Basha ftesë rinisë: Nesër Dhjetori i dytë, merrni në dorë fatet e vendit

495
Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka ftuar qytetarët shqiptarë ti bashkohen marshimit të nesërm të Partisë Demokratike, në orën 11:00 në sheshin “Skënderbej”.Sikundër në çdo protestë tjetër, Basha forcën e sheh tek rinia demokrate dhe rinia shqiptare. Andaj ftesa për ta ishte e qartë: Merrni në dorë fatet e vendit! Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, takoi pasditen e sotme të rinjtë demokratë nga ku bëri thirrjen e fundit ndaj shqiptarëve për tu bashkuar në protestën e 8 dhjetorit për largimin e qeverisë Rama.

Qytetarët sipas Bashës, nuk vinë në shesh për të realizuar objektivin politik të Partisë Demokratike për largimin e qeverisë, por për të çelur një rrugë të re për Shqipërinë, duke mbyllur kapitullin e zi të korrupsionit dhe të vjedhjes.

Basha: “Koha ka ardhur, koha ka ardhur që rinia të marrë përsëri në dorë fatet e vendit. Koha ka ardhur dhe ne sëbashku me rininë do të mbyllim kapitullin e zi të rrënimit ekonomik, të depresionit dhe do të hapim një kapitull të ri. Ne duam që rinia të ketë mundësi studimi me tarifa të përballueshme nga prindërit e tyre, të studiojë dhe punojë në qytetet e tyre, në vendin e tyre në Shqipëri. Ne duam që sëbashku me rininë ta bëjmë Shqipërinë vendin më atraktiv ku të qëndrohet, të punohet dhe të prodhohet me dëshirë të madhe dhe jo të largohemi sikur largohemi nga ferri. Sot është koha juaj, tani është ora juaj. Të marrim edhe një herë fatet e lirisë kombëtare në duar.Fatet e demokracisë. Ju ftoj të ngrihemi dhe të bashkohemi, studentë e gjimnazistë, të rinj dhe të reja nesër në orën 11:00 në sheshin “Skëndërbej”. Ta pagëzojmë 8 dhjetorin 25 vjetorin e demokracisë si dhjetorin e dytë të lirisë dhe demokracisë për shqiptarët. Liri nga tirania e krimit, varfërisë, korrupsionit, padrejtësisë. Le ta pagëzojmë edhe ekipin e ri drejtues të FRPD nesër me 8 dhjetor në ditën që do hyjë në histori ku rinia nuk iku po qëndroi, nuk e uli kokën por u ngrit, nuk u tërhoq por fitoi”.

Basha ironizoi kryeministrin Rama kur tha se prej muajsh nuk qeveris por bllokon ekranet e televizioneve me propagandë boshe.
Basha: “Shqiptarët e kanë të qartë, demokratët po se po, por edhe socialistët e kanë të qartë se familja e tyre politike është përdorur për të ozurpuar pushtetin me një grup kriminelësh pa asnjë lidhje me ta.Edhe sot ekranet i kishte zënë përsëri kokoshi.Për një moment pothuajse më erdhi keq për të, por pastaj e kuptova që nuk ishte punë zori, ishte punë vlerash. Po i ridhnin hundët, dhe ky që do pastronte Shqipërinë, nuk po pastronte dot as hundën e tij. Dhe nuk ka si ta pastrojë Shqipërinë njeriu që e bëri pis me aleancën e tij me krimin, duke graduar kriminelët dhe duke ju thënë ju të rinjve shqiptarë se studimet, të mësuarit nuk paskan vlerë. Mjafton të jesh i dënuar, narkotrafikant, tutor dhe bën karrierë më Edi Ramën.E bëri pis Shqipërinë me mashtrimet e tij që ja njeh gjithë bota. Ky e bëri pis Shqipërinë me aleancën e tij të vesit, të antivlerës, korrupsionit, që e mban në këmbë bashkë me ortakun e tij Ilir Meta, e me të cilën ja ka marrë frymën ekonomisë shqiptare. E bëri pis me padrejtësinë e tij”.
Lideri demokrat nuk la pa përgëzuar dhe kreun e ri të forumit demokrat, Belind Këlliçi.
Basha vlerësoi proçesin e zhvilluar në këto zgjedhje, duke e cilësuar një nga garat më të bukura politike që Ballkani ka parë në 70 vite.

Basha: “Dje FRPD përmbylli një nga garat më të bukura politike që Ballkani ka parë në 70 vite, jo Shqipëria por Ballkani nuk ka njohur një garë politike të hapur, të pastër, të bukur, të fortë si ajo që i dhuroi Shqipërisë dhe demokracisë FRPD.Rinisë dhe ekipit të sapozgjedhur po i afron e nesërmja. E nesërmja, 8 dhjetori, dita e madhe e rinisë ku ju shkruat dhe vendosët historinë e këtij vendi dhe padyshim dita ku përsëri rinia demokrate dhe rinia shqiptare në terësi do të dijë të jetë në ballë të marshimit popullor të një bashkimi të madh të të rinjve dhe shqiptarëve. Nesër në sheshin “Skëndërbej” në orën 11:00. Nesër nis një marshim i ri për vlerat më të shenjta të rinisë, për lirinë, për lirinë për tu zgjedhur, për tu shprehur, shkolluar, punësuar, për lirinë nga korrupsioni, krimi dhe tirania e varfërisë dhe padrejtësisë që është shtruar sot këmbëkryq në cdo cep të Shqipërisë. Shqipëria do bashkohet nesër por sytë e shqiptarëve do jenë nga rinia demokrate dhe rinia e saj”.
Sigal