Bashkia e Korçës, atentat lagjes më të vjetër të qytetit të Korçës, ku jetojnë myslimanët

1367
Sigal

Thirrja e 28 familjeve të lagjes “Gjon Buzuku”, që do t’u prishen shtëpitë nga bashkia: Presidentit, Kryeministrit, trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri dhe Prokurorisë së Përgjithshme për fillimin e hetimeve ndaj Bashkisë  

KORÇË- Në dt. 7 nëntor të këtij viti, Këshilli i Bashkisë Korçë mori një vendim të papritur: 28 familjeve që banojnë në lagjen “Gjon Buzuku” të qytetit, t’u prishen shtëpitë! Projektin e miratuan vetëm me votat e tyre, (të të majtëve). Të djathtët votuan kundër. Megjithatë vendimi hyri në fuqi. Tashmë që nga dt. 7 nëntor i këtij viti e deri më sot kanë kaluar rreth 30 ditë, por për 30 ditë dhe 30 net me radhë, 28 familjet e lagjes “Gjon Buzuku” në qytetin e Korçës, nuk kanë mundur të vënë gjumë në sy. Ngrysen dhe gdhihen me makthin nëse do të vijnë ruspat e INUK-ut që t’u prishin shtëpinë apo ndoshta ndonjë urdhër nga lart do të bëjë të mundur ndaljen e këtij plani rrënues dhe të pakuptimtë. Banorët shpresojnë dhe besojnë që ky shtet ende funksionon, madje është kjo arsyeja që ata me anën e këtij publikimi i drejtohen Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, Avokatit të Popullit Igli Totozani dhe Trupit Diplomatik të Akredituar në Shqipëri, për gjithçka po ndodh. Gjithashtu, i kërkojnë Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës Adriatik Llalla të nisë hetimet ndaj drejtuesve të Bashkisë, pasi plani i miratuar për prishjen e 28 shtëpive në një nga lagjet më të vjetra të qytetit të Korçës, nuk është gjë tjetër veçse një goditje e kamufluar ndaj njërës prej lagjeve më të vjetra të myslimanëve në Korçë. Argumentet do t’i rendisim më poshtë ashtu siç konceptohen nga vetë kryefamiljarët e 28 familjeve, por ndoshta edhe nga e gjithë Korça, sepse sot nuk ka njeri që të mos e ketë vënë re që për 24 vjet me radhë investime janë kryer kryesisht në lagjet e ortodoksëve dhe shumë pak ose aspak në lagjet e myslimanëve.

“Gjon Buzuku”, lagjja më e vjetër

Fillimisht po rendisim shumë prej emrave të kryefamiljarëve që do t’u prishet shtëpia me qëllimin e vetëm për të kuptuar më qartë dhe më mirë se çfarë po ndodh me këtë lagje. Ata janë: Petrit Xhelollari, Agim Hajdër Tefiku, Zamir Islam Topi, Qani Gora, Ali Hafëz Goçllari, Arben Feta, Bajram Fazlli Tako, Ali Fuat Maliqi, Hektor Frashëri, Edmond Haxhi Zake, Mukades Riza Topi, Feride Teki Moskopoliti, Isat Tefik Gegollari, Rita Ali Koça, Spiro Hekuran Koça, Robert Çarçani, Zini Besim Berberi, Hytbi Sabri Kape, Gjylyzar Koçibelli, Arif Fuat Maliqi, Gurie Rakollari, Sokol Agolli,  Fatos Jorgo Stafa, Arben Feta, Natasha Alit Strati etj. Sipas tyre, “Gjon Buzuku” ishte dhe mbetet një nga lagjet më të vjetra të Korçës. Ajo zë fill që nga lindja e këtij qyteti më 1486, kur themeluesi i Korçës Iljaz bej Mirahori vendosi gurin e parë në Xhaminë e Madhe, të cilën e përfundoi më 1496, gjë që do të thotë se kjo lagje ka një origjinë 500-vjeçare. Ajo shtrihet mbi ndërtesën e bashkisë së sotme e cila fillimisht ka qenë Prefekturë. Pikërisht në këtë vend ka ekzistuar edhe administrata e vjetër e qytetit e para viteve 1912. Ndaj dhe në këtë lagje banonin kryesisht mësues, tregtarë, avokatë, administratorë, nëpunës etj. Dhe pasi na i tregojnë të gjitha këto, nisin të na rrëfejnë me lot në sy se ashtu siç kanë qenë të pa përkrahur nga regjimi i diktatorit Hoxha, ashtu kanë qenë të lënë pas dore edhe nga Bashkia gjatë viteve të demokracisë. “Gjon Buzuku” ishte një nga lagjet më të bukura, na thonë ata, por nën pretekstin e planit rregullues u goditëm jo pak gjatë viteve të komunizmit, na prishën shtëpitë dhe na grabitën trojet, por nuk kishim çfarë të bënin, diktatura të priste kokën. Tashmë nën pretekstin e planit rregullues, drejtuesit e Bashkisë Korçë po tentojnë të prishin përsëri shtëpitë tona. Pse e konsiderojmë pretekst planin rregullues të bashkisë, do ta sqarojmë hap pas hapi, theksojnë banorët. U lutemi institucioneve që u kemi drejtuar thirrjen të na mirëkuptojnë dhe të nisin hetimet”.

24 vjet pa investime

Kryefamiljarët, të cilëve do t’u prishen banesat, me vështrimin e trishtuar që nuk u ndahet për asnjë çast, tregojnë si janë lënë pas dorë nga Bashkia e qytetit të tyre: “Për 24 vjet me radhë, – na thonë ata,- në lagjen “Gjon Buzuku” nuk ka pasur investime. Ja shihni, sheshi që gjendet përballë radiotelevizionit të Korçës, që shërben edhe si shesh i kësaj lagjeje, a nuk është i mbuluar i gjithi nga uji dhe balta? Askush prej drejtuesve të Bashkisë nuk ka menduar ta shtrojë me asfalt, me pllaka apo me kalldrëm, ta gjelbërojë apo të vendosë stola. Veç kësaj, nuk ka pasur kurrë asnjë investim në ndriçim. Gjatë natës sheshi mbytej në errësirë të thellë dhe e bënte gjithë hapësirën të frikshme. Ndërsa krejt ndryshe ndodhi në lagjet e “Varoshit”, ku banojnë ortodoksët, atje të gjitha lagjet u shtruan me kalldrëm dhe u kryen investime madhore, ashtu siç pamë vazhdimisht që në këto lagje rrugët të ndërtoheshin dhe të rindërtoheshin disa herë me radhë. Shumë mirë që u bënë, por duhej të ishin bërë edhe këtej nga ne. Prandaj, për të gjitha këto, përveç ndihmës që u kërkojmë institucioneve që kemi përmendur më sipër, i kërkojmë ndihmë edhe Prokurorit të Republikës, Adriatik Llalla të nisë hetimet, të cilat mund të verifikohen sakaq, ku dhe në ç’ vend janë bërë investimet dhe sa miliarda lekë janë harxhuar dhe pse në lagjet e “Kasbasë” investimet kanë qenë minimale. A nuk është ky një diskriminim i hapur që u bëhet banorëve myslimanë?”  Nëse në lagjen “Gjon Buzuku” do të banonin ortodoksët a do të prisheshin vallë këto shtëpi? Sigurisht që jo, sepse plani i prishjes së shtëpive në lagjen “Gjon Buzuku” nuk ekzistonte, ai u sajua vetëm 30 ditë më parë, më 7 nëntor të këtij viti”.

Plani i prishjes nuk ekzistonte

Plani i prishjes së 28 shtëpive nuk ekzistonte, vazhdojnë të na rrëfejnë banorët e lagjes “Gjon Buzuku”, ai u sajua krejt papritur, ndoshta enkas për ne”. Për sajimin e këtij projekti ata janë të bindur dhe ky fakt i bën ata të ndihen edhe më të dëshpëruar dhe më të keqardhur. Ndaj kjo është një arsye më shumë për të kërkuar nisjen e hetimeve, me qëllim zbardhjen e të gjitha rrethanave që çuan në devijimin e planit fillestar. Petrit Xhelollari nga tregon disa detaje më shumë: “Deri më 25 shtator të këtij viti,- na thotë ai, ekzistonte një plan tjetër. Banorëve të lagjes “Gjon Bozuku” do t’u jepej mundësia të investonin. Kush kishte troje mund të ngrinte shtëpi banimi 3-katëshe. Lajmi ishte i mirë dhe ata që kishin troje nisën të mendonin për projektet e tyre, por duket se banorët e “Gjon Buzukut” ishin gëzuar para kohe. Vetëm 5 ditë më pas, kur unë pata një takim me kryetarin e Bashkisë Sotiraq Filo,-thotë Xhelollari,- nga biseda me të mora vesh se plani kishte ndryshuar. Madje jo vetëm kaq, po atë ditë, Sotiraq Filo më bëri të ditur se sipas planit të ri që ishte hartuar, ata do të prishnin edhe shtëpinë time. Nga lajmi që mora mbeta i shokuar. Nuk doja ta besoja, sepse nuk ishte e mundur të ndodhte kështu. Shtëpitë nuk prekeshin as nga plani gjerman që u hartua gjatë kohës që kryetar bashkie ishte Niko Peleshi. Përse duhej të sajohej tani një plan tjetër?! Më i tronditur se atë ditë nuk kam qenë ndonjëherë tjetër. Për ndërtimin e asaj shtëpie kam punuar në Amerikë me familjen time për 20 vjet me radhë. E ndërtova, por nuk do ta gëzoj dot, tashmë bashkia ka vendosur ta shembë atë ashtu si 27 shtëpi të tjera”.

Gjithçka mister

E megjithatë 28 kryefamiljarët e përmendur më sipër ende nuk kuptojnë se çfarë ka ndodhur saktësisht. Gjithçka është e mbuluar nga misteri dhe dyshimi. Jo vetëm Petrit Xhelollari, Agim Hajdër Tefiku dhe Zamir Islam Topi, por edhe të tjerë, pohojnë se fill pas marrjes së vendimit nga Këshilli i Bashkisë, drejtuesit e Bashkisë u përpoqën që gjithçka ta mbanin në heshtje të plotë, gati si sekret shtetëror. Të gjitha veprimet nga punonjësit e Urbanistikës nisën të bëheshin në orët e vona të mbrëmjes, ndonjëherë edhe shpejt në mëngjes. Fotografonin, matnin, bënin llogaritje dhe sërish zhdukeshin ashtu siç kishin ardhur. Edhe mbledhjet në lidhje me këtë projekt i bënin në orë tepër të vona. Të tjera informacione do të mësonin herë pas herë banorët e “Gjon Buzukut”: si ishte dhënë urdhri të pezulloheshin proceset e legalizimit për këto 28 familje, nëse ato ishin në procese të tilla; si ishin dhënë urdhrat që këto familje të mos kishin asnjë mundësi të kryenin veprime të tjera në institucionet përkatëse mbi pronën e tyre të paluajtshme, ashtu sikurse ishte dhënë dhe porosia që 28 kryefamiljarët të mos kishin asnjë informacion mbi projektin e ri që do të realizohej. Misteri vazhdon ende të jetë i plotë. Deri më sot banorët nuk kanë pasur asnjë njoftim zyrtar, asnjë mbledhje ku të informohen mbi projektin, asnjë ballafaqim, ku mund të shprehin shqetësimet e tyre, asnjë informacion të saktë se me çfarë çmimi për metër katror do të dëmshpërblehen.  Misteri është i plotë edhe pse me ligj gjithçka duhet të jetë transparente dhe informuese. E pra, të gjitha këto e bëjnë të domosdoshme jo vetëm ndihmën e institucioneve të shtetit, por edhe të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, ashtu siç është e nevojshme edhe fillimi i një hetimi të plotë mbi këtë çështje. Tashmë, nga të gjitha ato që shohin dhe mësojnë, 28 kryefamiljarët, mendojnë se prishja e shtëpive të tyre do të jetë një akt i pastër padrejtësie dhe i shkeljes së ligjit.

Nëse ankoheni do t’ u lëme me gisht në gojë

28 kryefamiljarët e “Gjon Buzukut”, na rrëfejnë edhe një fenomen tjetër: Gjatë ditëve të fundit ka nisur të përhapet një thashethemnajë, e cila ka për qëllim që të frikësojë njerëzit që do t’u prishet shtëpia. Frazeologjia më e përhapur e kësaj thashethemnaje është: “ Kush ngre zërin dhe nuk bie dakord me projektin do të mbetet me gisht në gojë, pasi dëmshpërblimi që do t’i jepet nga bashkia do të jetë minimal”. Sipas banorëve në fjalë, fatmirësisht të tremburit janë veçse dy-tre veta, të cilët besojnë se përveçse mund t’u prishin shtëpinë mund t’i lënë vërtetë me gisht në gojë. Ndërsa gjithë të tjerët janë të vendosur që të drejtat e tyre t’i mbrojnë deri në fund sipas gjithë të mundësive që u jep ligji. Por, pavarësisht nga kjo, edhe përhapja e thashethemnajës tregon qartë se dikush po përpiqet të fshehë diçka nga ky projekt që tenton të prishë 28 shtëpi. A duhet të dalë e vërteta e këtij misteri në shesh? Sigurisht që po. Nëse shteti është në shërbim të qytetarëve ai duhet të japë ndihmesën e tij në çdo kohë. Dhe banorët shpresojnë të ndihmohen nga shteti i tyre.

Një histori tjetër dhimbjeje

Nga të gjitha këto që mësojmë, duket sikur një komplot është duke ndodhur, i cili duhet qartësuar, por nuk ka se si të frikësohet nga thashethemnaja Zamir Islam Topi, kur  kujton se si i humbi dy shtëpitë e tij në vitin 1977, kur shteti i asaj kohe ia mori nën pretekstin e planit rregullues të qytetit: “Na morën dy shtëpi, – na thotë ai, – dhe nuk na dhanë asgjë. Kishim një sipërfaqe trualli prej 353 metrash katrorë. Për familjen time kjo ngjarje ishte një dhimbje e madhe. Nuk mundëm ta harronim dot kurrë. Na ishte dashur një jetë e tërë të ngrinim ato dy shtëpi dhe në fund i humbëm brenda një çasti sikur të mos kishin ekzistuar kurrë. Megjithatë, vijon Zamir Topi, ne mundëm të blinim një shtëpi tjetër private. Me ardhjen e demokracisë përfituam edhe të drejtën e rikthimit të kësaj sipërfaqeje, por veçse në letra, sepse edhe kësaj radhe, sërish nën pretekstin e planit rregullues të qytetit na dhanë vetëm një sipërfaqe prej 59 metrash. Pikërisht mbi këtë sipërfaqe trualli unë ndërtova shtëpinë time, kurse Bashkia e Korçës po vjen sot përsëri të ma prishë. Mendoni vetëm një çast: po na i prishin shtëpinë brez pas brezi, ndaj nuk do të rri i heshtur, kam për të ngritur zërin e do të kërkoj ndihmë kudo, në çdo institucion që mund ta dëgjojë zërin tim. Jam i bindur se me këtë projekt janë vënë në lojë fatet e 28 familjeve.

11 shtëpi mund të mos prishen

Të gjithë ata, anëtarët e 28 familjeve që jetojnë në lagjen e vjetër “Gjon Buzuku” janë të gatshëm të tregojnë njëri pas tjetrit historitë e familjeve të tyre, të cilat shpesh janë sa të ngjashme aq edhe të dhimbshme. Ata na treguan gjithashtu se si njëri prej tyre, Petrit Xhelollari, me shpenzimet e veta, kishte pajtuar një nga studiot më të mira të Tiranës për ta rikonceptuar edhe një herë planin e ndërtimit të kësaj rruge, dhe sipas studios në fjalë, ekzistonin të gjitha mundësitë që të paktën 11 shtëpi të mos prisheshin. Ua thamë këtë gjë edhe drejtuesve të bashkisë, por askush nuk e mori parasysh. Ata nuk duan të na dëgjojnë, nuk dëshirojnë të marrin takim me ne, nuk janë të gatshëm të na informojnë mbi projektin. Gjithë synimi i tyre është të prishin 28 shtëpitë tona, vetëm pas kësaj duket se do të fitojnë qetësinë e tyre, por edhe do të mbeten të kënaqur.  Madje as sot e kësaj dite 28 familjet nuk kanë asnjë informacion zyrtar se sa do të jetë çmimi i dëmshpërblimit për metër katror. Fillimisht, në rrugë informale ishin vënë në dijeni se çmimi për metër katror do të ishte 136 mijë e 300 lekë të vjetër, ndërsa më vonë përsëri në rrugë informale u informuan se çmimi i dëmshpërblimit do të jetë 75 mijë lekë të vjetër. Ka mundësi që shifra të tjera të mësojnë në ditët në vijim. Sipas banorëve, nga ana e bashkisë, është proceduar në këtë mënyrë, vetëm e vetëm që 28 familjet të mbahen tension dhe të mos guxojnë të ngrehin zënë sepse mund të humbasin gjithçka e të mos e ngrehin dot kokën kurrë. Më mirë se çdo gjë tjetër e tregon thashethemnaja e përshkruar më sipër.

Mund të mos prishet asnjë shtëpi

E kemi përmendur shpesh termin “28 kryefamiljarë”, por sigurisht ata mund të jenë edhe më shumë, pasi në një shtëpi gjenden edhe dy kurora. Megjithatë, të gjithë ata kanë bindjen se ekzistojnë të gjitha mundësitë që asnjë prej shtëpive të mos prishet. Argumenti i banorëve është i thjeshtë dhe bindës. Sipas tyre, të gjitha rrugët e Korçës u ngushtuan, madje kjo ndodhi edhe në hyrje të Korçës, te Banka Kombëtare Tregtare, ku numri i automjeteve që vijnë nga rrethet do të jetë shumë i madh. Atëherë përse një rrugë kaq e gjerë vetëm në lagjen “Gjon Buzuku” ku jetojnë myslimanët?! Edhe nëse rruga do të ndërtohet sipas projektit të hartuar së fundi nga Bashkia, shprehen ata, ajo rrugë do të mbetet jo funksionale, pasi automjetet që do të vijnë nga rrethi i Kolonjës, nga Jugu dhe nga zonat e Korçës që lidhen me aksin rrugor Ersekë – Korçë, nuk mund të përballohen nga rrugët që u ngushtuan prej bashkisë Korçë. Automjetet do të vijnë deri te “Gjon Buzuku” dhe aty do të ngelen grumbull njëra pas tjetrës. Të gjitha këto tregojnë se në lagjen “Gjon Buzuku” dëshirojnë të ndërtojnë një vend parkimi, ndaj përveç rrugës, është parashikuar edhe ndërtimi i një sheshi të madh. “Dhe e gjitha kjo është një çmenduri”,- shprehen banorët e kësaj lagjeje që nuk dinë se si mund të dalin nga kjo situatë.

Shtëpitë tona nuk i prishën as italianët

“Shtëpitë tona nuk i prishën as italianët, sjellin një shembull tjetër banorët që do t’u prishen shtëpitë. Sipas tyre, në vitin 1930, italianët hartuan planin rregullues të qytetit të Korçës. Rruga në lagjen “Gjon Buzuku”, u la ashtu siç kishte qenë, pa i bërë asnjë ndryshim me qëllim ruajtjen e lagjes së vjetër, si pjesë e rëndësishme e “Kasabasë” (qyteti i vjetër i Korçës). Rruga për të cilën bëhet fjalë vinte deri te Xhamia e vogël dhe aty degëzohej në dy drejtime; njëra prej degëzimeve lidhej me bulevardin “Republika”, e cila në vitin 1930 mbante emrin “Viktor Emanuel III”, ndërsa degëzimi tjetër i bashkohej rrugës që në atë kohë mbante emrin “Skënderbeu”. Të dy këto rrugë krijonin një unazë të brendshme të qytetit të Korçës. Dy rrugët kryesore, përveç rrugëve më të ngushta komunikonin me njëra tjetrën edhe nëpërmjet bulevardit “Shën Gjergji”, ku edhe ky bulevard në atë kohë mbante emrin “Mbretëresha Elena”. Pra, kjo ka qenë struktura reale e rrugëve të Korçës, ku gjithë vëmendja e italianëve u përqendrua në lagjet e “Kasabasë”, ku jetonin myslimanët, sepse “Kasabaja” ishte qyteti i Korçës, ndërsa pjesa tjetër, ku jetonin ortodoksët i përkiste fshatit Peskëpi, i cili realisht iu bashkua qytetit më 1905, ose 400 vjet më vonë nga dita e themelimit të Korçës, më 1486, kur u vu guri i parë në Xhaminë e Madhe nga vetë themeluesi i këtij qyteti, Iljaz bej Mirahori.

Lagjet e vjetra

“Por mesa duket, vijojnë më tej rrëfimin e tyre banorët e “Gjon Buzukut”, ndërsa pazari u la në mëshirë të fatit, lagjet e vjetra po prishen me plane rregulluese, kur në të vërtetë duhej të kishte ndodhur e kundërta: jo të prisheshin 28 shtëpi, por të mendohej sesi mund të dilte në pah kjo lagje e vjetër e Korçës, sepse nuk po mbetet asgjë nga Korça e dikurshme. Ndaj, siç e theksuam edhe më sipër,- thonë banorët,- ne po u drejtohemi me shumë shpresë gjithë institucioneve shqiptare dhe trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, ku gjithashtu kërkojmë dhe fillimin e hetimeve për të gjitha problemet që kemi ngritur. Shpresojmë se shteti ynë nuk do të na braktisë”.

Vepror HASANI