Avokati i Popullit takohet me 23 familjet me jetimë

569
Sigal

Gazeta Telegraf/

 

Avokati
i Popullit, z. Igli Totozani, zhvilloi sot, një takim me personat dhe familjet
e strehuara në ambientet e ish konviktit të Shkolles se Mesme të
Hoteleri-Turizmit në Tiranë. Një pjesë e tyre kanë paraqitur ankesa pranë
institucionit të Avokatit të Popullit, me pretendimin se po dëbohen nga këto
ambiente, në të cilat banojnë prej rreth 20 vitesh. Një pjesë e tyre janë
jetimë, të cilët pas përfundimit të shkollës së mesme në pamundësi për të
gjetur strehë kanë banuar në dhomat e konviktit të ish shkollës teknologjike.

Ekspertët e Avokatit të Popullit menjëherë pas marrjes së
ankesave filluan procedurat për ndjekjen e kësaj çështje. Për këtë qëllim janë
kërkuar shpjegime nga ana e Bashkisë Tiranë, Drejtoria e Shkollës së Mesme
Hoteleri- Turizëm, si dhe nga ana e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe
Rinisë, për mundësitë e strehimit që do t’i ofrohen këtyre qytetareve.

Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, pasi bisedoi
personalisht me këta banorë tha se:

“Po monitorojmë në mënyrë të vazhdueshme situatën. Ka
pasur ankesë nga një grup prej 23 familjesh me jetimë pranë institucionit të
Avokatit të Popullit, si dhe një sinjalizim nga ana e shoqërisë civile.
Vlerësoj faktin që shoqëria civile, të cilën ne e kemi partner ka ardhur
menjëherë për të shqyrtuar problematikat që ju shqetësojnë.  Ne do të
monitorojmë hap pas hapi, së bashku me shoqërinë civile, besoj, të gjithë
procedurat që do të ndiqen ndaj jush.

Është legjitime që shkolla të rikonstruktohet dhe të
shndërrohet në funksionin e saj primar dhe ju të jetoni në kushte të tjera, por
asnjë dëbim nuk duhet bërë pa u zbatuar kriteret dhe standardet ndërkombëtare
në rastin e dëbimeve.

Aktorët duhet të gjejnë zgjidhje dhe të zbatojnë
procedurat ligjore përkatëse dhe standardet ndërkombëtare, që këtu çdo lëvizje
e qyterarëve të kryhet duke siguruar më përpara një strehim të përshtatshëm dhe
dinjitoz”.      

Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, shoqërohej në këtë
takim, nga disa përfaqësuese të shoqërisë civile.  

Gjithashtu, nga ana e ekspertëve të Avokatit të Popullit
është  kërkuar të zhvillohen takime me përfaqësues të Bashkisë Tiranë, si
dhe me ata të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për zgjidhjet që do
t’i ofrohen këtyre qytetarëve për strehim.