Beqaj iu “tërheq veshin” mjekëve “Ka ankesa, shkoni vonë në punë”

476
Sigal

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj “iu ka tërhequr” veshin mjekëve për vonesat kur shkojnë në punë. Gjatë Konferencës Mjekësore me temë  “Diagnostikimi i Hershëm i Diabetit”, Beqaj tha se ka pasur ankesa të shumta që mjekët nuk shkojnë në punë në orare.
 
“Dhe sot në konferencë shumë mjekë erdhën me vonesë , kjo më lë të besoj se vonesat tek pacientët janë te vërteta. Duhet të jemi korrekt që njerëzit të vijnë tek ne dhe të besojnë tek ne”, deklaroi ministri.
 
Në Ditën Botërore të Diabetit, ai e ka cilësuar këtë sëmundje “pandemi” të re globale. Sipas ministrit edukimi dhe ndërgjegjësimi për parandalimin e kësaj sëmundjeje kërcënuese ka një rëndësi të dyfishtë, pasi përveçse një sëmundje kronike me kosto të lartë shëndetësore, ajo mbart edhe një kosto të konsiderueshme sociale dhe ekonomike, për shkak se prek të gjithë komunitetin, i cili ndikohet në mënyra të ndryshme nga kjo sëmundje.
 
Në vendin tonë raportohen afërsisht rreth 63 mijë diabetikë të njohur ose 2.9% e popullsisë adulte, ndërkohë, që numri i tyre duhet të jetë 2-3 herë më i lartë.
 
Rreth 50% janë të padiagnostikuar, që do të thotë se në realitet shifra e përafërt e diabetikëve duhet të jetë 120-150 mijë.
 
Mosha më e prekur nga diabeti është grupmosha 40-65 vjeç që përbën gati 40% të rasteve, por diabeti Tip 2 po haset përherë e më shpesh edhe në moshat 30-40 vjeç, duke prekur moshat aktive për punë, por këmbanat po bien ndërkohë që forma e diabetit 2 po ndeshet edhe tek fëmijët.
 
Diabeti që haset më shumë është ai i Tipit 2 me 90% dhe 10% Tip 1, ndërkohë që çdo vit, në vendin tonë, regjistrohen rreth 3000 raste të reja me diabet, nga të cilat, 25-30 janë fëmijë.