Bashkia Pogradec dhe pogradecarët, ushqime për emigrantët e karantinuar

408
Sigal

Emigrantët mund të përfshihen në ndihmat ushqimorë të bashkisë për

Nga Vepror Hasani

Bashkia Pogradec, bizneset e këtij qyteti dhe pogradecarët, po u vijnë në ndihmë 59 emigrantëve të karantinuar në një nga hotelet e qytetit të Pogradecit. Fal kësaj mbështetjeje, bashkia mori iniciativën t’u vijë në ndihmë të karantinuarve duke u siguruar ushqimin për tre vakte dhe  për disa prej tyre, tashmë të evidentuar, që nuk kanë mundësi të paguajnë qendrimin në hotel do t’u paguhet edhe akomodimi. Siç e shpjeguam edhe më sipër, kjo gjë u bë e mundur fal mbështetjes së ofruar nga qytetarët e Pogradecit dhe biznesi, pa të cilët bashkia Pogradec nuk do ta kishte të  mundur të ofronte ndihmën që tashmë po bëhet realitet. Kjo nismë ka fituar mirënjohjen e  gjithë banorëve të qarkut Korçë, pasi çdo familje shqiptare e di çdo të thotë të jesh emigrant dhe aq më shumë të lëvizësh në kushtet e një pandemie kur edhe çmimet e udhëtimit janë shumë më të larta. Banorët e akomoduar në Korçë dhe Pogradec u përkasin rretheve të ndryshme të vendit çka e zgjeron mirënjohjen e pogradecarve edhe më gjerë se qarku i Korçës. Duhet thënë gjithashtu se në qendër të kësaj nisme ka qenë prefekti i qarkut Korçë, Dhori Spirollari. Kjo mikëpritje pogradecare duket se e ka zanafilën te mirëpritja e  200 mijë turistëve gjatë stinës së verës.

40 emigrantët e karantinuar në Korçë

Krejt ndryshe po ndodh me emigrantët e karantinuar në një nga hotelet e qytetit të Korçës, ku u akomoduan 40 emigrantë të ardhur para pak ditësh. Këta të fundit pretendojnë se nuk kanë mundësi financiare të mjaftueshme për pagesën e ushqimit dhe të qendrimit në hotel, ndaj  kërkojnë nga qeverisja vendore e qarkut Korçë të ndihmohen për shlyerjen e pagesave. Për këtë arsye emigrantët e përmendur më sipër, kërkuan ndihmën e mediave për sensibilizimin e autoriteteve vendore, gjithashtu edhe ndihmën e prefektit të Korçës, Dhori Spirollari, për gjetjen e një zgjidhjeje që t’u vijë në ndihmë mundësive të tyre të pafavorshme. Nga burime pranë Prefekturës mësojmë se po punohet për gjetjen e një zgjidhjeje duke kërkuar edhe ndihmën e bizneseve, pse jo edhe të qytetarëve të Korçës, të cilët në të gjitha kohërat kanë qenë të njohur për bamirësitë e tyre. Shpresohet t’u vijnë në ndihmë edhe emigrantëve në këto ditë të vështira.  Megjithatë, pagesa e akomodimit duhet të paguhet prej tyre, ashtu siç po ndodh edhe në qytetin e Pogradecit, pasi edhe Bashkia Pogradec do të mbulojë shpenzimet vetëm për disa që nuk kanë mundësi financiare.

Kthimi i emigrantëve në atdhe po bëhet më i paktë

Ndërkohë po vihet re se kthimi i emigrantëve nga pikat e kalimit kufitar të Kapshticës dhe  Qafë-Thanës, në ditët e fundit ka qenë më i paktë. Gjatë dy ditëve të fundit nga pika e kalimit kufitar të Kapshticës janë kthyer gjithsej vetëm 6 emigrantë shqiptarë, të cilët pas plotësimit të procedurave të nevojshme dhe  kontrollit shëndetësor, nën kujdesin e Policisë u akomduan në hotelin e Pogradecit, ndërsa nga pika e Kalimit Kufitar të Qafë-Thanës nuk ka patur asnjë emigrant të ardhur, gjë që tregon se numri i tyre në ditët në vjim do të jetë shumë më i vogël ose i pandjeshëm, në krahasim më dy ditë më parë, kur numri i emigrantve të ardhur në atdhe shkonte deri  në 40 veta dhe më shumë, pjesa më e madhe e të cilëve vinin nëpërmjet Kapshticës ndërsa pjesa tjetër nga Qafë-Thana. Pra edhe nga qeverisja vendore e Qarkut Korçë kërkohet një sakrificë që do të mbahet mend, pasi raste të tilla pandemie nuk janë kaq të shpeshta. Ndërkohë janë marrë të gjitha masat që në mënyrë periodike të bëhet edhe dezinfektimi i ambienteve të hoteleve ku ka emigrant të karantinuar.