Bashkëpunimi institucional në luftën kundër korrupsionit

614
Nga: Selime Bregu, KLSH 
Si pjesë e punës së vet audituese, SAI-t janë të angazhuar në punën e tyre gjithmonë e më tepër për parandalimin e korrupsionit dhe jo mbajtjen si qëllim kryesor zbulimin e tij, çka do të thotë se qasja ka qenë më tepër për të parandaluar korrupsionin, se sa zbulimin e aktiviteteve të paligjshme. Siç parashikohet në Deklaratën e Limës miratuar nga INTOSAI në vitin 1977, SAI-t me qëllim arritjen e rezultateve dhe efektivitetit në luftën kundër mashtrimit dhe korrupsionit, duhet të përpiqen në krijimin e një mjedisi të pafavorshëm për mashtrimin dhe korrupsionin. KLSH-ja si institucion suprem i auditimit, ka zgjedhur të japë kontributin e vet në luftën kundër korrupsionit, nëpërmjet një pune profesionale audituese deri në bërjen e kallëzimeve penale për të gjitha ato raste kur janë konstatuar shkelje të rënda, shpërdorim të detyrës, mashtrime apo manipulime me pasoja të konsiderueshme financiare, të kryera nga zyrtarët e administratës shtetërore të çfarëdo niveli. Duke pasur parasysh nevojën urgjente për të trajtuar problemin e korrupsionit, ka ardhur koha për të ndërmarrë veprime praktike kundër tij, por pa patur bashkëpunimin me institucionet e tjera, përfundimet nuk do të jenë të plota. 

Korrupsioni paraqet një pengesë serioze për menaxhimin efektiv të burimeve dhe alokimin e tyre, në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Tolerimi i tij përkthehet në abuzim të pushtetit, cka nënkupton qeverisje të keqe si pasojë e mungesës së përgjegjshmërisë dhe kjo e ‘kalb’ një shtet nga brenda, prandaj lufta kundër korrupsionit duhet të trajtohet si prioritare me qëllim forcimin e mirëqeverisjes. Raportimi dhe auditimi i mirë financiar ndihmojnë në zvogëlimin e keqdeklarimeve, të cilat fshehin veprimet mashtruese, keqinformojnë dhe shtrembërojnë drejtimin e përdoruesve të raporteve të auditimit. Auditimi ofron sigurinë e dëshiruar që raportet dhe deklarimet e tjera financiare apo jo financiare të jenë të besueshme dhe të pasqyrojnë me vërtetësi rezultatet e veprimtarisë së subjektit publik. KLSH dhe institucionet e tjera shtetërore janë të angazhuar në një luftë të vazhdueshme, pa kompromise, ndaj çdo institucioni apo nëpunësi. Partneriteti mes tyre do të jetë një plus i madh që do të ndihmojë në mposhtjen e kësaj plage jo vetëm të shoqërisë shqiptare. Një tregues i rëndësishëm në këtë drejtim është Treguesi i dobishmërisë (dobishmëria si tregues performance për SAI-t, matet si raport i demit të konstatuar ndaj buxhetit të shpenzuar si institucion për çdo vit). Për 5 vitet 2012-2016 rezulton se për çdo një lek të shpenzuar për institucionin e KLSH-së është kërkuar për t’u zhdëmtuar 127.1 lekë, ose 6 herë më shumë, nga 21.1 lekë që është kërkuar në periudhën 10 vjeçare 2002-2011. Gjithashtu për sa i përket kallëzimeve penale, KLSH në 5 vitet e fundit, 2012-2016, ka përcjellë 219 Kallëzime Penale për 718 persona, ose thënë ndryshe ka adresuar çdo javë një Kallëzim Penal, për zyrtarët e nivelit të mesëm dhe të lartë, të konstatuar me shkelje të rënda nga auditimet e KLSH. KLSH ka luftuar pa kompromis ndaj abuzimeve dhe mashtrimeve financiare me pronën publike, duke synuar përmirësimin e qeverisjes publike nëpërmjet thellimit të luftës pa kompromis ndaj korrupsionit. Në tryezën e rrumbullakët të organizuar mbi temën sinjifikative “Roli i SAI-ve në luftën kundër mashtrimit dhe korrupsionit” të Rrjetit të SAI-ve të vendeve kandidate dhe potenciale kandidate për anëtarësim në BE dhe të Gjykatës Evropiane të Audituesve, z. Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH-së në përshëndetjen tij, theksoi se: “…duke pasur parasysh shtrirjen aktuale dhe kompleksitetin e korrupsionit në Shqipëri, lufta kundër tij kërkon përpjekje afatgjata, politika të përshtatshme, strategji, institucione të konsoliduara, plane dhe veprime mbi një bazë organizative të mirë-projektuar”.
Lufta ndaj këtij fenomeni është një luftë e gjatë, e cila nuk mund të zhduket si “me magji”, ashtu siç ju deshën kohë të arrinte në këto nivele, përsëri duhet kohë për ta eliminuar atë. E rëndësishme është që ta parandalojmë, duke mos e lejuar që të ngrihet në sistem. Megjithëse jo perfekte, kemi shembuj dhe përvoja të mira nga vendet evropiane, të cilat na tregojnë se po të kemi një bashkëpunim të gjithë shoqërisë, institucioneve ligjzbatuese dhe institucioneve të pavarura atëherë mund të arrijmë të kemi ‘triumfin’ e kërkuar, gjë për të cilën KLSH ka kohë që po punon me sukses.
Sigal