Av. Arben Llangozi: Korrupsioni i ulur këmbkryq në konsullatën Shqiptare të Selanikut, emigrantët paguajnë çmimin zyrës private të konsulles

Nga Avokat Arben Llangozi

Si avokat, kam marrë përsipër të kontribuoj për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, të cilët kanë të drejtën ligjore dhe kushtetuese të marrin shërbime konsullore nga shteti shqiptar.

Sigal

Fatkeqësisht, një pjesë e këtyre konsullatave, në vend që të shërbejnë si ura bashkimi dhe mbrojtjeje për qytetarët, janë kthyer në struktura abuzive dhe private, ku drejtuesit i përdorin si instrument përfitimi personal.

Së fundmi, kam përfunduar kallëzimin penal ndaj Konsullatës së Selanikut, e cila ka degraduar në funksionimin e saj dhe ka shkelur rëndë të gjitha parimet e shërbimit publik.

Në këtë konsullatë, shërbimet nuk u ofrohen qytetarëve në mënyrë transparente e ligjore, por janë përqendruar në një zyrë që i shërben drejtpërdrejt interesave të drejtuesve të saj.

Pra, një institucion shtetëror është kthyer në një biznes privat, ku emigrantët detyrohen të kalojnë nëpër duar ndërmjetësish dhe zyra të jashtme për të marrë dokumente që në fakt janë të drejtë e tyre themelore.

Për më tepër, sjellja e përfaqësuesve të kësaj konsullate është skandaloze dhe e patolerueshme, në videon që po publimoj duket qartë një oficer kontakti shfaqet hapur duke sharë dhe kërcënuar qytetarët, duke treguar jo vetëm mungesë etike dhe profesionale, por edhe fytyrën e vërtetë të një shërbimi të kapur nga krimi.

Ky është një abuzim flagrant, i cili jo vetëm dëmton imazhin e shtetit shqiptar, por cenon dinjitetin dhe të drejtat themelore të qindra mijëra emigrantëve që kanë kontribuar dhe kontribuojnë për vendin e tyre.

Në këtë kuadër, Konsullata e Selanikut është bërë pjesë e problemit, pjesë e krimit institucional, duke e shndërruar misionin e saj nga një detyrim shtetëror për shërbim publik në një mekanizëm të shfrytëzimit privat.

Ky model i shërbimeve klienteliste duhet të marrë fund. Emigrantët nuk janë mall tregu, as burim fitimi për individë të caktuar, por qytetarë shqiptarë që meritojnë respekt, mbrojtje dhe shërbim dinjitoz.Në këtë konkluzion kemi arritur mbi bazën e informacioneve të dokumentuara.