Ban Ki-Moon përshëndet Kongresin e XXII-të të INTOSAI-t

95
Sigal

Sot, dita e tretë e punimeve të
Kongresit të XXII-të të INTOSAI-t që po zhvillohet në Abu Dhabi të Emirateve të
Bashkuara Arabe (datat 5-11 Dhjetor 2016),
u çel me pjesëmarrjen e shkëlqesisë së tij, Sheik Mansaur
Bin Zayed Al Nahyan, Zv-Kryeministër i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe me përshëndetjet
e Presidentes së Gjykatës Austriake të Auditimit dhe njëkohësisht Sekretare e Përgjithshme
e INTOSAI-t (nga 1 Korriku 2016), Dr. Margit Kraker, si dhe leximin e mesazhit përshëndetës
të dërguar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Z. Ban Ki-Moon.

Në mesazhin
e tij, z. Ban Ki-Moon i kërkoi Kongresit të INTOSAI-t që të fokusohet në mënyrat
se si kjo organizatë mund të kontribuojë në luftën kundër korrupsionit dhe të promovojë
llogaridhënien e të gjitha palëve. “Audituesit e jashtëm sigurojnë një depërtim
tepër të rëndësishëm të trupave legjislative, qeverive dhe shoqërisë në lidhje
me arritjen e qëllimeve për një zhvillim të qëndrueshëm. Unë ju inkurajoj”,
theksoi Ban Ki-Moon, “që të shfrytëzoni potencialin e statistikave dhe të
dhënave për të forcuar akoma dhe më tej auditimet. SAI-et janë në qendër të
institucioneve efektive, të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse. Ato luajnë një
rol kritik në luftën kundër mashtrimeve financiare dhe praktikave të
korruptuara”.

“Kombet e
Bashkuara”, përfundonte mesazhi i Ban Ki-Moon, “mbeten të vendosura për të
asistuar përpjekjet e INTOSAI-t në mbrojtje të një zhvillimi të qëndrueshëm”.

 

Në përfundim
të fjalëve përshëndetëse, u zhvillua ceremonia e kalimit të Kryesisë së Bordit
të INTOSAI-t nga SAI Kinez tek SAI i Emirateve të Bashkuara Arabe, duke emëruar
kështu Dr. Harib Al Amimi si Kryetarin e radhës të INTOSAI-t.

 

Më pas,
punimet e Kongresit vijuan me miratimin e 4 dokumentave tepër të rëndësishëm që
ishin 1) Rregullat Proceduriale 2) Buxheti i INTOSAI-t për vitin 2017-2019 3)
Plani Strategjik i INTOSAI-t 2017-2022 dhe 4) ndryshimet në Statutin e Organizatës.

 

Gjatë
pushimeve të ndërmjetme të Kongresit,
Kryetari i Kontrollit të Lartë
të Shtetit, z. Bujar Leskaj zhvilloi një sërë takimesh
me homologë dhe personalitete të shquara ndërkombëtare në fushën
e auditimit, si Dr. Harib Al Amimi, President i Institucionit të Auditimit
Shtetëror të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Kryetar i INTOSAI-t, z. Gene L.
Dodaro, Kontrollor i Përgjithshëm i Zyrës së Llogarive Qeveritare (GAO) të
Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Dr. Vitor Caldeira, President i Gjykatës Portugeze
të Llogarive, z.
Krzysztof Kwiatkowski,
President i Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, zj. Androniki Theotokatou
, Presidente e Gjykats së Llogarive
të Greqisë dhe me z. Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm i Zyrës Kombëtare të
Auditimit të Kosovës , për të cilat do të paraqitet një informacion më i
detajuar gjatë ditëve në vazhdim.