Avni Hafuzi – Preshevasi i Hungarisë, sipërmarrësi dhe humanitari për t’u marrë shembull

727
Sigal

Nuk janë të paktë ata që e njohin Konsullin e Nderit të Republikës së Shqipërisë, për qytetin e Pécs dhe krahinën përkatëse, preshevasin Avni Hafuzi; të cilit i vjen mirë ndërsa e paraqesin si shqiptar, mirëpo i është bërë shprehi dhe parapëlqen ta quajnë preshevari. Ashtu si edhe vitet e mëparshme, 2018 e gjeti me arritje. Gjatë këtij viti, për punë të mirë në ndihmë të forcimit të marrëdhënieve shqiptare-hungareze dhe për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë, ai ka marrë mirënjohjen më dinjitoze për veprimtarinë atdhedashëse. Ka qenë një datë që nuk do të mund të shlyhet lehtë nga kujtesa e tij, familjes dhe rrethit të tij shoqëror, që e nderon dhe nderohet prej tij. Të gjithë ata që e njohin Avniun do ta sjellin kurdoherë ndërmend me kënaqësi ditën kur, në një pritje të posaçme të organizuar në ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Budapest, me rastin dhe në kuadër të vizitës që Presidenti i Republikës, Zoti Ilir Meta, zhvilloi më 20 qershor 2018 në Hungari, ku Avniu pati nderin e jashtëzakonshëm që të dekorohet nga vetë Kryetari i shqiptarëve – siç e quan Avniu Presidentin Meta – me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit Kombëtar”. Pikërisht në atë ceremoni, në praninë e diplomatëve dhe bashkatdhetarëve tanë, preshevari, tejet i emocionuar, ndërsa i shprehu falënderimet dhe mirënjohjen Presidentit për këtë nder të veçantë, u angazhua t’i shërbejë me përkushtim, edhe më tej, interesave të bashkëkombësve dhe çështjes shqiptare, në përgjithësi, në dobi të kombit e të shtetit tonë, për të ngritur edhe më lart emrin e Shqipërisë.

Viti 2018 shënoi për Avniun 40-vjetorin e vendosjes së tij në Hungari, vendi ku u vendos përfundimisht për të krijuar e ndërtuar jetën familjare dhe biznesin e tij, fillimisht si shit-blerës (shumice) të pajisjeve elektronike dhe, më pas, si një nga tre agjencitë doganore të Budapestit. Për gjatë 40 viteve, krahas lodhjes, mundimit, sakrificave me të cilat përballet veçanërisht një i huaj, Avniu ka pasur edhe pengesa dhe vështirësi, por falë sjelljes dhe durimit që e karakterizon, ka mundur t’i kapërcejë dhe të arrijë të identifikohet si një sipërmarrës i suksesshëm. Ndoshta ka qenë origjina e varfër, por patriote e familjes preshevare që e lindi dhe e rriti, apo rruga e vështirë e përshkuar nga Avniu, që e ka bërë atë t’i gjendet pranë atyre në nevojë – Avniu shquhet në Hungari edhe për veprimtarinë e tij humanitare dhe bamirëse, sigurisht, mbi baza vullnetare dhe shpesh herë në kushte anonimati, çka ia fisnikëron modestinë. Veprimtaria bamirëse e Avniut ka një tipar të veçantë. Përpos vlerës monetare dhe ndjenjës për të përmirësuar jetën e të pamundurve, ajo vjen herë si risi, herë si plotësim i ndonjë kërkese dhe herë si përballim i menjëhershëm ndaj rasteve të emergjencës, qoftë në mënyrë vetjake, qoftë si organizator i bashkëkombësve tanë (bukë-pjekës, konfeksionistë etj.) për t’iu përgjigjur sa më mirë të dëmtuarve.

Për këto arsye dhe të tjera, ai ka marrë disa mirënjohje edhe nga autoritetet hungareze, në nivel qendror dhe vendor. Ndër shumë çmime, përmendet se Avni Hafuzi është shpallur “Qytetar Nderi i qytetit Nagyatad”; ka marrë titullin “Ambasador i paqes” nga Dr. Hak Ja Han Moon – Federata Universale e Paqes; Çertifikatë falënderimi nga (atëherë) Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës etj.