Banka Botërore, investime infrastrukturore në qytetin e Beratit

596
Sigal

(Paketa 15 milionë dollarë)

 

Në ambientet e Bashkisë së Beratit u organizua diskutimi mbi fazën e dytë të Programit të Investimeve të Bankës Botërore në kuadër të Programit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik (PZHIUT). Në takimin e iniciuar nga Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, dhe Nënkryetari i Bashkisë, z. Bledar Blana, merrnin pjesë përfaqësues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ekspertë të kompanive “Atelier” dhe “Keios” të kontraktuar nga Banka Botërore për përgatitjen e projekteve, si dhe përfaqësues të Bashkisë Berat. Objektivi i programit është përmirësimi i infrastrukturës urbane, nxitja e turizmit dhe forcimi i kapaciteteve institucionale për të mbështetur turizmin dhe zhvillimin e ekonomisë lokale në zonat e përzgjedhura në jug të Shqipërisë. Projekti do të ndikojë në zhvillimin e ekonomisë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në rajonin jugor të vendit, nëpërmjet financimit të projekteve të infrastrukturës. Ai shtrihet në qendrat urbane të Sarandës, Gjirokastrës, Beratit, Përmetit dhe përgjatë korridorit turistik që kalon në këtë rajon.

Investimet në Bashkinë Berat do të përfshijnë rehabilitimin e:

  • hapësirave publike (p.sh, parqe, sheshe, pedonale);
  • rrjetit rrugor, nyje inter-modale dhe infrastruktura shoqëruese (p.sh , trotuaret, kryqëzimet rrugore, ndriçimet rrugore, korsitë e biçikletave, stacionet e autobusëve);
  • restaurimin e ndërtesave të përzgjedhura të trashëgimisë dhe përmirësimin e fasadave të ndërtesave të zgjedhura;
  • përmirësimin e zonave turistike (p.sh. rrugët hyrëse, qendrat e vizitorëve, vendparkimet, sinjalistika turistike).
  • rehabilitimi i rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve do të mbështetet rast pas rasti.

Ky komponent do të financojë gjithashtu përgatitjen e projekteve urbane, studimeve të fizibilitetit, projekteve inxhinierike dhe supervizimin e projekteve ndërtimore.

Pas përfundimit të fazave më të mësipërme janë listuar si projekte investimesh:

  • Restaurimi i peizazhit historik urban të Lagjes “Goricë”.
  • Rehabilitim urban i Sheshit “ Iljaz Vrioni”.
  • Rigjenerim i zonës përreth Muzeut Etnografik dhe rrugës “Mihal Komneno’’.
  • Restaurim dhe përdorim me përshtatje i ish- Selamllëkut të Vrionasve dhe zonës rrotull.
  • Përmirësim pamor i siluetës urbane përgjatë rrugës “Antipatrea” në qendër të qytetit.
  • Rehabilitimi i shtegut të Kalasë së Goricës dhe krijimi i potencialeve turistike pranë monumenteve.
  • Sinjalistika turistike dhe tabelat informuese. Adriatik Mema