BE, nis proçedurat për vendosjen e vizave

303
Sigal

Të zhgënjyer nga kërkesat e paligjshme për azil edhe nga Shqipëria, shtetet anëtare të BE-së  dhe Gjermania, bëjnë gati dokumentin per rikthimin e vizave. Mbi 234  mijë shqiptarë kërkuan azil në BE në 10 vitet e fundit

 

BE-ja paralajmëron lëvizjen e lirë për Shqipërinë

Të zhgënjyer nga kërkesat e paligjshme për azil edhe nga Shqipëria,  shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kërcënojnë me rikthimin e vizave

Më 2019, Holanda kishte kërkuar që të kthehej regjimi i vizave për Shqipërinë, por ky propozim nuk ishte pranuar. Në 2021 nisin politikat për ta bllokuar lëvizjen e lirë sërish në një kohë kur pritet vendimi për hapjen e negociatave

Disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian janë të shqetësuara për numrin e madh të personave që nuk plotësojnë kushtet për të aplikuar për azil, që vijnë nga shtetet, për të cilat BE-ja ka hequr regjimin e vizave. Në një dokument të brendshëm të Presidencës sllovene të BE-së, që është përgatitur me kërkesë të shteteve anëtare, përmenden shembuj të shumtë të keqpërdorimit të udhëtimit pa viza dhe kërkesave të pabazuara për azil. Raste të tilla ka pasur me shtetas edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor si Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, por edhe nga Moldavia, Ukraina dhe Gjeorgjia.

Franca është ankuar për numrin e madh të azilkërkuesve nga Shqipëria. “Ne ndajmë vlerësimin e Komisionit Evropian, posaçërisht në rastin e Shqipërisë dhe Gjeorgjisë, për të cilat, liberalizimi i vizave ka shkaktuar një rritje të madhe të migrimit ilegal dhe kërkesave të pabazuara për azil në Francë”, kanë thënë autoritetet e Francës. Franca ka shprehur shqetësim edhe për politikën e vizave të Serbisë për vendet e treta dhe ka kërkuar që të punohet me Beogradin, që të përshtatë politikat e tij me ato të BE-së. Edhe më herët, disa shtete të BE-së kishin tërhequr vërejtjen se ardhja pa viza apo edhe me viza e qytetarëve të vendeve të treta në Ballkanin Perëndimor, paraqet rrezik për migrim ilegal në BE. Shteti i Francës ka përsëritur këto shqetësime.

Disa shtete kanë kërkuar që përshtatja e politikës së vizave për shtetasit e huaj me politikën e BE-së të bëhet një prej kushteve që mund të çojë deri në suspendimin e liberalizimit të vizave. Republika Çeke dhe Belgjika kanë shprehur shqetësim për rritjen e madhe të azilkërkuesve nga Maqedonia e Veriut dhe Moldavia. Ndërkaq, Austria ka shprehur shqetësim edhe për ardhjen e shtetasve të Bangladeshit në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të cilët më pas hyjnë në shtetet e BE-së. Edhe Berlini ka shprehur shqetësime për shkeljen e rregullave në Gjermani nga shtetasit e huaj. Këto raste janë në rritje sidomos për qytetarët nga Shqipëria dhe Serbia, që kryesisht kanë të bëjnë me qëndrim në shtet më shumë se 90 ditë, aq sa është e lejuar sipas rregullave të liberalizimit të vizave. Gjermania ka kërkuar nga Komisioni Evropian që “opsioni i suspendimit të liberalizimit të vizave të jetë real”.

Bashkimi Evropian ka në fuqi të ashtuquajturit “mekanizma për suspendimin e liberalizimit të vizave”, por kjo deri më tash nuk është përdorur. Më 2019, Holanda kishte kërkuar që të kthehej regjimi i vizave për Shqipërinë, por ky propozim nuk kishte kaluar pasi Komisioni Evropian kishte vlerësuar se nuk kishte kushte për një gjë të tillë. Sipas mekanizmave që ka në fuqi BE-ja, vizat mund t’iu hiqen atyre shteteve nga të cilat ka rritje të migrimit ilegal, keqpërdorimit të së drejtës për qëndrim pa viza dhe të cilat nuk ndërmarrin masa për të adresuar këto probleme. Disa shtete anëtare të BE-së kanë më shumë probleme me qëndrimet ilegale dhe azilkërkues nga vendet e Evropës Lindore, të cilave u janë hequr vizat ,si Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, ndërsa tjerat me vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos me Shqipërinë dhe Serbinë. Përpos kësaj vlen të përmendet fakti se shqiptarët nuk mund të kalojnë kufirin për në BE pa plotësimin e formularit në lidhje më Covid./ REL

234 mijë shqiptarë kërkuan azil në BE dekadën e fundit

Shifer somario

95 mijë kërkojnë azil në Gjermani

63 mijë kërkesa në Francë

21 mijë kërkesa në Angli

16.5 mijë kërkesa në Greqi

Që nga janari i vitit 2008 deri në korrik 2021 janë rreth 234 mijë shqiptarë që kanë kërkuar gjithsej azil në një nga vendet e Bashkimit Europian (BE), sipas statistikave të publikuara nga Eurostat dhe të përpunuara nga Monitor.

Gjermania është vendi kryesor ku janë drejtuar ata që ikin në kërkim të një jete më të mirë. Sipas Eurostat, kërkesat gjithsej për azil në Gjermani për periudhën në fjalë ishin rreth 95 mijë, ose rreth 40% e totalit.Shteti i dytë më i preferuar është Franca, me rreth 63 mijë kërkesa gjithsej për azil, ose 26% e totalit.Më pas renditet Mbretëria e Bashkuar, me 21 mijë kërkesa gjithsej (rreth 9%). Për Mbretërinë e Bashkuar të dhënat janë raportuar deri në fund të vitit 2020.E katërta është Greqia, me 16.5 mijë kërkesa (7%), e ndjekur nga Suedia, me 4.5% të totalit.Sipas viteve, numri më i madh i aplikimeve për mbrojtje ndërkombëtare (azil) është shënuar në vitin 2016, me gati 69 mijë, ku gati 80% kishin destinacion Gjermaninë. Vitet e mëvonshme, aplikimet u përgjysmuan, ndërsa në 2019-n u shënua një tendencë rritëse e lehtë (shiko grafikun: Kërkesat për azil në BE nga shtetas shqiptarë, sipas viteve).Nga viti 2017, vëmendja u zhvendos nga Gjermania drejt Francës, që në 2019-n kishte gati gjysmën e kërkesave.Në 2020-n, pandemia i frenoi përkohësisht aplikimet, për shkak të karantinave dhe kufizimeve të udhëtimeve, por nuk i ndali tërësisht.Ndërsa në verën e këtij viti po konstatohet sërish rritje e kërkesave për azil, ndonëse ende mbetet poshtë niveleve të para-pandemisë.

Sipas Eurostat, në korrik 2021 kishte 735 kërkesa për azil nga Shqipëria, niveli më i lartë që nga fillimi i pandemisë, me rritje prej 24% në krahasim me muajin e mëparshëm. Shifra mund të ketë edhe më e lartë, pasi për korrikun nuk kanë raportuar ende të gjitha shtetet.

Gjithsesi, në raport me janarin 2020, kur nuk kishte filluar ende pandemia, kërkesat për azil mbeten pothuajse të përgjysmuara.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, shqiptarët vijojnë që të kenë vrullin më të lartë për t’u larguar, duke pasur në qershor trefishin e kërkesave të Serbisë, që renditet e dyta pas nesh (shih grafikun: Kërkesat për azil nga vendet e rajonit, janar 2020-qershor 2021).

Eurostat bëri të ditur se këtë vit dy shtetet më të preferuara nga azilantët janë Franca, që ka parë një rritje të fortë në korrik, me 650 kërkesa, nga 270 muajin e mëparshëm. Ndërsa në qershor, pas Francës renditej Greqia, me 165 kërkesa (ky shtet nuk ka raportuar ende për korrikun).