Bardhyl Berberi/ Banorët e Tushemishti të shqetësuar: Na mbyti betoni në fshatin turistik

1487
Vetëm 5 km larg qytetit të Pogradecit buzë liqenit ndodhet një nga fshat i vërtetë turistik, Tushemishti me më shumë se 1000 banorë. Ndonëse jemi në muajin qershor të gjitha shtëpitë dhe hotelet janë prenotuar nga pushues të shumtit të huaj dhe vendas. Prej vitesh Tushemishti frekuentohet nga pushuese austriakë, gjermanë, danezë, italianë etj. Janë bukuritë magjikë të Tushemishtit, i cili qëndron mbi ujërat e liqenit dhe mbi burimet e Drinit që burojnë nga Shën Naumi që Tushemishtit si fshat turistik i japin një status të veçantë. 
Vilat e bukura dy katshe me lule erëmira, oborret e kalldrëmta dhe ujrat që përshkojnë fshatin mes përmes që kalojnë edhe poshtë shtëpive, kopshtet me mollë starkinge të famshme që çanin rrugët e Europës dhe fruta të tjera i japin fshatit turistik një pamje të rrallë. Monumenti “I zonjës nga qyteti” ku është xhiruar filmi me të njëjtën titull, investimet e bëra në qendrën e fshatit, rrugët e shtruara me kalldrëm, disiplinimi i ujërave të zeza që nuk derdhen më në liqen – janë arritje të padiskutueshme. Por, Tushemishti kohët e fundit ka filluar të shpërfytyrohet. Kopshtet me mollë starkinka buzë liqenit po shiten nga pronarët dhe aty po ngrihen ndërtesa shumwkatshe duke e shpërfytyruar krejt fshatin. Vendasit janë tepër të shqetësuar për shpërfytyrimin që po pëson fshati i tyre por janë të pafuqishëm që ta ndalin. 
Një grua e moshuar, Viktori Llakmani që e takuam para burimeve të Tushemishtit, e pyetëm: 
– Zonja Viktori, si ju duket ju si banore e moshuar e Tushemishtit ndërtimi i këtyre pallateve shumëkatëshë? 
– Po e shikojmë me keqardhje atë fshat aq të bukur që e kanë zili të gjithë po e mbyt betoni…
– Çfarë ka humbur Tushemishti nga e kaluara?
– Fshati po humbet pamjen e tij, atë bukuri të vilave dy katshe me kopshte dhe lule te shumta aq të dëshiruar për të huajt dhe turistët vendas.
– Si do të ndalet kjo rrëmujë betonimi?
– S’kemi fuqi ne të moshuarit që ta ndalim këtë rrëmujë, ne vetëm konstatojmë me keqardhje.
– A e dëmton turizmin familjar e Tushemishtit kjo dukuri?
– Patjetër, nuk ka shtëpi në Tushemisht që nuk lëshon dhoma me qira për turizëm familjar dhe për turistë të huaj që vijnë çdo vit. Këto ndërtesa disakatshe jo vetëm do të prishin atë bukuri dhe intimitet të një fshati turistik, por do ndikojnë edhe për më keq. 
Ndërkohë, ndërtesat disakatshe që po ngrihen, janë brenda vijës së verdhë dhe vetë pronarët u kanë shitur tokat e tyre firmave të ndërtimit, të cilat po ngrenë komplekse turistike, na thonë banorët. Ne nuk mund të ndalojmë pronarët, thonë ata, që të shesin tokat e tyre që i kanë me tapi, por shteti duhet të vendosi një rregull dhe disiplinim të ndërtesave disakatshe!
Sigal