “Albtelekom”-it pasi hajduti ka vjedhur nën hundën e policisë linjën tonë telefonike. Burime nga “Albtelekom”-i bëjnë të ditur për gazetën, se, “Albtelekom”-i është vënë shpeshherë në shënjestrën e hajdutëve, duke i shkaktuar miliona leka dëme. Qendra e qytetit, është e mbushur dhe me një numër të mëdha biznesesh dhe të gjitha këto biznese këto dy ditë kanë qenë të paralizuara nga vjedhja e kabllit. Disa herë kemi bërë denoncimet në polici për vjedhjet që u janë bërë kabllove të “Albtelekom”-it, por gjerë më sot nuk është ndaluar asnjë person. Kjo tregon se policia është treguar shumë indiferente në lidhje më denoncimet tona, thanë drejtuesit e “Albtelekom”-it.