Banka Botërore: Shqipëria me cilësinë më të ulët të arsimit të lartë

59
Sigal

Shqipëria renditet ndër vendet me cilësinë më të dobët të arsimit të lartë në rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore, sipas një raporti të fundit të Bankës Botërore, duke ngritur shqetësime serioze për të ardhmen akademike dhe ekonomike të vendit.

Sipas raportit, mungesa e financimeve, kurrikulat e vjetruara, ndikimi i politikës dhe interesave private, si dhe mungesa e lidhjes me tregun e punës, janë ndër faktorët kryesorë që po e minojnë rëndë sistemin universitar në Shqipëri.

Banka Botërore thekson gjithashtu se universitetet shqiptare po përgatisin studentë të papërgatitur për realitetin e tregut të punës, për shkak të infrastrukturës së dobët dhe mungesës së kërkimit shkencor, duke thelluar hendekun me vendet më të zhvilluara.

Një tjetër shqetësim i ngritur është rënia e përparimit ndërbrezor, ku fëmijët e sotëm kanë më pak gjasa të jenë më të arsimuar se prindërit e tyre – një tregues i qartë regresi në arsim.

Nëse nuk merren masa urgjente, Shqipëria rrezikon të mos arrijë statusin e një shteti me të ardhura të larta në një apo dy breza, paralajmëron Banka Botërore.

Përveç Shqipërisë, të njëjtat probleme janë konstatuar edhe në vende të tjera si Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Armenia dhe Azerbajxhani.

Raporti kërkon ndërhyrje të thella përmes reformave në financim, depolitizim, modernizim të kurrikulave dhe investime serioze në infrastrukturë dhe kërkime, në mënyrë që arsimi i lartë të shndërrohet në një shtyllë zhvillimi dhe jo pengesë për të ardhmen e vendit.

Duhet thënë se një ndër problemet kryesore me të cilat përballet arsimi i lartë dhe studentët ditët e sotme është edhe korrupsioni i stafeve akademike për qëllime personale e fitime. Në shumë raste studentët janë të detyruar të paguajnë pedagogët për të marrë provimet, ndërkohë që stafi i bordit akademik përfshihet shpeshherë në tendera korruptive, kujtojmë Universitetin Bujqësor të Tiranës, i përfshirë edhe rektori.